Planet Tona


Institucioni i Avokatit të Popullit, me mbështetjen e Zyrës së Ombudsmanit Danez dhe Institutit Danez për të Drejtat e Njeriut, ka hartuar Planin Strategjik të institucionit per periudhën 2019-2022. Nëpërmjet këtij Plani Strategjik, Avokati i Popullit synon krijimin dhe zhvillimin e një kulture të qeverisjes së mirë, e cila nënkupton administrim të mirë, transparencë dhe llogaridhënie të administratës publike para qytetarëve të Shqipërisë, si dhe forcim të përgjithshëm të sundimit të ligjit, elementë të domosdoshëm për funksionimin e demokracisë dhe integrimin në Bashkimin Europian.

Gjithashtu, duke pasur parasysh kapacitetin institucional dhe burimet, si dhe duke marrë parasysh realitetin politik, ligjor, social, ekonomik, zhvillimor dhe kulturor të Shqipërisë, ambicia strategjike e Avokatit të Popullit është të të qenurit aktor kryesor i të drejtave të njeriut i një sistemi kombëtar mirë-funksionues për të drejtat e njeriut në Shqipëri. Me këtë qasje dhe ambicie strategjike, Avokati i Popullit synon të përqëndrohet në atë që konsiderohet e rëndësishme për të dyja; ngritjen e kapacitetit të institucionit si dhe për vendosjen e dialogut me palët e interesuara. 

Në të njëjtën kohë, Avokati i Popullit do të fokusohet në arritjen e rezultateve në një periudhë afatshkurtër, duke ruajtur qëllimet afatgjata në fokus, që të mund t'i tregojë shoqërisë shqiptare se Avokati i Popullit mund të bëjë dhe krijojë ndryshimin. Në të njëjtën kohë, Avokati i Popullit do të trajtojë gjithashtu çështje që kërkojnë përkushtim afatgjatë, përkrahje të jashtme politike të shoqërisë civile dhe komunitetit ndërkombëtar në Shqipëri si dhe mbledhjen e fondeve shtesë përtej financimit që Avokati i Popullit merr nga buxheti i shtetit.

Me qëllim hartimin dhe miratimin e një dokumenti gjithëpërfshirës, u konsiderua e domosdoshme nisja e një procesi të gjërë këshillimi publik me të gjithë aktorët dhe faktorët e ndryshëm të shoqërisë (ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, përfaqësues të institucioneve publike dhe organizatave ndërkombëtare, shoqërinë civile etj), me qëllim marrjen e sugjerimeve dhe kontributeve reale për përmirësimin e mëtejshëm të këtij dokumenti strategjik.

Avokati i Popullit është i vetëdijshëm se nuk do të jetë i vetëm në realizimin e Planit Strategjik, pasi avancimi i axhendës së të drejtave të njeriut në Shqipëri kërkon angazhimin e të gjithë aktorëve të cilët janë të dedikuar ndaj standardeve të të drejtave të njeriut. Fuqizimi i bashkëpunimit si dhe krijimi i marrëdhënieve të reja me aktorë të tjerë do të përbëjë një element thelbësor në punën e Avokatit të Popullit. Vetëm duke punuar së bashku dhe duke qenë sa më gjithëpërfshirës ndaj grupeve të ndryshme të shoqërisë, zëri ynë dhe i qytetarëve të cilëve ne u shërbejmë do të bëhet më i besueshëm dhe i fuqishëm.

Komentet dhe sugjerimet tuaja per permiresimin e metejshme te ketij dokumenti janë të mirëpritura. 

Për të lexuar të plotë Planin Strategjik, kliko këtu. Për të lexuar Planin tone të Veprimit, kliko këtu.