Institucionet Partnere
INSTITUCIONI PËRFITUES
Avokati i Popullit Shqipëri: https://www.avokatipopullit.gov.al/sq/
Avokati i Popullit në Shqipëri, si një përvojë e re institucionale dhe konceptuale, pavarësisht mungesës së traditës institucionale në këtë qasje, përfaqëson një përpjekje të qenësishme për ndërtimin e shtetit të së drejtës. Krijimi i këtij institucioni u arrit nëpërmjet dispozitave në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, miratuar me referendum në vitin 1998.
Në përputhje me modelin klasik të Avokatit të Popullit, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin organik “Për Avokatin e Popullit” në vitin 1999, duke afirmuar institucionin e Avokatit të Popullit, si garanci kushtetuese për mbrojtjen e të drejtave, lirive dhe interesave legjitime të individit, shtetas shqiptarë, të huaj, rezidentë të rregullt ose jo të rregullt në Shqipëri, refugjatë si dhe persona pa shtetësi që ndodhen në territorin e Republikës së Shqipërisë, nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme dhe të parregullta të organeve të administratës publike.
Institucionit të Avokatit të Popullit, në përputhje me legjislacionin kombëtar por edhe atë ndërkombëtar, i është përcaktuar një mandat i gjerë, i bazuar në standardet ndërkombëtare si institucioni më i lartë kombëtar për promovimin, parandalimin e shkeljeve dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Në përgjithësi, mandati i Avokatit të Popullit mbulon funksionet si: Ombudsman “klasik”; Institucion Kombëtar i të Drejtave të Njeriut (NHRI); Mekanizëm Kombëtar për Parandalimin e Torturës, dhe Ombudsman për Fëmijët.
Institucioni i Avokatit të Popullit në Shqipëri është gjithashtu i certifikuar nga institucionet kompetente ndërkombëtare për standardet e larta që plotëson (është riakredituar në dhjetor 2020 me Statusin "A"). Këto standarde kanë të bëjnë me të drejtën për t'i paraqitur Qeverisë, Kuvendit dhe çdo organi tjetër kompetent me kërkesë të autoriteteve përkatëse ose ex officio, mendime, rekomandime, propozime për çdo çështje që ka të bëjë me promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut
PARTNERI I SHTETIT ANËTAR
Bordi i Avokati i Popullit, Austri: https://volksanwaltschaft.gv.at/en
Bordi i Avokatit të Popullit në Austri ka kontrolluar dhe monitoruar në mënyrë të pavarur të gjithë administratën publike të Austrisë që prej vitit 1977 me urdhër të Kushtetutës Federale. Bordi ndjek ankesat e qytetarëve, kontrollon ligjshmërinë e vendimeve të autoriteteve dhe shqyrton rastet e mundshme të keqadministrimit në administratën publike. Ky bord ka një mandat të pakufizuar si institucion parlamentar i Avokatit të Popullit, për të monitoruar rastet e keqadministrimit në administratën publike në nivel federal, rajonal dhe vendor, në veçanti rastet e shkeljeve të pretenduara të të drejtave të njeriut ose me iniciativën e tij.
Gjithashtu, Bordi i Avokatit të Popullit në Austri vepron si një Mekanizëm Parandalues Kombëtar (MPK) së bashku me një komision federal dhe 6 komisione rajonale. Mekanizmi Parandalues Kombëtar monitoron institucionet në të cilat ka ose mund të ketë heqje ose kufizim të lirisë personale si për shembull në burgje apo në shtëpitë e të moshuarve. Gjithashtu, inspektimi shtrihet në institucione dhe programe për personat me aftësi të kufizuara dhe administrata monitorohet si një autoritet ekzekutiv nëse lëshohen urdhra të drejtëpërdrejtë dhe ushtrohen masa shtrënguese, si në rastin e dëbimeve, demonstratave dhe operacioneve policore. Qëllimi thelbësor i sa më sipër është të njohë dhe korrigjojë faktorët e riskut lidhur me shkeljet e të drejtave të njeriut në një fazë të hershme.
ORGANI MBËSHTETËS
Instituti për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut Ludwig Boltzmann, Austri: https://gmr.lbg.ac.at/?lang=en
Instituti për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut Ludwig Boltzmann është një institut kërkimor, trajnues dhe këshillues për të drejtat e njeriut në Austri, i cili, që nga themelimi i tij në vitin 1992, ka zhvilluar një profil specifik në fushën e të drejtave të njeriut, shtetit të së drejtës dhe demokratizimit.
Detyra kryesore e këtij instituti është të ofrojë lidhjen ndërmjet punës kërkimore dhe praktikës në fushën e të drejtave të njeriut në nivel kombëtar, ndërkombëtar dhe Evropian lidhur me çështjet e legjislacionit dhe politikave për antidiskriminimin dhe trajtimin e barabartë, parandalimin e torturës dhe keqtrajtimin, mbrojtjen e të ndaluarve, si dhe ka një përvojë të gjatë praktike në fushën e të drejtave të fëmijëve dhe trafikimin e qenieve njerëzore.
Instituti bashkëpunon me administratën publike dhe organizatat e shoqërisë civile në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.