-
Kodi I Procedurave Administrative
-
Kushtetuta
-
Kodi I Sjelljes Së Mirë Administrative
-
Ligji Për Avokatin E Popullit
-
Ligji Për Mbrojtjen E Konsumatorëve
-
Ligji Për Të Drejtat Dhe Trajtimin E Të Dënuarve Me Burgim
-
Ligji Për Të Drejtën E Informimit
-
Rregullore E Brendshme E Punës
-
Ligje Të Tjera
-
Avokati i Popullit mbron të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshëm të individit nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme e të parregullta të organeve të administratës publike, si dhe të të tretëve që veprojnë për llogari të saj. Ai është nxitës i standardeve më të larta të të drejtave dhe lirive të njeriut në vend.
Avokati i Popullit udhëhiqet nga parimet e paanësisë, konfidencialitetit, profesionalizmit dhe pavarësisë.
-
10 Nëntor 2018
Kodi I Procedurave Administrative
LIGJ Nr. 44/2015
KODI I PROCEDURAVE ADMINISTRATIVE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Në mbështetje të neneve 81, pika 2, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
PJESA E PARË
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
KREU I
QËLLIMI, FUSHA E ZBATIMIT DHE PËRKUFIZIMENeni 1
Qëllimi i ligjit
Ky Kod ka për qëllim të sigurojë realizimin efektiv të funksioneve publike administrative në shërbim
të personave, si dhe mbrojtjen e të drejtave dhe të interesave të ligjshëm të tyre, në realizimin e këtyre
funksioneve, duke zbatuar parimin e procesit të rregullt ligjor.
Neni 2
Fusha e zbatimit
1. Ky Kod zbatohet kur organi publik, në ushtrimin e funksioneve publike administrative, të
rregulluara nga e drejta administrative:
a) vendos për të drejtat, detyrimet dhe interesat e ligjshëm të personave, si dhe çdo rast tjetër, kur
ligji parashikon shprehimisht nxjerrjen e një akti administrativ;
b) lidh një kontratë administrative apo kryen një veprim tjetër administrativ, i cili ka të bëjë me të
drejtat, detyrimet dhe interesat e ligjshëm të personave.
2. Dispozitat e këtij Kodi zbatohen edhe për rastet kur:
a) personat juridikë, publikë apo privatë, që ushtrojnë funksione vetë-rregulluese në fushën e
profesioneve të rregulluara, të krijuara me ligj apo që u është dhënë e drejta e ushtrimit të këtyre
funksioneve, në bazë të legjislacionit në fuqi, vendosin sipas shkronjës “a”, të pikës 1, të këtij neni;
b) personat privatë, të cilëve u është dhënë e drejta për të ushtruar funksione, detyra ose
kompetenca publike, në bazë të legjislacionit në fuqi, vendosin sipas shkronjës “a”, të pikës 1, të këtij
neni;
c) personat juridikë, publikë apo privatë, të cilët ofrojnë shërbime publike, vendosin mbi të
drejtat dhe detyrimet e përdoruesve të shërbimit.
3. Parimet e sanksionuara në këtë Kod zbatohen për aq sa është e mundur edhe mbi aktet normative
nënligjore.
Neni 3
Përkufizimet
Në këtë Kod termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Akti administrativ”:
a) “Akti administrativ individual” është çdo shprehje e vullnetit nga organi publik, në ushtrimin e
funksionit të tij publik, kundrejt një apo më shumë subjektesh të përcaktuara individualisht të së drejtës, i
cili krijon, ndryshon ose shuan një marrëdhënie juridike konkrete;
b) “Akti administrativ kolektiv” është një shprehje e vullnetit nga organi publik, në ushtrimin e
funksionit të tij publik, që i drejtohet një grupi subjektesh, anëtarët e të cilit janë të përcaktuar
individualisht ose mund të përcaktohen individualisht mbi bazën e karakteristikave të përgjithshme, i cili
krijon, ndryshon ose shuan një marrëdhënie juridike konkrete;
c) “Akti i garancisë” është një akt administrativ individual, me anë të të cilit organi publik, nëse
kjo parashikohet me ligj të veçantë, mund të sigurojë paraprakisht, se ai do të nxjerrë ose nuk do të
nxjerrë një akt të caktuar administrativ individual në një datë të mëvonshme.
2. “Akt normativ nënligjor” është çdo shprehje e vullnetit nga një organ publik, në ushtrimin e
funksionit të tij publik, që rregullon një apo disa marrëdhënie juridike, duke vendosur rregulla të
përgjithshme të sjelljes dhe nuk është i shteruar në zbatimin e tij.
3. “Diskrecioni i organit publik” është e drejta e këtij të fundit për të ushtruar autoritet publik për
të përmbushur një qëllim të ligjshëm, në rastet kur ligji parashikon pjesërisht modalitetet për të
arritur këtë, duke i dhënë hapësirë vlerësimi zgjedhjeve të organit publik.
4. “Kontrata administrative” është një marrëveshje, e cila krijon, ndryshon ose shuan një
marrëdhënie konkrete, sipas së drejtës publike dhe në të cilën të paktën njëra nga palët kontraktuese
është një organ publik.
5. “Kompetenca administrative” është tërësia e kompetencave lëndore dhe kompetencave
territoriale të organit të administratës publike, siç është parashikuar në ligj dhe aktet nënligjore.
6. “Organ publik” është çdo organ i pushtetit qendror, i cili kryen funksione administrative, çdo
organ i enteve publike, në masën që ato kryejnë funksione administrative; çdo organ i pushtetit
vendor që kryen funksione administrative; çdo organ i Forcave të Armatosura, për aq kohë sa
kryejnë funksione administrative, si dhe çdo person fizik ose juridik, të cilit i është dhënë me ligj, akt
nënligjor ose çdo lloj forme tjetër, të parashikuar nga legjislacioni në fuqi, e drejta e ushtrimit të
funksioneve administrative publike.
7. “Palë” është:
a) çdo person fizik ose juridik, i cili ka të drejtë ose interes legjitim të drejtpërdrejtë në një
procedurë administrative, siç përcaktohet në nenin 33, pika 1, të këtij Kodi; ose
b) një palë që nuk ka një të drejtë ose interes legjitim të drejtpërdrejtë në një procedurë
administrative, siç përcaktohet në nenin 33, pikat 2 dhe 3, të këtij Kodi, por që të drejtat ose interesat e
saj ligjshëm mund të cenohen nga rezultati i procedurës.
8. Person është çdo person fizik, juridik, si dhe çdo subjekt i së drejtës, sipas legjislacionit në fuqi.
9. “Procedurë administrative” është veprimtaria e një organi publik, me qëllim përgatitjen dhe
miratimin e veprimeve konkrete administrative, ekzekutimin e tyre dhe rishikimin e tyre me mjete ligjore
administrative.
10.”Veprim administrativ” është akti administrativ, kontrata administrative dhe çdo veprim tjetër
administrativ.
11. “Veprim tjetër administrativ” është çdo formë e njëanshme e veprimtarisë së organit publik në
ushtrimin e funksioneve të tij publike, që nuk plotëson kriteret për të qenë akt administrativ apo kontratë
administrative dhe që sjell pasoja juridike për të drejtat subjektive dhe interesat legjitimë.
12. “Veprimtari administrative” është tërësia e akteve dhe veprimeve, që përbëjnë dhe shprehin
vullnetin e administratës publike, si dhe ekzekutimin e vullnetit.
KREU II
PARIME TË PËRGJITHSHME
Neni 4
Parimi i ligjshmërisë
1. Organet publike ushtrojnë veprimtarinë e tyre në përputhje me Kushtetutën e Republikës së
Shqipërisë, me marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara dhe legjislacionin e zbatueshëm në Republikën
e Shqipërisë, brenda kufijve të kompetencave të tyre dhe në përputhje me qëllimin për të cilin janë dhënë
këto kompetenca.
2. Të drejtat apo interesat e ligjshëm të një pale nuk mund të cenohen nga veprimi administrativ,
përveç se kur parashikohet nga ligji dhe duke respektuar një proces të rregullt ligjor.
Neni 5
Parimi i transparencës
Organet publike ushtrojnë veprimtarinë administrative në mënyrë transparente dhe në
bashkëpunim të ngushtë me personat fizikë dhe juridikë të përfshirë në të.
Neni 6
Parimi i informimit
1. Çdo person ka të drejtë të kërkojë informacion publik, që ka të bëjë me veprimtarinë e organit
publik, pa qenë i detyruar të shpjegojë motivet, në përputhje me legjislacionin në fuqi që rregullon të
drejtën e informimit.
2. Në rastet kur informacioni i kërkuar refuzohet, organi publik merr vendim të arsyetuar me
shkrim, i cili përmban edhe udhëzimet për ushtrimin e së drejtës për ankim dhe i njoftohet
menjëherë palëve në proces.
Neni 7
Parimi i mbrojtjes së sekretit shtetëror
Çdo nëpunës publik, si dhe çdo person që merr pjesë ose thirret për pjesëmarrje në një
procedurë administrative, është i detyruar të mos përhapë të dhëna që i janë bërë të ditura gjatë
procedurës administrative, kur ato përbëjnë “Sekret shtetëror”, sipas legjislacionit në fuqi.
Neni 8
Parimi i mbrojtjes së konfidencialitetit
Pjesëmarrësit në një procedurë administrativ kanë të drejtë të kërkojnë që të dhënat e tyre
personale dhe konfidenciale të trajtohen në për-puthje me legjislacionin në fuqi.
Neni 9
Parimi i mbrojtjes së të dhënave
1. Organi publik ka detyrimin që gjatë përpunimit të ligjshëm e të drejtë të të dhënave
personale, të të dhënave që lidhen me veprimtarinë tregtare ose profesionale, me të cilat njihet gjatë
procedurës administrative dhe që mbrohen sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave
personale, të ndërmarrë masa lidhur me mbrojtjen, ruajtjen, mospërhapjen, si dhe konfidencialitetin
e tyre.
2. Detyrimi për mbrojtjen, ruajtjen, mos-përhapjen, si dhe konfidencialitetin shtrihet edhe
mbi nëpunësin publik, gjatë edhe pas mbarimit të ushtrimit të detyrës.
Neni 10
Parimi i dhënies së ndihmës aktive
1. Organi publik siguron që të gjitha palët dhe persona të tjerë të përfshirë në procedurë të jenë në
gjendje të ndjekin dhe të mbrojnë të drejtat dhe interesat e tyre ligjorë në mënyrë sa më efektive dhe të
lehtë të jetë e mundur. Ai i informon palët mbi të drejtat dhe detyrimet e tyre, përfshirë të gjithë
informacionin e lidhur me procedurën dhe i paralajmëron ato për pasojat ligjore të veprimeve ose
mosveprimeve të tyre.
2. Organi publik promovon mundësinë e palës për të aksesuar autoritetin publik në mënyrë
elektronike. Kjo mundësi nuk është e lidhur me ndonjë detyrim të palës për të përdorur mjete të
komunikimit elektronik.
3. Organi publik, që zhvillon procedurën administrative, siguron që padija e palës të mos
përkeqësojë mbrojtjen e të drejtave dhe interesave që pala gëzon sipas ligjit.
Neni 11
Parimi i ushtrimit të ligjshëm të diskrecionit
Diskrecioni ushtrohet ligjërisht kur ai është në përputhje me kushtet e mëposhtme:
a) është i parashikuar me ligj;
b) nuk tejkalon kufijtë e ligjit;
c) zgjedhja e organit publik është bërë vetëm për të arritur objektivin për të cilin është lejuar
diskrecioni dhe është në përputhje me parimet e përgjithshme të këtij Kodi;dhe;
ç) zgjedhja nuk përbën një shmangie të pajustifikuar nga vendimet e mëparshme të marra nga i njëjti
organ në raste të njëjta apo të ngjashme.
Neni 12
Parimi i proporcionalitetit
1. Çdo veprim administrativ, i cili, për arsye të mbrojtjes së interesit publik ose të të drejtave të të
tjerëve, mund të kufizojë një të drejtë individuale, ose mund të cenojë interesa legjitimë, zhvillohet në
përputhje me parimin e proporcionalitetit.
2. Veprimi administrativ është në përputhje me parimin e proporcionalitetit vetëm kur ky veprim
është:
a) i nevojshëm për të arritur qëllimin e përcaktuar me ligj dhe e arrin atë me mjetet dhe masat që
cenojnë më pak të drejtat apo interesat legjitimë të palës;
b) i përshtatshëm për të arritur qëllimin e parashikuar në ligj; dhe
c) në përpjesëtim të drejtë me nevojën që e ka diktuar atë.
Neni 13
Parimi i drejtësisë dhe i paanësisë
Në ushtrimin e funksioneve të tij, organi publik trajton në mënyrë të drejtë dhe të paanshme të gjitha
subjektet me të cilat krijon marrëdhënie.
Neni 14
Parimi i objektivitetit
Gjatë ushtrimit të veprimtarisë administrative, organet publike marrin në konsideratë dhe i japin
rëndësinë e duhur të gjitha kushteve, të dhënave dhe provave që lidhen me procedurën admini-strative.
Neni 15
Parimi i përgjegjësisë
Organet publike dhe nëpunësit e tyre, kur kryejnë një procedurë administrative, mbajnë përgjegjësi
për dëmet që u shkaktojnë palëve, në përputhje me legjislacionin përkatës.
Neni 16
Parimi i marrjes së vendimeve
Në përputhje me dispozitat e këtij Kodi, një organ publik merr vendime për të gjitha çështjet e
ngritura nga një palë, të cilat janë në kompetencë të tij.
Neni 17
Parimi i barazisë dhe i mosdiskriminimit
1. Organi publik ushtron veprimtarinë e tij në përputhje me parimin e barazisë.
2. Palët, që janë në situata të njëjta objektive, trajtohen në të njëjtën mënyrë. Në raste të veçanta, kur
bëhet një trajtim i diferencuar, ky trajtim duhet të justifikohet vetëm nga karakteristikat objektive që
lidhen me rastin e veçantë.
3. Organi publik, gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij, shmang çdo diskriminim për shkak të gjinisë,
racës, ngjyrës, etnisë, shtetësisë, gjuhës, identitetit gjinor, orientimit seksual, bindjeve politike, fetare ose
filozofike, gjendjes ekonomike, arsimore ose shoqërore, shtatzënisë, përkatësisë prindërore, përgjegjësisë
prindërore, moshës, gjendjes familjare ose martesore, gjendjes civile, vendbanimit, gjendjes shëndetësore,
predispozicioneve gjenetike, aftësisë së kufizuar, përkatësisë në një grup të veçantë ose për çdo shkak
tjetër.
Neni 18
Parimi i deburokratizimit dhe i efiçencës
1. Procedura administrative nuk i nënshtrohet ndonjë forme të caktuar, me përjashtim të rasteve kur
parashikohet ndryshe nga ligji.
2. Procedura administrative zhvillohet sa më shpejt të jetë e mundur, por jo më vonë se afati kohor i
parashikuar me ligj për të, me sa më pak kosto për organin publik dhe për palët, në mënyrë që të arrihet
çfarë është e nevojshme për një rezultat të ligjshëm.
Neni 19
Parimi i mospagimit në procedurat administrative
1. Procedura administrative është pa pagesë, përveç rasteve kur ligji parashikon ndryshe.
2. Tarifa për zhvillimin e një procedure administrative nuk mund të jetë më e madhe se kostoja
mesatare e nevojshme për zhvillimin e procedurës, përveçse kur parashikohet ndryshe në ligj.
3. Organi publik që zhvillon procedurën nuk kërkon pagesën e tarifave edhe në rastet kur kjo
parashikohet me ligj, kur palët janë në pamundësi për të paguar. Kategoritë që janë në kushte
pamundësie përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 20
Gjuha dhe përkthimi në procedurën administrative
1. Përveçse kur parashikohet ndryshe me ligj, procedura administrative kryhet në gjuhën dhe
shkrimin shqip.
2. Nëse pala duhet të paraqesë një kërkesë brenda afatit dhe e bën këtë në një gjuhë të huaj, organi
publik e njofton palën për detyrimin për ta paraqitur kërkesën në gjuhën dhe shkrimin shqip. Nëse për
arsye teknike pala nuk është në gjendje të sigurojë përkthimin brenda datës së përfundimit të afatit të
rregullt për paraqitjen e kërkesës, organi publik cakton një afat shtesë të përshtatshëm, brenda të cilit
duhet të sigurohet një përkthim i kërkesës dhe dokumenteve të nevojshme.
3. Afati i parashikuar në pikën 2, të këtij neni, fjalia e parë konsiderohet se është respektuar vetëm
nëse organi publik merr përkthimin brenda afatit shtesë të caktuar dhe të njoftuar nga organi publik.
4. Nëse kërkesat, të cilat përcaktojnë fillimin e afatit, brenda të cilit organi publik duhet të veprojë,
merren në një gjuhë të huaj, afati fillon në datën kur organit publik i vihet në dispozicion një përkthim i
tyre.
5. Nëse organi publik nuk përcakton dhe nuk i njofton palës një afat shtesë për përkthimin dhe
pasojat ligjore, sipas fjalisë së dytë, të pikës 2, të këtij neni, kërkesa në gjuhë të huaj vlerësohet e paraqitur
brenda afatit.
Neni 21
Parimi i kontrollit
Veprimtaria administrative i nënshtrohet:
a) kontrollit administrativ, në përputhje me dispozitat e këtij Kodi mbi mjetet ligjore administrative
dhe legjislacionit në fuqi;
b) kontrollit të gjykatës, në përputhje me legjislacionin në fuqi; dhe/ose
c) çdo kontrolli tjetër, të parashikuar nga legjislacioni në fuqi.
PJESA E DYTË
JURIDIKSIONI, KOMPETENCA, DELEGIMI DHE ZËVENDËSIMI
KREU I
JURIDIKSIONI DHE KOMPETENCA
Neni 22
Përcaktimi i juridiksionit dhe kompetencës
1. Fusha e ushtrimit të veprimtarisë dhe tërësia e kompetencave të organeve publike, të rregulluara
nga legjislacioni në fuqi, përbën juridiksionin administrativ.
2. Kompetencat e organeve publike janë të përcaktuara me ligj, me akt nënligjor, si dhe veprimet
administrative të nxjerra në zbatim të tyre. Ushtrimi i tyre është i detyrueshëm.
3. Delegimi ose zëvendësimi i kompetencave mund të bëhet vetëm nëse:
a) parashikohet shprehimisht në ligj;
b) ligji parashikon organin ose nëpunësin zëvendësues ku bëhet delegimi ose zëvendësimi.
Neni 23
Verifikimi i kompetencës
1. Me fillimin e procedurës administrative, organi publik verifikon nëse ka apo jo kompetencë
lëndore dhe tokësore për të vendosur për çështjen objekt shqyrtimi.
2. Çdo ndryshim ligjor ose nënligjor i mëvonshëm i kompetencës nuk ka efekt, përveç rasteve kur
organi, në të cilin procedura ka nisur, nuk ekziston më, ose kur legjislacioni i ri parashikon ndryshe.
Neni 24
Mungesa e kompetencës
1. Kur një organ publik merr një kërkesë, për një çështje që e vlerëson jashtë kompetencës të vet, ia
përcjell kërkesën menjëherë, dhe në çdo rast jo më vonë se dy ditë nga marrja e saj, organit publik
kompetent dhe njofton kërkuesin për këtë.
2. Afatet për kërkuesin vlerësohen të respektuara nëse kërkesa është paraqitur në kohë pranë organit
jokompetent, ndërsa afatet përkatëse për organin publik kompetent fillojnë të llogariten nga data e
marrjes së kërkesës.
3. Palët nuk mund të përcaktojnë apo të ndryshojnë, me marrëveshje, kompetencën e organit publik.
Neni 25
Ndalimi i heqjes dorë nga kompetenca
1. Çdo veprim administrativ, që ka për qëllim heqjen dorë të organit publik nga e drejta për të
ushtruar kompetencat ligjore, është i pavlefshëm.
2. Detyrimi për ushtrimin e kompetencave lëndore dhe tokësore dhe parashikimi i pikës 1, të
këtij neni, nuk përjashtojnë të drejtën e organit publik për të deleguar kompetencën e tij ligjore në favor
të organeve të tjera të administratës, sipas procedurave të parashikuara në këtë Kod.
Neni 26
Kompetenca në rastet urgjente
Nëse organi publik kompetent nuk mund të veprojë apo të veprojë menjëherë për shmangien e një
dëmi të rëndë dhe të pariparueshëm që mund t’i shkaktohet interesit publik apo të drejtave a interesave të
të tretëve, prefekti në nivel vendor dhe Kryeministri në nivel qendror, kryesisht apo me kërkesë, marrin
masa urgjente për shmangien e dëmit. Në këto raste, informohet menjëherë organi publik kompetent për
masat e marra.
Neni 27
Mosmarrëveshjet e kompetencave
1. Përveçse kur parashikohet ndryshe me ligj, konkurrimi i kompetencave ndërmjet dy ose më shumë
organeve publike zgjidhet me marrëveshje me shkrim midis tyre.
2. Në rast se ato nuk arrijnë në një marrëveshje, konflikti zgjidhet nga:
a) Kryeministri, në rast të konfliktit ndërmjet ministrive të ndryshme;
b) ministri ose titullari i institucionit qendror ose epror, për institucionet e varësisë;
c) gjykata administrative, për të gjitha rastet e tjera, për të cilat ajo është kompetente.
3. Zgjidhja e konfliktit mund të kërkohet nga secili prej organeve të përfshira, me marrjen dijeni të
konfliktit.
4. Konflikti sipas shkronjave “a” dhe “b”, të pikës 2, të këtij neni, zgjidhet brenda 10 ditëve nga dita e
depozitimit të kërkesës.
KREU II
DELEGIMI I KOMPETENCAVE DHE ZËVENDËSIMI I TYRE
Neni 28
Delegimi i kompetencave
1. Organet publike kompetente mund të delegojnë kompetencat e tyre ligjore te një organ tjetër
publik.
2. Organet publike kompetente mund të delegojnë kompetencat e dhëna me ligj ose me akte
nënligjore tek organet e tyre vartëse.
3. Organet kolegjiale të administratës publike nuk mund t’i delegojnë kompetencat e tyre në favor të
drejtuesve të tyre.
4. Organi i deleguar ndalohet të nëndelegojë te një organ i tretë kompetencat e përfituara përmes
delegimit.
5. Çdo vendim i organit delegues, që ka për qëllim autorizimin e organit të deleguar për të
nëndeleguar kompetencat e nëndeleguara, është i pavlefshëm.
Neni 29
Procedura e delegimit
1. Kur ligji e lejon, delegimi i kompetencave bëhet në çdo rast me vendim të organit delegues për
organet në varësi të tij dhe me vendim ose me marrëveshje në ato raste kur organi i deleguar nuk është në
varësi të organit delegues.
2. Në aktin e delegimit përcaktohen:
a) kompetencat e deleguara;
b) financimi i detyrave të deleguara;
c) institucioni i ngarkuar me mbikëqyrjen, si dhe objekti e instrumentet e mbikëqyrjes;
ç) kriteret e ndërprerjes dhe mekanizmat për kryerjen e detyrave të deleguara, në rast të ndërprerjes së
delegimit;
d) datën e fillimit të ushtrimit kompetencave të deleguara.
3. Delegimi i kompetencave botohet në Fletoren Zyrtare ose në buletinet e njoftimeve publike. Në
rastet e organeve të qeverisjes vendore, delegimi botohet në gazetën e njësisë së qeverisjes vendore apo
në buletinet zyrtare të akteve të njësive të qeverisjes vendore dhe, kur nuk ekziston një i tillë, njoftimi
përkatës afishohet në vende publike.
PJESA E TRETË
GARANTIMI I PAANSHMËRISË SË ADMINISTRATËS PUBLIKE
Neni 30
Pengesat ligjore
Nëpunësi publik ose anëtari i organit kolegjial nuk përfshihet në një procedurë administrative
vendimmarrës, në rastet kur:
a) ka një interes personal të drejtpërdrejtë ose jo të drejtpërdrejtë në vendimmarrjen në shqyrtim;
b) bashkëshorti, bashkëjetuesi ose të afërmit e tij deri në shkallë të dytë kanë një interes të
drejtpërdrejtë ose jo të drejtpërdrejtë në vendimmarrjen në shqyrtim;
c) nëpunësi publik, ose anëtari i organit kolegjial ose edhe personat e parashikuar në shkronjën
“b”, të këtij neni, kanë një interes të drejtpërdrejtë ose jo të drejtpërdrejtë në një çështje objektivisht të
njëjtë dhe me të njëjtat rrethana ligjore me çështjen në shqyrtim;
ç) nëpunësi publik ose anëtari i organit kolegjial ka marrë pjesë si ekspert, këshilltar, përfaqësues
ose avokat privat në çështjen në shqyrtim;
d) personat e përmendur në shkronjën “b”, të këtij neni, kanë marrë pjesë si ekspertë
përfaqësues, këshilltarë apo avokatë në çështjen në shqyrtim;
dh) ndaj nëpunësit publik ose personave të parashikuar në shkronjën “b”, të këtij neni, ka nisur
një proces gjyqësor nga palët në procedurën administrative në shqyrtim;
e) çështja në shqyrtim është një ankim kundër një vendimi të marrë nga nëpunësi publik ose nga
personat e parashikuar në shkronjën “b” të këtij neni;
ë) nëpunësi publik ose anëtari i organit kolegjial ose personat e përmendur në shkronjën “b”, të
këtij neni, janë debitorë ose kreditorë të palëve të interesuara në procedurën administrative në shqyrtim;
f) nëpunësi publik ose anëtari i organit kolegjial ose personat e përmendur në shkronjën “b”, të
këtij neni, kanë marrë dhurata nga palët përpara ose pas fillimit të procedurës administrative shqyrtim;
g) nëpunësi publik ose anëtari i organit kolegjial ose personat e përmendur në shkronjën “b”, të këtij,
neni kanë marrëdhënie të tilla, të cilat vlerësohen sipas rrethanave konkrete se do të përbënin arsye
serioze për njëanshmëri me palët në procedurën administrative në shqyrtim;
gj) nëpunësi publik ose anëtari i organit kolegjial ose personat e përmendur në shkronjën “b”, të
këtij neni, janë përfshirë në çdo lloj mënyre në:
i) negocime të mundshme për punësim në të ardhmen nga ana e nëpunësit apo personave të
përmendur në shkronjën “b”, të këtij neni, gjatë ushtrimit të funksionit apo negocime për çdo lloj forme
tjetër marrëdhëniesh me interes privat, pas lënies së detyrës, të kryera nga ai gjatë ushtrimit të detyrës;
ii) angazhime në veprimtari private me qëllim fitimi ose çdo lloj veprimtarie që krijon të ardhura,
si dhe angazhime në organizata fitimprurëse dhe jofitimprurëse, sindikata ose organizata profe-sionale,
politike, shtetërore dhe çdo organizatë tjetër;
h) në çdo rast kur parashikohet nga legjislacioni në fuqi.
Neni 31
Vetëdeklarimi i pengesave ligjore dhe kërkesa për përjashtim
1. Nëse nëpunësi publik ose anëtari i organit kolegjial të organit publik vëren një nga pengesat e
parashikuara në nenin 30, të këtij Kodi, ai njofton menjëherë me shkrim eprorin e tij ose organin
kolegjial.
2. Çdo nëpunës tjetër, i cili ka dijeni mbi rastet e konfliktit të interesit, në përputhje me nenin 30,
të këtij Kodi, njofton në përputhje me pikën 1 të këtij neni.
3. Pala mund të kërkojë përjashtimin e pjesëmarrjes së një nëpunësi apo të një anëtari të organit
kolegjial nga një procedurë administrative, deri në kohën e marrjes së vendimit, duke parashtruar arsyet
për të cilat kërkohet përjashtimi nga vendimmarrja. Kërkesa bëhet me shkrim, i drejtohet eprorit dhe
përmban të gjitha provat e mundshme në të cilat ajo mbështetet.
4. Në çdo rast, deri në marrjen nga eprori të një vendimi përfundimtar, nëpunësi pezullohet nga
procesi vendimmarrës.
Neni 32
Vendimmarrja dhe efektet e përjashtimit
1. Eprori ose organi kolegjial, i njoftuar sipas nenit 31, të këtij Kodi, merr vendim për
përjashtimin ose konfirmimin e nëpunësit, brenda 5 ditëve nga marrja e njoftimit ose kërkesës së palëve.
2. Kur eprori vendos përjashtimin e nëpunësit, në vendimin e përjashtimit caktohet edhe
nëpunësi zëvendësues. Nëse organi kolegjial përjashton një anëtar dhe ligji nuk parashikon anëtarë
zëvendësues, procedura administrative vazhdon pa zëvendësuar anëtarin e përjashtuar.
3. Kur, për shkak të ligjit apo për shkak të situatës konkrete, vërtetohet se është i pamundur
zëvendësimi i një zyrtari me një zyrtar tjetër, lejohet vendimmarrja nga nëpunësi publik.
4. Në rastet e përjashtimit dhe pamundësisë së zëvendësimit, organi funksionon si i tillë pa
pjesëmarrjen e anëtarit të përjashtuar.
PJESA E KATËRT
PROCEDURA ADMINISTRATIVE
KREU I
PJESËMARRJA NË PROCEDURËN ADMINISTRATIVE
Neni 33
Pala në procedurën administrative
1. Palë në procedurën administrative, përveç sa parashikohet në nenin 3, të këtij Kodi, është çdo
person:
a) me kërkesë të të cilit ka filluar procedura administrative;
b) ndaj të cilit ka filluar procedura admini-strative, ose të cilit i drejtohet apo synohet t’i drejtohet
vendimi i procedurës administrative; ose
c) me të cilin organi publik synon të lidhë apo ka lidhur një kontratë administrative.
2. Në procedurën administrative janë gjithashtu palë edhe mbajtësit e interesave publikë të autorizuar
me ligj, si dhe mbajtësit e interesave kolektivë apo interesave të gjerë të publikut, nëse këta interesa mund
të cenohen nga rezultati i procedurës administrative.
3. Organi publik që zhvillon procedurën administrative, me kërkesë apo kryesisht, përfshin si palë në
procedurë çdo person tjetër, të përcaktuar ose lehtësisht të përcaktueshëm, të ndryshëm nga ato të
parashikuara në pikat 1 dhe 2, të këtij neni, të cilin, rezultati i procedurës administrative mund ta cenojë
në të drejtat apo interesat e tij të ligjshëm.
Neni 34
Zotësia për të vepruar në procedurën administrative
1. Një organ publik, palë në një procedurë administrative, vepron nëpërmjet përfaqësuesit ligjor të
përcaktuar sipas ligjit ose titullarit të institucionit, kur nuk ka përfaqësues ligjor të caktuar.
2. Zotësia për të vepruar, në një procedurë administrative, e personave të tjerë rregullohet sipas
legjislacionit në fuqi.
Neni 35
Përfaqësimi i palës
1. Pala mund t’i kryejë të gjitha veprimet procedurale personalisht ose nëpërmjet përfaqësuesit,
në përputhje me parashikimet e këtij Kodi.
2. Në rastin kur pala vepron e përfaqësuar, organi publik kryen veprimet procedurale me
përfaqësuesin.
3. Organi publik mund të kërkojë kryerjen e një ose disa veprimeve procedurale drejtpërdrejt nga
pala, në rastet kur parashikohet shprehimisht nga ligji. Në këtë rast, organi publik njofton edhe
përfaqësuesin.
Neni 36
Përfaqësuesi i caktuar kryesisht
1. Organi publik, që kryen procedurën, e pezullon procedurën dhe i kërkon autoritetit
kompetent sipas ligjit, caktimin e përfaqësuesit ligjor ose përkatësisht zëvendësimin e tij, kur
konstaton se palës që nuk ka zotësi të plotë për të vepruar ose ka zotësi të kufizuar për të vepruar
nuk i është caktuar ende përfaqësuesi ligjor ose ai ka konflikt interesash me të përfaqësuarin.
2. Në rastin e parashikuar në pikën 1, të këtij neni, nëse është urgjente dhe nëse e kërkon
interesi i palës, organi publik cakton një përfaqësues të përkohshëm për kryerjen e një veprimi të
caktuar procedural, ose deri në caktimin apo zëvendësimin e përfaqësuesit ligjor.
3. Organi publik, që kryen procedurën administrative, mund të caktojë një përfaqësues sipas
parashikimeve të pikës 2, të këtij neni, edhe kur:
a) identiteti i palës është i panjohur;
b) megjithëse identiteti i palës njihet, është i pamundur njoftimi i saj;
c) pala është në pamundësi objektive për të ndjekur interesat e vet dhe nuk ka zgjedhur një
përfaqësues;
ç) pala nuk ka vendqëndrim në Shqipëri dhe nuk ka zgjedhur një përfaqësues brenda afatit të
dhënë nga organi publik.
4. Organi publik njofton menjëherë palën për caktimin e përfaqësuesit. Në rastet e
parashikuara në shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 3, të këtij neni, organi publik njofton caktimin e
përfaqësuesit nëpërmjet njoftimit publik, sipas parashikimeve të këtij Kodi.
5. Përfaqësuesi i caktuar kryesisht, sipas pikave 2 dhe 3 të këtij neni, merr pjesë dhe e përfaqëson
palën në gjithë procedurën administrative, ose vetëm në veprimin procedural për të cilin është caktuar,
deri në paraqitjen e palës apo të përfaqësuesit të zgjedhur prej saj.
Për më shumë shfletoni -> Kodi Proçedurës Administrative
-
11 Nëntor 2018
Kushtetuta
Neni 60
1. Avokati i Popullit mbron të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshëm të individit nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme e të parregullta të organeve të administratës publike.
2. Avokati i Popullit është i pavarur në ushtrimin e detyrës së tij.
3. Avokati i Popullit ka buxhet të veçantë, të cilin e administron vetë. Ai e propozon buxhetin sipas ligjit.
Neni 61
Avokati i Popullit zgjidhet nga tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit për një periudhë prej 5 vjetësh, me të drejtë rizgjedhjeje.
2. Avokati i Popullit mund të jetë çdo shtetas shqiptar, me arsim të lartë, me njohuri dhe veprimtari të njohura në fushën e të drejtave të njeriut dhe të ligjit.
3. Avokati i Popullit gëzon imunitetin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë.
4. Avokati i Popullit nuk mund të bëjë pjesë në asnjë parti politike, nuk mund të kryejë veprimtari tjetër politike, shtetërore ose profesionale dhe as të marrë pjesë në organizmat drejtues të organizatave shoqërore, ekonomike dhe tregtare.
Neni 62
1. Avokati i Popullit mund të shkarkohet vetëm me kërkesë të motivuar të jo më pak se një së tretës së deputetëve.
2. Në këtë rast Kuvendi vendos me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të tij.
Neni 63
1. Avokati i Popullit paraqet raport vjetor përpara Kuvendit.
2. Avokati i Popullit raporton përpara Kuvendit kur i kërkohet prej këtij, si dhe 18 mund t’i kërkojë Kuvendit të dëgjohet për çështje që ai i çmon të rëndësishme.
3. Avokati i Popullit ka të drejtë të bëjë rekomandime dhe të propozojë masa kur vëren shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut nga administrata publike.
4. Organet dhe funksionarët publikë janë të detyruar t’i paraqesin Avokatit të Popullit të gjitha dokumentet dhe informacionet e kërkuara prej tij.
Neni 134
1. Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje me kërkesë të:
a) Presidentit të Republikës;
b) Kryeministrit;
c) jo më pak se një të pestës së deputetëve;
ç) Avokatit të Popullit;
d) Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit;
dh) çdo gjykate, sipas nenit 145, pika 2, të kësaj Kushtetute;
e) çdo komisioneri të krijuar me ligj për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara nga Kushtetuta;
ë) Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë;
f) organeve të qeverisjes vendore;
g) organeve të bashkësive fetare;
gj) partive politike;
h) organizatave;
i) individëve.
2. Subjektet e parashikuara nga nënparagrafët “d”, “dh”, “e”, “ë”, “f”, “g”, “gj”, “h” dhe “i”, të paragrafit 1, të këtij neni, mund të bëjnë kërkesë vetëm për çështje që lidhen me interesat e tyre.
-
10 Nëntor 2018
Kodi I Sjelljes Së Mirë Administrative
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi
Kodi i sjelljes së mirë administrative ka për qëllim të përcaktojë rregullat e sjelljes dhe etikës, profesionale, si dhe të garantojë respektimin e tyre nga punonjësit e Institucionit të Avokatit të Popullit, me qëllim plotësimin e detyrimeve të tyre në shërbim të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të individeve.
Neni 2
Perkufizime
Në këtë Kod termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
- “Institucion”, është institucioni i Avokatit të Popullit.
- “punonjës” është “nëpunësi civil”, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për nëpunësit civilë, apo çdo punonjës tjetër marrëdhëniet e punës të të cilit janë të rregulluara sipas Kodit të Punës të RSh.
- “epror”, është eprori direkt sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për nëpunësit civilë.
Neni 3
Fusha e zbatimit personal
- Dispozita e Kodit të sjelljes së mirë administrative zbatohen në:
- të gjithë punonjësit, tek të cilët zbatohet Rregullorja e Brendshme e Institucionit;
- personat e tjerë që punojnë me Institucionin, sipas kontratave që kanë nënshkruar me të për përmbushjen e një shërbimi të caktuar;
- ekspertet të angazhuar nga Institucioni, sipas përcaktimeve ligjore në fuqi, me detyra të veçanta për çështje konkrete, si dhe
- stazhierët.
Neni 4
Fusha e zbatimit material
Kodi i sjelljes së mirë administrative, përcakton parimet e përgjithshme të sjelljes së mirë administrative që zbatohen për gjithë marrëdhëniet e Institucionit dhe punonjësve të tij me publikun, si dhe për marrëdhëniet midis institucionit dhe punonjësve të tij, nëse ato nuk rregullohen nga një legjislacion i posaçëm.
Neni 5
Etika dhe sjellja etike
- Etika ndihmon punonjësit e Institucionit të përcaktojnë rolin dhe përgjegjësitë, si në lidhje me vetveten, ankuesit/kërkuesit, kolegët, partnerët, punonjësit e institucioneve të tjera të administratës publike apo personave të tretë të lidhur me ta, apo me institucionin ku punoni.
- Në Institucionin e Avokatit të Popullit, etikë do të thotë që çdo punonjës duhet të
- përkrahë, si formalisht, ashtu edhe shpirtërisht, frymën që përçojnë parimet, ligjet, aktet nënligjore, rregullat dhe udhëzimet që zbatohen në Institucion;
- nxisë përgjegjshmërinë ndaj vetes, eprorëve dhe publikut;
- eliminojë, mungesën e respektit ndaj të tjerëve, padrejtësitë dhe pandershmëritë;
- mos jetë indiferent kur duhet të përballet me probleme etike;
- inkurajojë dialogun, diskutimet e hapura dhe pa paragjykim;
- respektojë standardet bazë të sjelljes si brenda, ashtu dhe jashtë mjedisit të Institucionit;
- jetë modest lidhur me atë që mund të përmirësohet dhe mënyrën se si mund të bëhet ajo.
- Sjellja etike, kërkon që të gjithë punonjësit e Institucionit të bëjne zgjedhje të ndërgjegjshme, të marrin vendime po të tilla, si edhe të kenë gjykim të shëndoshë në përputhje me vlerat dhe parimet etike që përcaktohen në këtë Kod.
KREU II
PARIMET E PËRGJITHSHME TË SJELLJES ETIKE
Neni 6
Ligjshmëria
- Punonjësit e Institucionit të cilët kanë statusin e nëpunësit civil, duhet të zbatojnë me korrektësi të gjitha rregullat dhe procedurat që rrjedhin nga legjislacioni për nëpunësit civil, si dhe legjislacioni në fuqi.
- Punonjësit e Institucionit të cilët nuk janë nëpunës civilë, duhet të përmbushin të gjitha detyrimet që rrjedhin nga Kodi i Punës dhe aktet nënligjore në zbatim të tij, si dhe rregullat dhe procedurat e legjislacionit në fuqi.
- Të gjithë punonjësit e Institucionit duhet të zbatojnë me korrektësi legjislacionin në fuqi që rregullon veprimtarinë e Avokatit të Popullit, përfshirë edhe Rregulloren e Brendshme të Institucionit.
- Punonjësi i Institucionit veçanërisht kujdeset që vendimet të cilat prekin të drejtat apo interesat e individëve, të kenë bazë ligjore dhe përmbajtja e tyre të jetë në respekt të ligjit.
Neni 7
Mosdiskriminimi
- Në trajtimin e ankesave/kërkesave si dhe në marrjen e vendimeve, punonjësi duhet të sigurojë respektimin e parimit të barazisë së trajtimit. Subjektet që janë në të njejtën situatë trajtohen në të njejtën mënyrë.
- Nëse bëhet ndonjë diferencim në trajtim, punonjësi duhet të sigurojë që kjo të justifikohet nga një veçori përkatëse objektive e një rasti të veçantë.
- Punonjësi duhet të shmangë çdo diskriminim të pajustifikuar midis subjekteve ankuese/kërkuese bazuar në, kombësi, gjini, racë, etnicitet apo origjinën shoqërore, veçoritë genetike, gjuhën, fenë apo besimin, mendimin politik apo tjetër, anëtarësimin në një minoritet kombëtar, pronësinë, lindjen, paaftësinë fizike,moshën apo orientimin seksual.
Neni 8
Proporcionaliteti
- Punonjësi i Institucionit gjatë ushtrimit të detyrës së tij, duhet të sigurojë që masat e marra të jenë proporcionale për arritjen e qëllimit. Punonjësi duhet veçanërisht të shmangë kufizimin e të drejtave të qytetarëve apo vendosjen e detyrimeve mbi ta, kur këto kufizime apo detyrime nuk kanë lidhje të arsyeshme me qëllimin e veprimit të ndjekur.
- Punonësi me veprimet e tij duhet të respektojë balancën e drejtë midis interesave të personave privatë dhe interesit të publikut.
Neni 9
Mosabuzimi me pushtetin
Punonjësi i Institucionit, duhet të ushtrojë pushtetin vetëm për qëllimet për të cilat ai i është dhënë nga dispozitat përkatëse. Ai duhet të shmangë përdorimin e këtyre pushteteve për qëllime të cilat nuk kanë bazë ligjore, apo nuk janë të motivuara nga ndonjë interes publik.
Neni 10
Paanshmëria, ndershmëria dhe pavarësia
- Punonjësi i Institucionit duhet të jetë i paanshëm, i drejtë, i arsyeshëm dhe i pavarur. Ai duhet të shmangë, çdo veprim apo mosveprim arbitrar apo çdo trajtim preferencial, që prek negativisht publikun, është në dëm të interesave të një personi, organi të administratës publike, organizate, apo që cënon të drejtat dhe interesat e ligjshme të personave të tretë.
- Sjellja e punonjësit të Institucionit nuk duhet të udhëhiqet nga interesat personale, familjare, kombëtare apo nga presioni politik. Ai nuk duhet të marrë pjesë në asnjë vendim ku ai/ajo apo ndonjë anëtar i afërt i familjes së tij/saj, ka interesa, përfshirë edhe interesat financiare.
Neni 11
Objektiviteti
Punonjësi i Instituciont gjatë procesit të punës, duhet të marrë në konsideratë faktorët përkatës dhe t’i japë secilit prej tyre peshën e duhur në qëndrimin përfundimtar, duke përjashtuar çdo element qe nuk i përgjigjet procesit konkret të punës.
Neni 12
Pritshmëritë legjitime, qëndrueshmëria dhe këshilla
- Punonjësi i Institucionit duhet të jetë i qëndrueshëem në sjelljen e tij administrative sikurse dhe me veprimet administrative të Institucionit. Ai duhet të ndjekë praktikat administrative normale të Institucionit, nëse nuk ka arsye ligjore për t’u shmangur nga këto praktika në një rast individual, dhe nëse ka arsye të tilla ligjore, ato duhet të jepen me shkrim prej tij.
- Punonjësi i Institucionit duhet të respektojë pritshmëritë e arsyeshme dhe legjitime që ankuesit/kërkuesit kanë, bazuar në mënyrën se si ka vepruar Institucioni në të shkuarën në raste të të njëjtës situatë.
- Punonjesi i institucionit, kur është e nevojshme, duhet të këshillojë ankuesin/këkruesin se si një çështje e shtruar përpara atij/asaj ndiqet, dhe si të procedohet me trajtimin e kësaj çështjeje.
Neni 13
Mirësjellja
- Punonjësi i Institucionit duhet të jetë mëndje hapur, korrekt, i sjellshëm dhe i aksesueshëm në raport me publikun. Kur i përgjigjet korrespondencës, thirrjeve telefonike dhe postës elektronike, punonjësi duhet të përpiqet të jetë sa më ndihmues dhe t’i jape përgjigje pyetjeve që i janë bërë në mënyrë sa më të plotë e të saktë që të mundet.
- Nëse punonjësi nuk është përgjegjës për çështjen në fjalë, ai duhet të drejtojë individin/subjektin në zyrën përkatëse.
- Nëse ndodh një gabim që dëmton të drejtat apo interesat e ankuesit/kërkuesit, punonjësi duhet të kërkojë ndjesë për këtë gjë dhe të përpiqet të korrigjojë efektet negative të rezultuara nga gabimi i tij/saj në mënyrën më të përshtatshme, si dhe të informojë atë për çdo të drejtë apelimi.
KREU III
NORMA ETIKE QË DUHET TË ZBATOHEN GJATË PROCESIT TË PRITJES, SHQYRTIMIT, VERIFIKIMIT ZGJIDHJES SË ANKESAVE/ KËRKESAVE APO NJOFTIMEVE
Neni 14
Pritja dhe sqarimi i ankuesve/kërkuesve
- Çdo punonjës i Institucionit, dhe veçanërisht ai i pritjes dhe shërbimit të popullit, informimit dhe marrëdhënieve me publikun, është i detyruar të presë çdo person që i drejtohet këtij Institucioni në mënyrë të kulturuar, me mirësjellje, me durim, dhe t’i shpjegojë atij ligjin dhe rregullat e punës të Institucionit.
- Çdo punonjës i institucionit, në takimet që zhvillon me individët që i drejtohen Avokatit të Popullit, apo me individët që janë subjekte të çështjeve që ndiqen prej tij, duhet të sillet gjithnjë në mënyrë të tillë, që besimi i publikut në ndershmërinë, paanshmërinë dhe efektivitetin e shërbimit publik të ruhet dhe të rritet në një shkallë më të lartë.
- Kur për ankesën, kërkesën apo njoftimin është vendosur sipas ligjit që të bëhet hetim i pavarur, punonjësi i institucionit sqaron me shkrim subjektin përkatës të interesuar për veprimet që do të kryhen.
- Punonjësi i Institucionit u përgjigjet ankesave dhe kërkesave të individëve apo subjekteve të tjera të interesuara, edhe kur ata nuk kanë të drejtë, me etikë profesionale dhe në mënyrë të tillë që të ruajë dhe respektojë dinjitetin dhe personalitetin e ankuesit/kërkuesit.
Neni 15
E drejta e mbrojtjes
Punonjësi i Institucionit, duhet t’i shpjegojë individit/subjektit të interesuar të drejtat dhe mënyrat se si ai mund t’i mbrojë ato, por ata nuk mund të kryejnë funksionin e një avokati privat. Ata nuk mund të veprojnë në asnjë rast si përfaqësues të një çështjeje në organet gjyqësore apo administrative për llogari të të tretëve.
Neni 16
Kufizimi i arsyeshëm në kohë për marrjen e qëndrimeve
- Punonjësi i Institucionit duhet të sigurojë që qëndrimi për çdo ankesë/kërkesë drejtuar Institucionit të merret brenda një kohe të kufizuar në mënyrë të arsyeshme dhe pa vonesë, sipas përcaktimit në Rregulloren e Brendshme të Institucionit.
- Rregulli i përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, zbatohet edhe për përgjigje të letrave që vijnë nga ankues/kërkues, apo përgjigjet për shkresat administrative, të cilat punonjësi i ka çuar tek eprorët e tij me kërkesën për udhëzime për vendimmarrjen.
- Nëse për një ankesë/kërkesë drejtuar Institucionit, për shkak të kompleksitetit të çështjeve që ajo ngre, nuk mund të merret qëndrim brenda kohës kufi, punonjësi duhet të njoftojë ankuesin/kërkuesin sa më shpejt të mundet. Në këtë rast, qëndrimi përfundimtar duhet t’i njoftohet autorit në kohën më të shkurtër.
Neni 17
Mbrojtja e të dhënave personale
- Punonjësi i Insitucionit i cili gjatë ushtrimit të detyrave të tij, ka fituar ose ka njohuri mbi të dhëna personale të individëve/subjekteve, i nënshtrohet detyrimit për ruajtjen e konfidenacialitetit mbi to, sipas përcaktimeve të Ligjit Nr. 9887, datë 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.
- Punonjësi duhet veçanërisht të shmangë përpunimin e të dhënave personale për qëllime jolegjitime, apo transmetimin e të dhënave të tilla tek persona të paautorizuar.
Neni 18
Konfidencialiteti
- Punonjësi i Institucionit, ruan konfidencialitetin e informacionit që ka në zoterim gjatë ushtrimit të detyrës së tij, apo gjatë aktivitetit në Institucion, takime pune etj, por pa cënuar zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga Ligji nr.8503 datë 30.06.1999 “Për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare”.
Neni 19
Kontaktet me organet e administratës publike
Punonjësi i Institucionit të Avokatit të Popullit, duhet të respektojë rregullat e etikës të përcaktuara në këtë Kod, në çdo rast kur kontakton me organe të administratës publike dhe punonjës të saj. Në këto kontakte ai duhet paraprakisht të bëjë prezantimin zyrtar nëpërmjet kartës identifikuese të Institucionit, të shpjegojë qëllimin e kontaktit, si dhe të shmangë çdo shfaqje të arrogancës apo presionit ndaj organit të administratës publike.
Neni 20
Marrja e informacionit/dokumentacionit, hyrja në zyra, ambjente te administratës publike
- Punonjësi i Institucionit të Avokatit të Popullit, gjatë ushtrimit të detyrës, kërkon informacion, hyn në zyra, ambjente etj, apo kontrollon dokumente, që kanë lidhje me ankesën/kërkesën apo njoftimin, vetëm kur ai është autorizuar të veprojë në këtë mënyrë, në varësi të rastit që ndjek.
- Karta e identifikimit e Institucionit duhet të përdoret vetëm kur punonjësi është në detyrë e për shkak të detyrës.
KREU IV
INFORMIMI DHE AKSESI NE DOKUMENTACION
Neni 21
Kërkesa për informacion
- Punonjësi i Institucionit që ka përgjegjësi për çështjen në fjalë, i jep individëve/subjekteve informacionin që ata kërkojnë. Nëse ai e vlerëson si të përshtatshme, duhet të japë atyre këshilla se si të fillojnë një procedurë administrative brenda fushës së tij të kompetencës. Punonjësi duhet të kujdeset që informacioni i komunikuar të jetë i qartë dhe i kuptueshëm.
- Nëse një kërkesë verbale për informacion është shumë e komplikuar apo shumë e gjerë për tu trajtuar, punonjësi duhet të këshillojë individin/subjektin të formulojë kërkesën e tij me shkrim.
- Nëse, për shkak të konfidencialitetit, një punonjës nuk mund të zbulojë informacionin e kërkuar, ai/ajo duhet që në përputhje me Nenin 23 të këtij Kodi, t’i tregojë personit të interesuar arsyen përse ai nuk mundet ta komunikojë informacionin.
- Për kërkesat për informacion, lidhur me çështje që punonjësi nuk i ka në trajtim dhe për kompetencë, ai duhet të drejtojë kërkuesin tek personi kompetent duke i treguar emrin dhe numrin e tij të telefonit. Për kërkesat për informacion që lidhen me një tjetër institucion apo organ të administratës publike, punonjësi duhet ta drejtojë kërkuesin tek institucioni apo organi përkatës.
- Kur është e përshtatshme, punonjësi i Institucionit, në varësi të subjektit të kërkesës, duhet të drejtojë personin që kërkon informacionin tek shërbimi i Institucionit, përgjegjës për dhënien e informacionit publikut.
Neni 22
Kërkesat për akses publik të dokumentave
- Punonjësi duhet të trajtojë kërkesat për akses në dokumenta, në përputhje me rregullat e miratuara nga Institucioni dhe me parimet e përgjithshme dhe kufizimet e përcaktuara në legjislacionin në fuqi.
- Nëse punonjësi nuk mund të veprojë në përputhje me kërkesën e bërë gojarisht për akses në dokumenta, individi/subjekti duhet të këshillohet të formulojë kërkesën e tij me shkrim.
Neni 23
Mbajtja e regjistrimeve të sakta
Punonjësit e Institucionit, të ngarkuar për regjistrimin e ankesave/kërkesave, korespondencave lidhur me to, duhet të mbajnë regjistrim të saktë për postën që hyn dhe del në Institucion, si dhe për dokumentat që dorezohen.
Neni 24
Publikimi i Kodit
Struktura e Marrëdhënieve me Publikun dhe struktura e pritjes së popullit, duhet të informojnë në vazhdimësi publikun mbi të drejtat që ata gëzojnë sipas këtij Kodi.
KREU V
RREGULLA DHE SHKELJE TË VEÇANTA
Neni 25
Ushtrimi i detyrës pavarësisht vështirësive/presioneve
- Punonjësi i Institucionit të Avokatit të Popullit në ushtrimin e detyrës së tij nuk duhet të tërhiqet nga vështirësitë dhe presionet që mund të lindin nga hetimi ose verifikimi i ankesave, kërkesave ose njoftimeve, si kur bëhen nga përfaqësues të administrates publike, ashtu dhe nga individë/subjekte të veçantë publikë ose privatë.
- Në rastet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni, punonjësi ka detyrimin të njoftojë eprorin direkt dhe të veprojë sipas porosive të tij. Në çdo rast eprori direkt njofton me shkrim edhe Avokatin e Popullit.
Neni 26
Dhuratat, favoret apo përfitimet e tjera
- Ndalohet kërkimi ose marrja nga punonjësi i Institucionit i dhuratave, favoreve, çfarëdo përfitimi tjetër ose shmangie të humbjeve të mundshme, si dhe premtime për to, për veten, familjen, të afërmit, personat ose organizatat me të cilët ka marrëdhënie, që ndikojnë ose duket sikur ndikojnë në paanësinë e kryerjes së detyrës, apo janë ose duket sikur janë shpërblim për kryerjen e detyrës zyrtare.
- Në çdo rast, kur persona të ndryshëm tentojnë të korruptojnë një punonjës të Institucionit me të holla, objekte ose me mënyra të tjera, ai duhet të njoftojë menjëherë eprorin e tij të drejtpërdrejtë dhe ky i fundit Avokatin e Popullit.
- Nëse një punonjës i Institucionit ka marre dijeni për korruptimin ose tentativën për të korruptuar një punonjës tjetër të institucionit, atëherë ai duhet të njoftojë menjëherë eprorin e tij të drejtpërdrejtë dhe ky i fundit Avokatin e Popullit.
- Punonjësi i Institucionit nuk duhet, të shpërdorojë postin zyrtar duke u bërë favore apo privilegje ankuesve/kërkuesve kur këta nuk kanë të drejtë, apo të mbulojë veprimet e paligjshme apo të parregullta të nëpunësve publikë.
- Punonjësit të Institucionit i ndalohet të bëjë premtime private në emër të Institucionit, personave me të cilët njihet ose lidhet nëpërmjet ose për shkak të detyrës.
- Punonjësi i Institucionit nuk duhet të përdorë ose të lejojë të përdorin persona të tjerë të lidhur me të detyrën e tij zyrtare, në mënyrë të tillë që të nxisë ose të detyrojë një person tjetër, përfshirë edhe vartësit, për të pasur ndonjë përfitim financiar ose të çdo lloji tjetër me interes personal.
Neni 27
Konflikti i interesave
- Punonjesi i Institucionit, kur i ngarkohet një çështje e cila e vendos në konflikt, duhet të deklarojë në rastin më të parë të mundshëm prej tij, konfliktin ose konfliktet e mundshme të interesave, të cilat mund të ndikojnë negativisht në ushtrimin e paanshëm të detyrave prej tij.
- Punonjësi i Institucionit, nuk duhet të marrë pjesë në procesin e punës, kur ankesat/kërkesat:
- a): prekin interesin civil, administrativ, penal apo moral të tij, të bashkëshortes, fëmijëve apo anëtarëve të tjerë të familjes, deri në shkallën e dytë.
- b): përbëjnë interesa personale të tij, dhe këtu përfshihet çdo përparësi për personat, ose organizatat, me të cilat ai ka ose ka patur marrëdhënie biznesi apo lidhje politike.
- c): kur ka shkaqe të tjera paanësie të përcaktuara nga ligji nr.8485 datë 12.05.1999 “Kodi i Proçedurave Administrative”, apo nga Ligji nr.9367 datë 7.04.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar.
- Nëse një punonjës i Institucionit vihet në dijeni se nuk do të marrë pjesë në një proces pune, për shkak të konstatimit të shkaqeve të përmendura në gërmat “a”, “b” dhe “c” të pikës 2 të këtij neni, atëherë ai duhet t’i shpjegojë me shkrim eprorit të tij të drejtpërdrejtë hollësitë e konfliktit të interesave, në mënyrë që eprori i tij të gjykojë sa më drejtë çështjen.
Neni 28
Punonjesit me kontratë pune
Punonjësi i Institucionit të Avokatit të Popullit, i punësuar sipas dispozitave të Kodit të Punës të RSh, është i detyruar të respektojë kontratën e punës. Nëse kontrata e punës është e me afat të përcaktuar, punonjësit i lejohet të kërkojë mundësi të tjera për punësim, jashte kohëzgjatjes normale të punës, por duke njoftuar më parë eprorin e tij.
Neni 29
Veprimtaritë e jashtme
- Punonjësi i Institucionit nuk mund të krijojë marrëdhënie punësimi tjetër, pavarësisht nëse është me shpërblim ose jo, në subjektet publike, private dhe jofitimprurëse, me përjashtim të:
- a): mësimdhënies,
- b): të drejtës se autorit,
- c): pjesmarrjes si lektor në aktivitete të ndryshme, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi.
- Nëpunësi i administratës publike për çdo rast njofton zyrtarisht Avokatin e Popullit, eprorin direkt dhe njësinë e burimeve njerëzore të institucionit për veprimtarinë e jashtme që do të kryejë, duke bërë një përshkrim të shkurtër të veprimtarisë së jashtme të tij. Në rastet kur aktivitetet e lejueshme ushtrohen brenda kohëzgjatjes normale të punës, duhet në çdo rast autorizim nga Avokati i Popullit, sipas parashikimeve të bëra në Rregulloren e Brendshme të Institucionit.
- Nëse ekzistojnë dyshime që një veprimtari, ku mendon të marrë pjesë punonjësi, mund të jetë në kundërshtim me kriteret e sipërpërmendura, ai duhet të konsultohet me njësinë e burimeve njerëzore, që monitoron zbatimin e marrëdhënieve etike, para se të marrë pjesë në të.
Neni 30
Situatat e paparashikuara në Kodin e Sjelljes së Mirë Administrative
- Kur një punonjesi të Institucionit te Avokatit të Popullit i duhet të ndërhyjë në një situatë, për të cilën nuk ka parashikime në këtë Kod, ai duhet të konsultohet me eprorin e tij të drejtpërdrejtë ose me vetë Avokatin e Popullit.
- Nëse nevojitet një ndërhyrje e menjëhershme dhe asnjë epror nuk është i mundshëm për konsultim, ose konsultimi nuk do të ishte praktik, punonjësi duhet të udhëhiqet nga parimet kushtetuese të mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të individëve, si dhe nga parimet e përgjithshme të përcaktuara në Ligjin nr.9131 datë 8.09.2003 “Për rregullat e etikës në administratën publike”.
Neni 31
Profesionalizmi dhe shmangia e veprimeve që cenojnë figurën e punonjësit
- Punonjësit e Institucionit duhet që gjatë gjithë kohës, të udhëhiqen nga standartet më të larta të profesionalizmit. Atyre u ndalohet çdo veprim apo sjellje e papranueshme për pozicionin e tyre në Institucion.
- Punonjësi i Institucionit duhet të ruajë të pastër figurën e tij morale, duke shmangur sjellje apo veprime të tilla të padenja, si dehja, shpërdorimi i postit zyrtar, marrja e borxheve me mashtrim etj, që cënojnë autoritetin dhe imazhin e Institucionit para opinionit publik.
Neni 32
Marrëdhëniet epror-vartës dhe ndërmjet kolegëve
- Marrëdhëniet ndërmjet eprorëve dhe vartësve, si dhe marrëdhëniet ndërmjet kolegëve, duhet të ndërtohen mbi baza të mirëkuptimit, respektimit reciprok dhe solidaritetit, për të realizuar detyrat e Institucionit për mbrojtjen e lirive themelore dhe të drejtave të njeriut.
- Do të konsiderohen shkelje të etikës profesionale rastet e mosinformimit të kolegut për gabimet e mundshme që ky mund të ketë bërë gjatë procesit të punës, shprehja në prani të ankuesve apo kërkuesve e të metave të kolegut, të vartësit dhe të eprorit, apo të punës së tyre, si dhe mosshkëmbimi i mendimeve dhe informacioneve të përgjithshme për mbarëvajtjen e punës, që përsonat kanë dijeni gjatë punës së tyre.
Neni 33
Komunikimi i brendshëm me rrjet elektronik
- Komunikimi i brendshëm në Institucion, mund të realizohet edhe nëpërmjet rrjetit elektronik të sistemit te menaxhimit te rasteve. Me anë të tij shkëmbehen dhe merren informacione që kanë lidhje me çështjet që mbulojnë strukturat duke lehtësuar aktivitetin e tyre.
- Komunikimi dhe shkëmbimi i dokumenteve zyrtare, brenda Institucionit apo jashtë tij, nga punonjësit, bëhet gjithmonë duke përdorur postën elektronike të Institucionit. Vetëm në raste kur kjo adresë nuk funksionon apo nuk ekziston, nëpunësit mund të përdorin postë elektronike alternative.
Neni 34
Pijet alkolike dhe pirja e duhanit
- Ndalohet mbajtja e pijeve alkoolike në zyrat dhe ambjentet e Institucionit.
- Ndalohet përdorimi i pijeve alkoolike nga të gjithë punonjësit e Institucionit si brenda, ashtu edhe jashtë tij, gjatë kohëzgjatjes normale të punës.
- Në të gjitha ambientet e Institucionit është e ndaluar pirja e duhanit. Ajo mund të lejohet vetëm në vendet e caktuara për këtë qëllim në ambjentet e Institucionit.
Neni 35
Paraqitja dhe veshja e përshtatshme e punonjësve
- Paraqitja në punë duhet të jetë e përshtatshme dhe e tillë që të shprehë kujdesin dhe seriozitetin e vazhdueshëm të punonjësve të institucionit për anën e tyre pamore, nivelin e domosdoshëm të pastërtisë personale, si dhe vëmendje në mënyrën e komunikimit dhe të qëndrimit në ambientet e institucionit.
- Punonjësit e institucionit duhet të plotësojnë kërkesat e domosdoshme të veshjes serioze në ambientet e zyrës, burrat me xhaketë, këmishë dhe kravatë, dhe femrat me veshje të përshtatshme serioze, joekstravagante.
- Sekretari i Përgjithshëm cakton funksionet që mbajnë uniformë (veshje) të paguara nga Institucioni, apo edhe masën e përfitimit të këtyre veshjeve. Të gjithë punonjësit, brenda Institucionit, duhet të mbajnë të varur në gjoks dokumentin e identifikimit.
Neni 36
Kujdesi ndaj pronës
- Punonjësit e Institucionit të Avokatit të Popullit duhet të mbrojnë dhe ruajnë pronën e Institucionit, përfshirë këtu dokumentacionin zyrtar. Ata duhet të përdorin ose të lejojnë që të përdoret prona që institucioni zotëron ose ka në përdorim, për asnje qëllim tjetër, përveçse për kryerjen e veprimeve të miratuara në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi.
- Çdo punonjës i Institucionit duhet të përdorë mjetet që ofron pozicioni i punës vetëm për realizimin e detyrave të tij dhe jo për qëllime personale.
Neni 37
Sanksionet
Për shkelje të rregullave të parashikuara në këtë Kod, kur ato nuk përbëjnë vepër penale, zbatohen masat disiplinore të përcaktuara nga Statusi i Nëpunësit Civil, në Rregulloren e Brendshme, apo në kontratën e punës.
Neni 38
Dispozitë e fundit
Për çështjet që ky Kod nuk ka dhënë parashikime specifike në përmbajtjen e tij, zbatohen rregullat e përcaktuara në, ligjin nr.8549, datë 11.11.1999 “Statusi i nëpunësit civil”, ligjin nr.9131, datë 08.09.2003 “Për rregullat e etikës në administratën publike”, si dhe në aktet nënligjore në zbatim të tyre.
-
21 Shtator 2022
Ligji Për Avokatin E Popullit
LIGJI “PER AVOKATIN E POPULLIT”
REPUBLIKA E SHQIPERISE
KUVENDI
LIGJI
Nr.8454, datë 4.2.1999, plotësuar me ligjin nr.8600 datë 10.04.2000, ndryshuar me ligjin nr.9398, datë 12.05.2005, shtuar dhe ndryshuar me ligjin nr.155/2014, datë 27.11.2014:
“PËR AVOKATIN E POPULLIT”
Në mbështetje të neneve 60-63, 81 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave.
KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti i ligjit
Objekti i këtij ligji është përcaktimi i rregullave të organizimit dhe të funksionimit të Avokatit të Popullit.
Neni 2
Detyrat e Avokatit të Popullit
Avokati i Popullit mbron të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshëm të individit nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme e të parregullta të organeve të administratës publike, si dhe të të tretëve që veprojnë për llogari të saj. Ai është nxitës i standardeve më të larta të të drejtave dhe lirive të njeriut në vend.
Avokati i Popullit i udhëhequr nga parimet e paanësisë, konfidencialitetit, profesionalizmit dhe pavarësisë ushtron veprimtarinë në mbrojtje të të drejtave dhe të lirive të njeriut, të parashikuara në dispozita kushtetuese dhe në ligje. Dispozitat e këtij ligji zbatohen edhe për mbrojtjen e të drejtave të të huajve, të cilët janë ose jo, rezidentë të rregullt në Shqipëri, të refugjatëve, azilkërkuesve si dhe të personave pa shtetësi që ndodhen në territorin e Republikës së Shqipërisë, sipas kushteve të parashikuara në ligj.
Avokati i Popullit kryen edhe detyra të tjera të caktuara me ligje të veçanta.
Neni 3
Kushtet për t’u zgjedhur Avokat i Popullit
Avokat i Popullit mund të jetë çdo person që plotëson këto kushte:
a): të jetë shtetas shqiptar.
b): të ketë njohuri dhe veprimtari të shquara në fushën e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe të ligjit;
c): të shquhet për aftësi profesionale dhe figure të pastër etiko-morale;
ç): të mos jetë dënuar penalisht
d): të mos jetë deputet në legjislaturën e Kuvendit që bën propozimin a zgjedhjen e tij.
KREU II
ZGJEDHJA, HEQJA DHE TË DREJTAT E AVOKATIT TË POPULLIT
Neni 4
Mënyra e zgjedhjes së Avokatit të Popullit
Avokati i Popullit zgjidhet nga tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
Para marrjes ose rimarrjes së detyrës Avokati i Popullit bën betimin para Kuvendit. Formula e betimit është: “Betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mia do të mbroj kurdoherë liritë dhe të drejtat themelore të njerëzve pa dallim, në përputhje me Kushtetutën dhe me ligjet e Republikës së Shqipërisë”.
Neni 5
Kohëzgjatja në detyrë
Avokati i Popullit zgjidhet në detyrë për një periudhë prej pesë vjetësh me të drejtë rizgjedhjeje.
Neni 6
Imuniteti dhe paga
Avokati i Popullit paraqet raport vjetor përpara Kuvendit. Avokati i Popullit raporton përpara Kuvendit kur i kërkohet prej këtij, si dhe mund t’i kërkojë Kuvendit të dëgjohet për çështje që ai i çmon si të rëndësishme. Avokati i Popullit gëzon imunitetin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. Paga e tij barazohet me atë të Kryetarit të Gjykatës së Lartë.
Neni 7
Mbarimi i mandatit të Avokatit të Popullit
Mandati i Avokatit të Popullit mbaron:
a): kur jep dorëheqjen;
b): kur mbaron afati 5-vjeçar i qëndrimit në këtë funksion;
c): me vdekjen e tij;
ç): kur shkarkohet.
Neni 8
Shkarkimi i Avokatit të Popullit
Avokati i Popullit shkarkohet nga funksioni vetëm në rastet kur:
a): është dënuar me një vendim gjykate të formës së prerë;
b): është i paaftë mendërisht a fizikisht për të ushtruar funksionet e tij;
c): kryen veprimtari në kundërshtim me parashikimet e nenit 10 të këtij ligji;
ç): nuk paraqitet në detyrë për më shumë se 3 muaj.
Mocioni për shkarkimin e Avokatit të Popullit bëhet së paku me 1/3 e deputetëve të Kuvendit.
Vendimi për shkarkimin nga funksioni të Avokatit të Popullit merret me 3/5 e votave të deputetëve të Kuvendit.
Neni 9
Zgjedhja e Avokatit të ri të Popullit
1. Kuvendi i Shqipërisë, jo më vonë se tre muaj përpara përfundimit të mandatit të përcaktuar në nenin 7, shkronja “b”, publikon shpalljen e vendit vakant të Avokatit të Popullit. Në këtë rast, Avokati i Popullit qëndron në detyrë deri në zgjedhjen e Avokatit të ri.
2. Në rastet e tjera të mbarimit të mandatit, sipas këtij ligji, shpallja për vendin vakant të Avokatit të Popullit bëhet nga Kuvendi, brënda 10 ditëve nga krijimi i vakancës. Në këto raste, komisioneri më i vjetër në detyrë kryen funksionin e tij deri në zgjedhjen e Avokatit të ri.
3. Me ftesë të hapur publike të Kuvendit, çdo shtetas, i cili plotëson kushtet e parashikuara në këtë ligj, mund të paraqesë kandidaturën për Avokat të Popullit.
4. Lista e kandidatëve i kalon komisionit të Kuvendit që mbulon çështjet ligjore për të verifikuar përmbushjen e kritereve kushtetuese e ligjore dhe meritën e çdo kandidature. Komisioni për çështjet ligjore organizon seanca dëgjimore publike me secilin kandidat. Në përfundim të procesit dëgjimor, komisioni miraton listën e plotë të kandidatëve të paraqitur së bashku me vlerësimin për përmbushjen e kritereve kushtetuese e ligjore dhe meritën e çdo kandidature.
5. Kandidaturat për Avokat të Popullit i paraqiten Kuvendit me shkrim nga jo më pak se 28 deputetë, të përzgjedhur në radhët e kandidatëve që përmbushin kriteret kushtetuese e ligjore dhe meritën, sipas vlerësimit të komisionit që mbulon çështjet ligjore, në listën e miratuar prej tij.
6. Avokati i Popullit zgjidhet nga tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit jo më vonë se 30 ditë nga mbarimi i mandatit ose nga data e shkarkimit.
Neni 10
Papajtueshmëritë me funksionin e Avokatit të Popullit
Avokati i Popullit ndalohet të bëjë pjesë në parti apo organizata politike, të kryejë veprimtari tjetër politike, shtetërore e profesionale dhe të marrë pjesë në organizmat drejtues të organizatave shoqërore, ekonomike dhe tregtare. Ai mund të ushtrojë të drejtën si autor e mësimdhënës.
Neni 11
Sigurimi i punës së mëparshme të Avokatit të Popullit
Me mbarimin e funksionit sipas shkronjave “a” e “b” të nenit 7, Avokati i Popullit ka të drejtë të rimarrë funksionin ose punën publike që kishte para zgjedhjes si Avokat i Popullit.
Kur kjo nuk është e mundur, duhet t’i sigurohet një punë e barazvlefshme me atë që ai kishte përpara zgjedhjes në detyrën e Avokatit të Popullit.
KREU III
ANKESAT, RREGULLAT E SHQYRTIMIT TË ÇËSHTJEVE DHE KOMPETENCAT E AVOKATIT TË POPULLIT
Neni 12
E drejta për t’u ankuar
Çdo individ, grup individësh ose organizata joqeveritare, që pretendojnë se u janë shkelur të drejtat dhe liritë dhe interesat e tyre të ligjshme nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme e të parregullta të organeve të administratës publike, kanë të drejtë të ankohen ose të njoftojnë Avokatin e Popullit dhe të kërkojnë ndërhyrjen e tij për vënien në vend të së drejtës ose lirisë së shkelur.
Avokati i Popullit duhet të ruajë fshehtësinë nëse e sheh të arsyeshme si dhe nëse kjo kërkohet nga personi që bën ankesën, kërkesën apo njoftimin.
Neni 13
Fillimi i shqyrtimit të çështjes
Avokati i Popullit fillon procedurën e shqyrtimit të çështjes kur vëren ose dyshon se ka ndodhur një shkelje e së drejtës, në bazë të ankesës apo të kërkesës së personit të interesuar ose të dëmtuar, si dhe me nismën e vet, për raste të veçanta të bëra publike.
Në rastet kur Avokati i Popullit fillon proçedurën e shqyrtimit të çështjes me nismën e vet dhe kur kujdestari ose përfaqësuesi i tij ligjor nuk vepron, nuk kërkohet pëlqimi i të dëmtuarit kur është i mitur apo i paaftë mendërisht apo me aftësi të kufizuara ose për mbrojtjen e të drejtave të një numri të madh të individëve.
Në mbrojtje të interesave të një komuniteti të gjërë, të cilët mund të preken nga proçedimi administrativ, Avokati i Popullit ka të drejtë të fillojë një procedim administrativ dhe të marrë pjesë në të, në përputhje me kërkesat e Kodit të Procedurës Administrative.
Neni 14
Kushtet e pranimit të ankesave, kërkesave apo njoftimeve
Avokati i Popullit mund të mos fillojë ose ndërpret hetimin në qoftë se e njëjta çështje është vendosur ose është në shqyrtim nga prokuroria apo gjykata. Në këto raste, ai ka të drejtë të kërkojë informacion pranë këtyre organeve, të cilat duhet t’u përgjigjen kërkesave të tij sa më shpejt të jetë e mundur, por jo më vonë se 30 ditë.
Neni 15
Moskërkimi i formës për ankesat dhe njoftimet
Për ankesat, kërkesat dhe njoftimet drejtuar Avokatit të Popullit nuk kërkohet ndonjë formë e caktuar, por ato duhet të shprehin qartë objektin e ankimit ose të kërkesës. Avokati i Popullit nuk pranon ankesa ose kërkesa anonime.
Neni 16
Shërbim pa pagesë
Çdo shërbim që bëhet nga Avokati i Popullit lidhur me ankesat, kërkesat e njoftimet është pa pagesë.
Neni 17
Administrimi i ankesave ose njoftimeve nga Avokati i Popullit
Avokati i Popullit, pasi njihet me ankesën, kërkesën apo njoftimin për një shkelje, vendos:
a): ta pranojë ose jo çështjen për shqyrtim;
b): t’i kthejë përgjigje të interesuarit, duke i treguar të drejtat dhe rrugët nëpërmjet të cilave ai mund ta mbrojë këtë të drejtë;
c): t’ia kalojë çështjen organit kompetent.
Në të gjitha rastet e mësipërme, Avokati i Popullit njofton të interesuarit brënda 30 ditësh nga dita e marrjes së ankesës, kërkesës ose njoftimit.
Neni 18
Procedura pas pranimit të ankesës, kërkesës apo njoftimit për shqyrtim
Pas pranimit të ankesës, kërkesës apo njoftimit për shqyrtim, Avokati i Popullit kryen njërën nga veprimet e mëposhtme:
a): ndërmerr vetë një proces hetimi;
b): kërkon shpjegime nga organet e administra-tës, si dhe prokuroria, në rastet e arrestimeve dhe ndalimeve;
c): i rekomandon Kontrollit të Lartë të Shtetit të ushtrojë funksionet e veta.
Neni 19
Procedura e hetimit
Në rastet kur vendos të kryejë hetime të pavarura, Avokati i Popullit ka të drejtë:
a): të kryejë hetime në vend, përfshirë edhe hyrjen në çdo zyrë të institucioneve publike dhe këqyrjen në vend të akteve apo dokumenteve që kanë lidhje me çështjen që heton.
b): të kërkojë shpjegime nga çdo organ i administratës qendrore dhe vendore, si dhe të marrë çdo dosje apo material që ka lidhje me hetimin;
c): të marrë në pyetje çdo person që, sipas tij, është i lidhur me çështjen nën hetim, dhe të thërrasë në zyrën e tij të gjithë personat pa imunitet;
ç): të kryejë ose të kërkojë ekspertiza.
Avokati i Popullit ka të drejtë të caktojë një afat për kryerjen e veprimeve të mësipërme.
Neni 19/1
Avokati i Popullit apo personat e autorizuar prej tij kanë të drejtë të hyjnë në çdo kohë, pa kufizim e pa autorizim paraprak, por duke vënë në dijeni titullarin e institucionit, në të gjitha institucionet e administratës publike, në burgje, në vende ku policia ose prokuroria mbajnë persona të shoqëruar, të ndaluar apo të arrestuar, (të paraburgosurit), në reparte apo institucione shtetërore, spitale psikiatrike, në azile, në shtëpi fëmije, si dhe në çdo vend tjetër kur ka të dhëna dhe çmon se ekziston mundësia e shkeljes së të drejtave dhe lirive të njeriut.
Hyrja në të gjitha mjediset e mësipërme mund të bëhet si për të hetuar një ankesë, një kërkesë ose njoftim të caktuar, ashtu edhe me nismën e Avokatit të Popullit për qëllime inspektimi apo studimi. Avokati i Popullit në këto raste mund të marrë takim, të bisedojë në mënyrë konfidenciale e pa praninë e personave zyrtarë me cilindo person që ndodhet apo mbahet në këto mjedise.
Çdo lloj korrespondence e këtyre personave me Avokatin e Popullit nuk duhet të pengohet ose të kontrollohet.
Neni 20
E drejta për të kërkuar informacione apo dokumente sekrete shtetërore
Avokati i Popullit ka të drejtë të kërkojë edhe informacione apo dokumente, që lidhen me çështjen në shqyrtim, të klasifikuara si sekret shtetëror. Në këto raste, ai është i detyruar të respektojë kërkesat për ruajtjen e sekretit shtetëror.
Neni 21
Veprimet pas përfundimit të hetimit dhe kompetencat
Pas përfundimit të hetimit, Avokati i Popullit kryen këto veprime:
a): i shpjegon ankuesit se të drejtat e tij nuk janë shkelur;
b): paraqet rekomandime për vënien në vend të së drejtës së shkelur tek organi administrativ, që, sipas tij ka shkaktuar shkelje të të drejtave dhe lirive;
Paraqitja e rekomandimit pezullon aktet ose veprimet e paligjshme apo të parregullta deri në shqyrtimin e këtij rekomandimi dhe dhënien e përgjigjes Avokatit të Popullit.
c): paraqet rekomandime për marrje masash për vënien në vend të së drejtës së shkelur tek organi epror i organit që ka shkaktuar shkeljen; Mosshqyrtimi i rekomandimit brënda 30 ditëve pezullon aktet ose veprimet e paligjshme ose të parregullta.
ç): i rekomandon prokurorisë të fillojë hetime në qoftë se vëren se është konsumuar figura e një vepre penale; ose të rifillojë hetimet e pushuara ose të pezulluara.
d): për shkelje të rënda, të vëna re, i propozon çdo organi, si dhe Kuvendit, shkarkimin e funksiona-rëve që janë kompetencë e tyre;
dh): për shkelje të të drejtave nga organet e pushtetit gjyqësor, pa ndërhyrë në procedurën që ato zbatojnë, Avokati i Popullit i bën të ditur shkeljet organit kompetent;
e): u rekomandon personave të dëmtuar të paraqesin padi në gjykatë;
Rastet e mësipërme nuk përjashtojnë njëri-tjetrin.
Neni 22
Detyrimi i organeve të administratës për t’ju përgjigjur rekomandimeve të Avokatit të Popullit
Organet, të cilave Avokati i Popullit u ka drejtuar një rekomandim, kërkesë apo propozim për shkarkim, duhet ta shqyrtojnë rekomandimin, kërkesën apo propozimin për shkarkim dhe të kthejnë përgjigje brënda 30 ditësh nga data e dërgimit të rekomandimit, kërkesës apo propozimit për shkarkim. Përgjigjja duhet të përmbajë shpjegime të arsyetuara për çështjen në fjalë, si dhe çfarë veprimesh, mosveprimesh apo masash ka ndërmarrë ai organ.
Avokati i Popullit duhet të njoftohet dhe ka të drejtë të marrë pjesë e të flasë në mbledhjet e organeve kolegjale të administratës publike, ku merret në shqyrtim rekomandimi, kërkesa apo propozimi i tij.
Neni 22/1
Sanksionet për mosbashkëpunimin me Avokatin e Popullit
Refuzimi për të bashkëpunuar me Avokatin e Popullit nga nëpunësi civil, funksionari ose autoriteti publik përbën shkak që Avokati i Popullit të kërkojë nga autoriteti kompetent fillimin e proçedurës administrative dhe marrjen e masave disiplinore deri në largimin nga puna ose nga shërbimi civil.
Neni 23
Ndjekja e mëtejshme e çështjes nga Avokati i Popullit
Në rast se Avokati i Popullit nuk i quan të mjaftueshme përgjigjet ose masat e ndërmarra nga organi, ai ka të drejtë ta ndjekë çështjen tek organi më i lartë në hierarki. Në rastet e përsëritura si dhe kur organi përkatës nuk reagon ndaj rekomandimeve të Avokatit të Popullit, ky i fundit mund t’i drejtohet edhe Kuvendit me një raport, duke propozuar edhe masa konkrete për vënien në vend të së drejtës së shkelur.
Neni 24
E drejta e Avokatit të Popullit për rekomandime legjislative
Kur Avokati i Popullit vëren se është vetë përmbajtja e ligjit ose e akteve të tjera normative dhe jo zbatimi i tyre, shkaku që krijon premisa për shkelje të të drejtave të njeriut, të njohura nga Kushtetuta ose ligjet e tjera, ka të drejtë:
a): t’u rekomandojë organeve që kanë të drejtën ligjvënëse të bëjnë propozime për ndryshimin dhe përmirësimin e ligjeve;
b): t’u propozojë organeve të administratës ndryshimin ose përmirësimin e akteve nënligjore; mosshqyrtimi i propozimit brënda 30 ditëve sjell si pasojë pezullimin e fuqisë së akteve nënligjore që shkaktojnë shkelje të të drejtave dhe lirive.
c): të vërë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese me kërkesën për shfuqizimin e akteve të tilla.
Neni 25
Personat dhe aktet jashtë juridiksionit të Avokatit të Popullit
Janë jashtë juridiksionit të Avokatit të Popullit personat dhe aktet e mëposhtme:
a): Presidenti i Republikës.
b): Kryetari i Këshillit të Ministrave.
Gjithashtu, janë jashtë juridiksionit të Avokatit të Popullit:
Urdhërat me karakter ushtarak të Forcave të Armatosura
Avokati i Popullit pranon ankesa, kërkesa ose njoftime për shkelje të të drejtave të njeriut, që rrjedhin nga administrata e pushtetit gjyqësor dhe ekzekutimi i vendimeve gjyqësore. Hetimi dhe kërkesa e Avokatit të Popullit nuk prekin pavarësinë e gjykatës në marrjen e vendimit.
KREU IV
MARRËDHËNIET E AVOKATIT TË POPULLIT ME KUVENDIN, INSTITUCIONET E TJERA SHTETËRORE DHE ME ORGANIZATAT JOQEVERITARE
Neni 26
Raportimi në Kuvend
Avokati i Popullit paraqet në Kuvend një raport vjetor, i cili diskutohet në seance plenare. Një kopje e këtij raporti i dërgohet Presidentit të Republikës dhe Kryetarit të Këshillit të Ministrave.
Raporti vjetor për vitin pasardhës duhet të paraqitet jo më vonë se 30 prilli i vitit në vazhdim.
Neni 27
Raportimet e veçanta në Kuvend
Përveç raportit vjetor, Avokati i Popullit mund të paraqesë, me nismën e tij ose me kërkesën me shkrim të Kryetarit të Kuvendit ose të një grupi deputetësh, raporte të veçanta, për çështje të ndryshme brënda funksioneve të tij, veçanërisht nëse ajo përbën shkelje të të drejtave kushtetuese dhe ligjore. Kryetari i Kuvendit vlerëson nëse ky raportim do të trajtohet:
a. në seancë plenare;
b. me shpërndarje të raportit;
c. në komisionet e përhershme të Kuvendit ose nënkomisionet përgjegjëse;
Edhe në këto raste, kopje të këtij raporti i dërgohen Presidentit të Republikës, Kryetarit të Këshillit të Ministrave, si dhe organit më të lartë epror, vartësit e të cilëve janë përmendur në raport.
Neni 28
Raporti Vjetor i Avokatit të Popullit shqyrtohet në Kuvend brënda 3 (tre) muajve nga depozitimi. Raportet e veçanta të Avokatit të Popullit diskutohen në Kuvend brënda 2 (dy) muajve nga depozitimi. Nëse raporti vjetor ose raportet e veçanta nuk diskutohen nga Kuvendi, brënda afateve të parashikuara në këtë dispozitë, Avokati i Popullit ka të drejtë të publikojë raportin. Në çdo rast të shqyrtimit të këtyre raporteve nga Kuvendi, Avokati i Popullit publikon gjithashtu rezolutën e Kuvendit ose format e tjera të reagimit parlamentar.
Neni 29
Përgatitja e raporteve për të drejtat e njeriut
Avokati i Popullit kontribuon në përgatitjen e raporteve të shtetit shqiptar për organizmat ndërkombëtarë, në zbatim të konventave të ratifikuara nga shteti shqiptar, lidhur me të drejtat e liritë e njeriut në Republikën e Shqipërisë dhe mund të paraqesë pranë tyre raporte paralele. Avokati i Popullit nxit përfshirjen e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut, të parashikuara në Kushtetutë dhe në legjislacionin në fuqi në programet mësimore, si dhe zbatimin e tyre në institucionet arsimore.
Neni 30
Bashkëpunimi me organizatat joqeveritare
Në kryerjen e funksioneve të veta, Avokati i Popullit bashkëpunon ngushtë me organizatat joqeveritare, duke marrë periodikisht mendimet e tyre për gjendjen e të drejtave dhe të lirive të njeriut.
Avokati i Popullit, në bashkëpunim me organizatat joqeveritare, organizon, të paktën një here në vit, veprimtari kombëtare për gjendjen e të drejtave dhe të lirive të njeriut në Republikën e Shqipërisë.
KREU V
KOMISIONERËT, ZYRA E AVOKATIT TË POPULLIT DHE BUXHETI
Neni 31
Zyra e Avokatit të Popullit ndahet në pesë seksione të specializuara, në krye të të cilave vendosen komisionerët.
Këto seksione janë:
1. Seksioni për organet e administratës qendrore, të pushtetit vendor dhe të të tretëve që veprojnë për llogari të tyre.
2. Seksioni për policinë, shërbimin sekret, burgjet, Forcat e Armatosura dhe pushtetin gjyqësor.
3. Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës, Trajtimit ose Dënimit të Egër, Çnjerëzor ose Poshtërues.
4. Seksioni për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve.
5. Seksioni i përgjithshëm.
Në varësi të nevojave të institucionit, Avokati i Popullit vendos që pranë seksioneve të ngrihen dhe të funksionojnë nënseksione të posaçme, të cilat përcaktohen në rregulloren e brendshme të institucionit.
Neni 31/1
Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës, Trajtimit ose Dënimit të Egër, Çnjerëzor ose Poshtërues
Avokati i Popullit ushtron funksionet e Mekanizmit Kombëtar për parandalimin e torturës, trajtimit ose dënimit të egër, çnjerëzor ose poshtërues në përputhje me Kushtetutën, aktet ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë dhe legjislacionin në fuqi. Mekanizmi Kombëtar për parandalimin e torturës, trajtimit ose dënimit të egër, çnjerëzor ose poshtërues organizohet dhe funksionon si seksion i veçantë i Avokatit të Popullit.
Neni 32
Emërimi i një përfaqësuesi vendor
Në rastet kur Avokati i Popullit e sheh të arsyeshme, ai mund të emërojë një përfaqësues të tij vendor për një çështje dhe kohe të caktuar. Organet e pushtetit vendor kanë për detyrë t’a pajisin këtë përfaqësues me zyrë, si dhe t’i krijojnë kushtet e nevojshme të punës, për zbatimin e gjithë kërkesave të këtij ligji. Ky përfaqësues paguhet nga buxheti i Avokatit të Popullit.
Neni 33
Kushtet për t’u zgjedhur komisioner dhe paga e tyre
1. Komisioner mund të zgjidhet shtetasi shqiptar që në momentin e kandidimit përmbush këto kushte ligjore:
a) Të ketë mbaruar arsimin e lartë juridik, diplomë “Master shkencor” ose tituj të ekuivalentuar me të;
b) Të ketë vjetërsi në profesion si jurist, jo më pak se 10 vjet;
c) Të mos jetë i dënuar penalisht me vendim të formës së prerë;
ç) Të mos jetë anëtar i partive politike, deputet, ministër, zëvendësministër.
2. Kandidati që përmbush kushtet ligjore, të parashikuara në pikën 1, të këtij neni, zgjidhet komisioner në bazë të këtyre kritereve objektive:
a) Vjetërsisë në profesion;
b) Ecurisë gjatë kryerjes së arsimit të lartë dhe gëzimit të titujve shkencorë;
c) Njohurive të thelluara dhe/ose kualifikimit në fushën e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe të ligjit;
ç) Veprimtarisë së njohur në opinionin publik, në mbrojtjen dhe nxitjen e respektimit të të drejtave dhe lirive të shtetasve;
d) Të gëzojë integritet të lartë moral dhe figurë të pastër etiko-morale;
3. Paga e komisionerëve është sa dy të tretat e pagës së Avokatit të Popullit.
Neni 33/1
Zgjedhja e komisionerëve
1. Komisioneri zgjidhet nga Kuvendi i Shqipërisë për një mandat 4-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.
2. Avokati i Popullit, jo më vonë se tre muaj përpara përfundimit të mandatit të përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, publikon shpalljen për vendin vakant të komisionerit.
3. Në rastet e tjera të mbarimit të mandatit, sipas këtij ligji, shpallja për vendin vakant të komisionerit bëhet kryesisht nga Kuvendi, brënda 10 ditëve nga krijimi i vakancës.
4. Me ftesë të hapur publike të Avokatit të Popullit, çdo shtetas, i cili plotëson kushtet e parashikuara në këtë ligj, mund të paraqesë kandidaturën për komisioner pranë Avokatit të Popullit. Avokati i Popullit merr në shqyrtim dhe verifikon përmbushjen e kushteve dhe kritereve ligjore të çdo kandidature, me anë të një procesi të hapur dhe publik.
5. Avokati i Popullit, në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile, që veprojnë në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, organizon procesin për shqyrtimin dhe vlerësimin e kandidaturave.
6. Lista me katër kandidatët e përzgjedhur nga Avokati i Popullit për çdo vend vakant, së bashku me vlerësimin e tij për përmbushjen e kushteve dhe kritereve ligjore dhe renditjen e kandidaturave, sipas preferencës së tij, i kalon komisionit të Kuvendit që mbulon çështjet ligjore, jo më vonë se 45 ditë përpara përfundimit të mandatit të përcaktuar në pikën 1 të këtij neni.
7. Komisioni i Kuvendit që mbulon çështjet ligjore organizon seanca dëgjimore publike me katër kandidatët e përzgjedhur për çdo vend vakant nga Avokati i Popullit.
8. Pas marrjes në shqyrtim të katër kandidaturave për çdo vend vakant, komisioni përzgjedh për t’iu paraqitur për votim Kuvendit dy kandidatë, ose në rast barazie votash edhe më shumë kandidatë, të cilët gëzojnë mbështetjen më të madhe midis anëtarëve të komisionit.
9. Kandidatët e përzgjedhur, sipas procedurës së parashikuar në pikat 7 dhe 8 të këtij neni, i kalojnë Kuvendit për votim.
Neni 34
Mbarimi i mandatit dhe shkarkimi i komisionerëve
Parashikimet e këtij ligji për rastet e mbarimit të mandatit dhe shkarkimit të Avokatit të Popullit zbatohen edhe për komisionerët. Komisioneri mund të shkarkohet nga Kuvendi me kërkesë të motivuar të së paku 1/3 së deputetëve të Kuvendit ose të Avokatit të Popullit.
Në rastet e përfundimit të kohëzgjatjes së mandatit të komisionerit, sipas nenit 7, shkronja “b”, ai/ajo vazhdon të qëndrojë në detyrë deri në zgjedhjen e komisionerit të ri.
Avokati i Popullit cakton një prej komisionerëve në detyrë për të zëvendësuar komisionerin të cilit i ka mbaruar mandati në rastet e tjera të parashikuara në këtë ligj, deri në zgjedhjen e komisionerit të ri.
Neni 35
Organizimi dhe personeli i Zyrës së Avokatit të Popullit
Avokati i Popullit organizohet në nivel qendror dhe vendor, mbështetur në nevojat e institucionit dhe Buxhetin e Shtetit.
Struktura dhe organika e institucionit caktohen nga Avokati i Popullit në përputhje me numrin e punonjësve të miratuar në buxhetin vjetor të institucionit.
Personeli i Zyrës së Avokatit të Popullit bën pjesë në shërbimin civil të Republikës së Shqipërisë.
Avokati i Popullit dhe komisionerët përfitojnë falas Fletoren Zyrtare.
Neni 36
Buxheti i Avokatit të Popullit
Projektbuxheti i Avokatit të Popullit propozohet nga Avokati i Popullit, në përputhje me ligjin për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë, dhe miratohet nga Kuvendi.
Avokati i Popullit përgatit për çdo vit llogaritë e veta, në përputhje me ligjin për menaxhimin financiar dhe kontrollin. Llogaritë financiare të institucionit të Avokatit të Popullit kontrollohen nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Neni 37
Donacionet që mund t’i jepen Avokatit të Popullit
Avokati i Popullit mund të përfitojë nga donacione të ndryshme financiare ose materiale. Donacionet duhet të jenë pa kushte që mund të kompromentojnë pavarësinë, paanësinë dhe kushtetushmërinë e veprimtarisë së Avokatit të Popullit. Donacionet duhet të deklarohen dhe të shënohen në një regjistër që zyra e Avokatit të Popullit mban për këtë qëllim. Në fund të vitit, Avokati i Popullit detyrohet të çojë një kopje të regjistrit me hyrjet dhe daljet në Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe një kopje në Komisionin e Përhershëm të Ekonomisë, Financave dhe Privatizimit. Regjistri duhet të përmbajë llojin e ndihmës, masën, kohën, subjektin që jep donacionin dhe mënyrën e lëvrimit të donacionit. Regjistri duhet të përmbajë edhe identitetin dhe nënshkrimin e dhuruesit.
KREU VI
DISPOZITA KALIMTARE
Neni 38
Dispozita kalimtare
Brënda dy muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji Kuvendi zgjedh Avokatin e Popullit.
Neni 38/1
Dispozitë kalimtare
Komisionerët e zgjedhur para hyrjes në fuqi të këtij ligji vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë, sipas kohëzgjatjes së mandatit të parashikuar në kohën e emërimit të tyre.
Avokati i Popullit, brënda 10 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, publikon shpalljen për vendin vakant për komisionerët që do të drejtojnë dy seksionet e krijuara me këtë ligj.
Neni 39
Rregullorja e brendshme
Avokati i Popullit miraton rregulloren e brendshme të institucionit, e cila hartohet në bashkëpunim me komisionerët.
Neni 40
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
-
9 Shtator 2020
Ligji Për Mbrojtjen E Konsumatorëve
LIGJ
Nr.9902, datë 17.4.2008
PËR MBROJTJEN E KONSUMATORËVE
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI:
PJESA I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti
Qëllimi i këtij ligji është mbrojtja e interesave të konsumatorëve në treg, si dhe përcaktimi i rregullave dhe ngritja e institucioneve përkatëse për të mbrojtur të drejtat e konsumatorëve.
Neni 2
Fusha e zbatimit
Ky ligj përfshin të gjitha llojet e marrëdhënieve ndërmjet tregtarëve dhe konsumatorëve, që kanë të bëjnë me mallrat e konsumatorëve apo shërbime, përveç atyre që parashikohen në dispozitat e ligjeve të veçanta.
Neni 3
Përkufizime
Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. "Çmim për njësi i mallit" është çmimi përfundimtar, përfshirë TVSH-në dhe të gjitha taksat e tjera, për një kilogram, një litër, një metër, një metër katror, një metër kub të mallit, ose për një njësi sasie të veçantë, të ndryshme nga to, pjesë e njësive ligjore të matjes, të përdorura në Republikën e Shqipërisë, që ka lidhje me tregtimin e mallrave specifike.
Kur natyra e mallit nuk e lejon përdorimin e njësive të sipërpërmendura, çmim për njësi i mallit do të konsiderohet çmimi për mallin e shitur si një artikull të veçantë ose më vete.
2. "Çmim i shitjes së mallit" është çmimi përfundimtar për një njësi të mallit ose për sasinë e dhënë të tij, përfshirë TVSH-në dhe të gjitha taksat e tjera.
3. "Garanci kontraktuale" është çdo marrje përsipër, pa pagesë shtesë, e detyrimeve nga shitësi apo prodhuesi ndaj konsumatorit, për rimbursimin e çmimit të paguar ose për zëvendësimin apo për riparimin e mallit, për ta sjellë në përputhje me kushtet e vëna në deklaratën e garancisë ose në publicitetin përkatës.
4. "Vendosje në treg" është bërja e disponueshme, për herë të parë, në tregun shqiptar.
5. "Bërje e disponueshme e produktit në treg" është çdo furnizim në tregun shqiptar i produktit në rrjedhën e një veprimtarie tregtare, për shpërndarje, konsum ose përdorim të produktit, me ose pa pagesë.
6. "Konsumator" është çdo person, i cili blen ose përdor mallra apo shërbime për plotësimin e nevojave vetjake, për qëllime që nuk kanë lidhje me veprimtarinë tregtare ose ushtrimin e profesionit. Në kuptim të këtij ligji, edhe organizatat jofitimprurëse konsiderohen si konsumatorë.
7. "Mall për konsumatorët", më poshtë mall, përfshirë edhe mallin, që përdoret në kuptim të ofrimit të një shërbimi, është çdo send i luajtshëm ose i paluajtshëm, pavarësisht nëse është i ri, i përdorur apo i riparuar, i parashikuar për përdorim për konsumatorët ose që mund të përdoret prej tyre, edhe nëse nuk është i parashikuar për ta, në kushte të arsyeshme, të parashikueshme, që bëhet i disponueshëm në treg gjatë një veprimtarie tregtare.
8. "Mallra të rezervuara" janë mallrat, që veçohen nga të tjerat prej shitësit, për t'i shërbyer një kategorie të përcaktuar personash, për të cilat tregtari ose shitësi është shprehur paraprakisht.
Për më shumë shfletoni -> Ligjin Për Mbrojtjen e Konsumatorit
-
10 Nëntor 2018
Ligji Për Të Drejtat Dhe Trajtimin E Të Dënuarve Me Burgim
LIGJ Nr. 9888, datë 10.3.2008
Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin nr.8328, datë 16.4.1998
“PËR TË DREJTAT DHE TRAJTIMIN E TË DËNUARVE ME BURGIM”, të ndryshuar
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI I REUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
Neni 1
Titulli i ligjit ndryshohet si më poshtë:
“PËR TË DREJTAT DHE TRAJTIMIN E TË DËNUARVE ME BURGIM DHE TË PARABURGOSURVE”
Neni 43 ndryshohet si më poshtë:
Neni 43
Hyrja në institucion
Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale mund të vizitohen pa autorizim nga:
Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Zëvendëskryetari i Kuvendit, Zëvendëskryeministri, Ministri i Drejtësisë, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Prokurori i Përgjithshëm, deputetët, Zëvendësministri i Drejtësisë, Avokati i Popullit, komisionerët dhe ndihmëskomisionerët e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve dhe zëvendësit e tij, Drejtori i Policisë së Burgjeve, drejtori dhe inspektorët e kontrollit të brendshëm të burgjeve, anëtarët e komisionit mbikëqyrës të ekzekutimit të vendimeve penale, gjyqtarët dhe prokurorët gjatë ushtrimit të detyrës së tyre, si dhe avokatët e të burgosurve dhe të paraburgosurve.
Nuk është i nevojshëm autorizimi për ata që shoqërojnë personat e përmendur në paragrafin e mësipërm, por gjithmonë jo më shumë se dy.
Personat e tjerë, që nuk parashikohen në paragrafin e parë, mund të hyjnë në institucion vetëm me autorizim të drejtorit të institucionit.
Këta persona, në rast refuzimi pa shkaqe të arsyeshme të dhënies së autorizimit nga drejtori i institucionit, kanë të drejtë të ankohen te Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve.
Për përfaqësuesit e komuniteteve fetare zbatohen rregullat e parashikuara në nenin 42 të këtij ligji.”.Neni 36
Pas nenit 74 shtohen nenet 74/1, 74/2 dhe 74/3 si më poshtë:
Neni 74/1
Mekanizmi Kombëtar për parandalimin e torturës, trajtimit ose dënimit të egër, çnjerëzor ose poshtërues dhe kompetencat e tij
Avokati i Popullit, nëpërmjet Mekanizmit Kombëtar për parandalimin e torturës, trajtimit ose dënimit të egër, çnjerëzor ose poshtërues, në vijim Mekanizmi Kombëtar, që vepron si strukturë e veçantë nën autoritetin e tij, mbikëqyr zbatimin dhe realizimin e këtij ligji për mbrojtjen e të drejtave të të dënuarve.
Mekanizmi Kombëtar ka këto kompetenca:- a): vëzhgon rregullisht trajtimin e individëve, që u është hequr liria në vendet e ndalimit, arrestimit ose burgosjes, me qëllim që të forcohet, kur është e nevojshme, mbrojtja e individëve nga tortura, trajtimi ose dënimi i egër, çnjerëzor ose poshtërues;
- b): paraqet rekomandime për organet përkatëse, me qëllim që të përmirësohen trajtimi dhe kushtet e individëve që u është hequr liria dhe të parandalohet tortura dhe trajtimi ose dënimi i egër, çnjerëzor ose poshtërues.
Neni 74/2
Garancitë në veprimtaritë e Mekanizmit Kombëtar
Mekanizmit Kombëtar, gjatë ushtrimit të detyrës së tij, i garantohet:
- a): marrja e çdo informacioni në lidhje me numrin e individëve që u është hequr liria, në vendet e privimit të lirisë, si dhe numrin e vendeve dhe vendndodhjen e tyre;
- b): marrja e të gjithë informacionit për trajtimin e këtyre individëve, si dhe për kushtet e tyre të ndalimit;
- c): hyrja lirisht në të gjitha vendet dhe mjediset ku është kufizuar liria e individit;
- ç): kryerja e intervistave private, pa dëshmitarë, me individët që u është hequr liria, personalisht ose me një përkthyes kur është e nevojshme, si edhe me çdo individ tjetër që mund të japë informacionin e nevojshëm;
- d): zgjedhja lirisht e vendeve që kërkon të vizitojë dhe e individëve që kërkon të intervistojë.
Neni 74/3
Format e mbikëqyrjes
Mbikëqyrja e Mekanizmit Kombëtar realizohet nëpërmjet:
- a): pranimit të kërkesave ose ankesave nga të dënuarit ose të paraburgosurit me shkrim ose drejtpërdrejt;
- b): marrjes së informacionit, ankesave ose kërkesave të të dënuarit, ose nga individë që kanë statusin e vizitorit apo të organeve shtetërore ose organizatave joqeveritare, të cilat kanë kontrolluar apo vizituar institucionin, sipas kompetencës që u njeh ligji, si dhe nga avokati i të dënuarit ose të paraburgosurit;
- c): kërkimit të informacioneve nga administrata e institucionit;
- ç): verifikimit të dokumenteve, objekteve, pajisjeve ose mjediseve, që kanë lidhje me të dënuarin ose me të paraburgosurin, brenda dhe jashtë institucionit.
Për realizimin e procesit të mbikëqyrjes, Mekanizmi Kombëtar mund të marrë edhe specialistë të fushave përkatëse. Në çdo rast dhe pavarësisht nëse konstatohen shkelje e parregullsi gjatë verifikimit, specialistët e këtij mekanizmi mbajnë procesverbal, i cili nënshkruhet nga drejtori i institucionit ose i ngarkuari prej tij, me të drejtën e pasqyrimit të vërejtjeve.”.
Neni 38
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
-
10 Nëntor 2018
Ligji Për Të Drejtën E Informimit
LIGJI Nr. 119/2014 “PËR TË DREJTËN E INFORMIMIT”
Më 18 shtator 2014 Kuvendi miratoi ligjin nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, i cili hyri në fuqi më 17.10.2014. Miratimi i këtij ligji shfuqizoi ligjin Nr. 8503, datë 30.06.1999 “Për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare”, i cili në nenin 18, i caktonte Avokatit të Popullit rolin e kujdestarit për zbatimin në praktikë të këtij ligji. Megjithatë, sikurse përmban neni 24, pika 7-ë i ligjit të ri nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, ky ligj “nuk cenon kompetencat e Avokatit të Popullit, lidhur me mbikëqyrjen dhe zbatimin e të drejtave civile, sipas ligjit nr. 8454, datë 4.2.1999, “Për Avokatin e Popullit”.
Disa nga risitë kryesore që sjell ligji nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit” janë:
- Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale merr një kompetencë ekstra dhe emërtimi i tij ndryshon në “Komisioneri për të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale”, i cili vlerësohet si mekanizmi më efektiv për të siguruar zbatimin në praktikë të kësaj të drejte;
- Shkurtimin e afateve të trajtimit të kërkesës në 10 ditë duke saktësuar rastet e zgjatjes së këtij afati dhe konsideruar refuzim çdo mostrajtim të saj;
- Shtimin e kategorive të informacionit pa kërkesë, pjesë e programit të transparencës që vihen në dispozicion të publikut. Mosvënia në zbatim e këtij programi dhe mos rishikimi i tij vlerësohen si kundërvajtje administrative;
- Garantimin e aksesit në informacionin publik dhe jo vetëm njohjen me dokumentet zyrtare. Informacion publik është çdo e dhënë e regjistruar ne çfarëdolloj forme e formati i mbajtur nga autoriteti publik;
- Saktësimin e kategorive të subjekteve të detyrueshme për zbatimin e këtij ligji, duke shtuar shoqëritë tregtare ku shteti zotëron shumicën e aksioneve si edhe çdo person fizik ose juridik, që ushtron funksione publike në fusha të tilla si: arsimi, shëndetësia, energjia, telekomunikacioni e të tjera si këto;
- Krijimin e figurës së re, koordinatorit për të drejtën e informimit të caktuar në çdo autoritet publik;
- Përcaktimin në mënyrë të detajuar të veprimeve ose mosveprimeve, të cilat vlerësohen si kundërvajtje administrative, sanksionet, subjektet si dhe rastet kur informacioni mund të kufizohet, nëse është e domosdoshme dhe proporcionale në raport me dëmin që mund t’u shkaktojë disa të drejtave te tjera, duke mos i lënë shteg subjektivizmit dhe abuzimit me interpretimin e ligjit.
Pjesë nga Ligji nr. 119/2014 “PËR TË DREJTËN E INFORMIMIT”
KREU II
E DREJTA E INFORMIMIT DHE TRANSPARENCA
Neni 3
E drejta e informimit
1. Çdo person gëzon të drejtën e njohjes me informacionin publik, pa u detyruar të shpjegojë motivet.
2. Autoriteti publik është i detyruar të informojë kërkuesin nëse ka ose jo në zotërim informacionin e kërkuar.
3. Çdo person ka të drejtë të njihet me informacionin publik, nëpërmjet dokumentit origjinal ose duke marrë një kopje të tij në formën ose formatin që mundëson akses të plotë në përmbajtjen e dokumentit.
4. Informacioni publik që i është dhënë një personi, nuk mund t’i refuzohet asnjë personi tjetër që e kërkon atë, me përjashtim të rastit kur informacioni përmban të dhëna personale të subjektit, në përputhje me nenin 17 të këtij ligji.
Neni 9
Informacioni i dhënë më parë
1. Autoriteti publik bën të mundur që informacioni, i cili i është dhënë të paktën një herë një kërkuesi, të bëhet i disponueshëm në mënyrën më praktike të mundshme për të gjithë personat e tjerë që mund ta kërkojnë në të ardhmen.
2. Kërkesat për informim për informacione të regjistruara në Regjistrin e Kërkesave dhe Përgjigjeve plotësohen jo më vonë se 3 ditë pune nga momenti i paraqitjes së kërkesës.
Neni 14
Mënyrat e dhënies së informacionit
1. Të gjitha kërkesat për informacion trajtohen, si rregull, nëpërmjet konsultimit pa pagesë të informacionit në mjediset e autoritetit publik, nëpërmjet portalit unik qeveritar ealbania.al apo, kur është rasti, nëpërmjet faqes zyrtare të autoritetit publik në internet.
2. Kërkesat, që lidhen me dokumente të shkruara, trajtohen duke vënë në dispozicion të kërkuesit:
a) një kopje të plotë, në format të njëjtë me atë të përdorur nga autoriteti publik, përveç rasteve të veçanta;
b) një kopje të plotë të informacionit nëpërmjet postës elektronike, kur informacioni gjendet në një formë të tillë ose mund të konvertohet.
3. Lidhur me kërkesat që lidhen me forma të tjera, informacioni jepet në mënyrën më të efektshme dhe me koston më të ulët për autoritetin publik.
4. Në çdo rast, vendimi i refuzimit për formën e kërkuar jepet me shkrim dhe i arsyetuar.
Neni 15
Afati për marrjen e informacionit
1. Autoriteti publik trajton kërkesën për informim, duke parashtruar informacionin e kërkuar sa më shpejt që të jetë e mundur, por jo më vonë se 10 ditë pune nga dita e dorëzimit të saj, përveç rasteve kur ligji i posaçëm parashikon ndryshe.
2. Kur autoriteti publik që merr kërkesën për informim ia dërgon atë një autoriteti tjetër, ai kthen përgjigje jo më vonë se 15 ditë pune nga dita e mbërritjes së kërkesës në autoritetin e parë.
3. Afati i parashikuar në pikat 1 dhe 2, të këtij neni, mund të zgjatet me jo më shumë se 5 ditë pune për një nga shkaqet e mëposhtme:
a) nevoja për të kërkuar dhe shqyrtuar dokumente të shumta e voluminoze;
b) nevoja për t’i shtrirë kërkimet në zyra dhe mjedise që janë fizikisht të ndara nga zyra qendrore e autoritetit;
c) nevoja për t’u konsultuar me autoritete të tjera publike përpara marrjes së një vendimi për plotësimin ose jo të kërkesës. Vendimi për zgjatjen e afatit i njoftohet menjëherë kërkuesit.
4. Në çdo rast, mostrajtimi i kërkesës për informim brenda afateve të sipërpërmendura do të konsiderohet refuzim.
5. Dispozitat e këtij neni zbatohen edhe për njohjen me informacionin arkivor të çdo lloji.
KREU IV
KUFIZIMI I SË DREJTËS PËR INFORMIM
Neni 17
Kufizime
1. E drejta e informimit mund të kufizohet në rast se është e domosdoshme, proporcionale dhe nëse dhënia e informacionit dëmton interesat e mëposhtëm:
a) të drejtën për një jetë private;
b) sekretin tregtar;
c) të drejtën e autorit;
ç) patentat.
Kufizimi i së drejtës së informimit, për shkak të interesave të parashikuar në shkronjat “a”, “b”, “c” dhe “ç”, të kësaj pike, nuk zbatohet kur titullari i këtyre të drejtave ka dhënë vetë pëlqimin për dhënien e informacionit përkatës ose kur në momentin e dhënies së informacionit ai është konsideruar autoritet publik në bazë të parashikimeve të këtij ligji. Pavarësisht nga sa parashikohet në këtë pikë, informacioni i kërkuar nuk refuzohet në rast se ekziston një interes publik më i lartë për dhënien e tij.
2. E drejta e informimit kufizohet në rast se është e domosdoshme, proporcionale dhe nëse dhënia e informacionit shkakton një dëm të qartë dhe të rëndë ndaj interesave të mëposhtëm:
a) sigurinë kombëtare, sipas përkufizimit të bërë nga legjislacioni për informacionin e klasifikuar;
b) parandalimin, hetimin dhe ndjekjen e veprave penale;
c) mbarëvajtjen e hetimit administrativ në kuadër të një procedimi disiplinor; ç) mbarëvajtjen e procedurave të inspektimit dhe auditimit të autoriteteve publike;
d) formulimin e politikave monetare dhe fiskale të shtetit;
dh) barazinë e palëve në një proces gjyqësor dhe mbarëvajtjen e procesit gjyqësor;
e) këshillimin dhe diskutimin paraprak brenda ose midis autoriteteve publike për zhvillimin e politikave publike;
ë) mbarëvajtjen e marrëdhënieve ndërkombëtare ose ndërqeveritare.
Pavarësisht nga sa parashikohet në paragrafin e parë, të pikës 2, të këtij neni, informacioni i kërkuar nuk refuzohet në rast se ekziston një interes publik më i lartë për dhënien e tij. Kufizimi mbi të drejtën e informimit, për shkak të interesit të parashikuar në pikën 2, shkronjat “c” dhe “ç”, të këtij neni, nuk zbatohet kur hetimi administrativ, në kuadër të një procedimi disiplinor, dhe procedurat e inspektimit e të auditimit të autoriteteve publike kanë përfunduar.
Kufizimi mbi të drejtën e informimit, për shkak të interesit të parashikuar në pikën 2, shkronjat “d” dhe “dh”, të këtij neni, nuk zbatohet kur të dhënat përkatëse janë fakte, analiza të fakteve, të dhëna teknike ose të dhëna statistikore.
Kufizimi mbi të drejtën e informimit, për shkak të interesit të parashikuar në pikën 2, shkronja “e”, të këtij neni, nuk zbatohet pasi politikat janë bërë publike.
3. E drejta e informimit kufizohet, nëse është e domosdoshme, proporcionale dhe në qoftë se përhapja e informacionit do të shkelte sekretin profesional të garantuar nga ligji.
4. E drejta e informimit kufizohet edhe kur, pavarësisht nga ndihma e dhënë nga autoriteti publik, kërkesa mbetet e paqartë dhe bëhet i pamundur identifikimi i informacionit të kërkuar.
5. E drejta e informimit nuk refuzohet automatikisht kur informacioni i kërkuar gjendet në dokumente të klasifikuara “sekret shtetëror”. Në këtë rast, autoriteti publik, të cilit i është dërguar kërkesa për informim, fillon menjëherë procedurën e rishikimit të klasifikimit pranë autoritetit publik që ka urdhëruar klasifikimin, sipas ligjit nr. 8457, datë 11.2.1999, “Për informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror””, të ndryshuar. Autoriteti publik njofton menjëherë kërkuesin për fillimin e procedurës për rishikimin e klasifikimit, sipas ligjit, dhe vendos shtyrjen e afatit për dhënien e informacionit brenda 30 ditëve pune. Në çdo rast, vendimi për trajtimin ose jo të kërkesës për informim merret dhe arsyetohet në bazë të kritereve të këtij neni.
6. Nëse kufizimi prek vetëm një pjesë të informacionit të kërkuar, pjesa tjetër nuk i refuzohet kërkuesit. Autoriteti publik tregon qartë pjesët e dokumentacionit përkatës që janë refuzuar, si dhe në bazë të cilës pikë të këtij neni është bërë ky refuzim.
7. Dispozitat e këtij neni zbatohen edhe për njohjen me informacionin arkivor të çdo lloji, pavarësisht nga parashikimet e ligjit për arkivat.
KREU VI
KOMPETENCAT DHE PROCEDURAT PËR SHQYRTIMIN E ANKESAVE
Neni 24
Procedurat për shqyrtimin e ankesave
1. Çdo person, kur çmon se i janë shkelur të drejtat e parashikuara nga ky ligj, ka të drejtë të ankohet në rrugë administrative pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në përputhje me këtë ligj dhe Kodin e Procedurave Administrative.
2. Ankimi administrativ pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale bëhet brenda 30 ditëve pune nga dita kur:
a) ankuesi ka marrë njoftim për refuzimin e informacionit;
b) ka kaluar afati i parashikuar në këtë ligj për dhënien e informacionit.
3. Me marrjen e ankesës, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ia kalon atë strukturës që merret me të drejtën e informimit, e cila verifikon faktet dhe bazën ligjore të ankesës. Për këtë qëllim, ai mund t’u kërkojë ankuesit dhe autoritetit publik, kundër të cilit është bërë ankesa, të paraqesin parashtrime me shkrim, si dhe të informohet nga çdo person dhe burim tjetër. Kur e sheh të nevojshme, komisioneri zhvillon një seancë dëgjimore publike me pjesëmarrjen e palëve.
4. Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale merr vendim për ankesën brenda 15 ditëve pune nga dita kur është dorëzuar ankimi.
5. Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale vendos:
a) mospranimin e ankesës kur:
i) ka kaluar afati i parashikuar në pikën 2 të këtij neni;
ii) ankimi nuk paraqitet në formë shkresore;
iii) nuk tregohet emri dhe adresa e ankuesit;
b) pranimin e ankesës dhe urdhërimin e autoritetit publik për të dhënë informacionin e kërkuar, në mënyrë të plotë ose të pjesshme;
c) rrëzimin e ankesës, pjesërisht ose tërësisht;
ç) afatin, brenda të cilit autoriteti publik duhet të zbatojë urdhrin.
6. Në qoftë se Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale nuk merr vendim përpara mbarimit të afatit të parashikuar në pikën 4, të këtij neni, ankuesit i lind e drejta për t’iu drejtuar gjykatës.
7. Procedura administrative e parashikuar në këtë nen nuk cenon kompetencat e Avokatit të Popullit, lidhur me mbikëqyrjen dhe zbatimin e të drejtave civile, sipas ligjit nr. 8454, datë 4.2.1999, “Për Avokatin e Popullit”.
-
17 Qershor 2022
Rregullore E Brendshme E Punës
RREGULLORE E BRENDSHME PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E INSTITUCIONIT TË AVOKATIT TË POPULLIT
- miratuar me Urdhërin e Brendshëm Nr. 129, datë 17.06.2022 –
RREGULLORE E BRENDSHME PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E
INSTITUCIONIT TË AVOKATIT TË POPULLIT
Tiranë, Qershor 2022
PËRMBAJTJA
Dispozita të Përgjithshme
Hyrje
Neni 1. Qëllimi
Neni 2. Baza Ligjore
Neni 3. Misioni dhe veprimtaria
Neni 4. Strukturat përbërëse të Institucionit të Avokatit të Popullit
Neni 5. Funksionet e larta të drejtimit
Neni 6. Përbërja
Neni 7. Funksionet
Neni 8. Drejtori i Kabinetit
Neni 9. Këshilltarët e Avokatit të Popullit
Neni 10. Këshilltari për Median
Neni 11. Sekretaria e Avokatit të Popullit
Neni 12. Për vlerësimin e performancës në punë të Kabinetit të Avokatit të Popullit
Neni 13. Sekretari i Përgjithshëm
Neni 14. Seksioni
Neni 15. Komisioneri
Neni 16. Për vlerësimin e performancës në punë të Komisionerëve të Avokatit të Popullit
Neni 17. Ndihmëskomisioneri
Neni 18. Detyrat kryesore të ndihmëskomisionerit
Neni 19. Rregullat dhe procedurat për shqyrtimin e çështjeve
Neni 20. Drejtoria e Financës, Shërbimeve dhe Pritjes së Qytetarëve
Neni 21. Sektori i Financës dhe Prokurimeve
Neni 22. Sektori i Burimeve Njerëzore
Neni 23. Sektori i Shërbimeve
Neni 24. Sektori i Teknologjisë së Informacionit dhe Pritjes së Qytetarëve
Neni 25. Sektori për Bashkëpunimin Ndërkombëtar dhe Integrimin Evropian
Neni 26. Zyra e Protokoll-arkivës
Neni 27. Zyrat Rajonale
Neni 28. Pritja e ankesave, kërkesave dhe njoftimeve
Neni 29. Pranimi i ankesave në Sektorin e Pritjes së Qytetarëve
Neni 30. Formulari tip
Neni 31. Ankesat jashtë juridiksionit
Neni 32. Ankesat anonime
Neni 33. Vleresimi paraprak i ankesave
Neni 34. Ndjekja e ankesave të pranuara
Neni 35. Rastet me iniciative
Neni 36. Kontakti me ankuesit
Neni 37. Veprimet e ndihmëskomisionerit
Neni 38. Ndërprerja e hetimit
Neni 39. Kryerja e një hetimi të pavarur
Neni 40. Afati i kryerjes së hetimeve
Neni 41. Aksesi për të hyrë në institucionet publike
Neni 42. Inspektimet në vendet e privimit të lirisë
Neni 43. Përfundimi i hetimeve dhe përgatitja e raportit
Neni 44. Mosveprimi nga organet e administratës publike
Neni 45. Statusi i zbatimit të rekomandimeve si dhe kërkesave për shpjegime
Neni 46. Juridiksioni
Neni 47. Informimi për aktet e miratura nga organet shtetërore
Neni 48. Grupet e shërbimit për ditët e pushimit javor dhe ditët e festave zyrtare
Neni 49. Regjistrat e Institucionit
Neni 50. Regjistri i përgjithshëm i dosjeve
Neni 51. Regjistri për dosjet e shqyrtuara në seksion
Neni 52. Regjistri i Rekomandimeve
Neni 53. Hapja dhe mbyllja e regjistrit
Neni 54. Dosjet e kërkesave
Neni 55. Regjistri special i korrespondencës sekrete dhe konfidenciale
Neni 56. Llojet e akteve administrative
Neni 57. Hartimi i dokumenteve administrative në institucionin e Avokatit të Popullit
Neni 58. Dokumentet administrative
Neni 59. Për njësimin e dokumentave administrative
Neni 60. Dokumentet administrative që vijnë në adresë të institucionit të Avokatit të Popullit
Neni 61. Siglimi i dokumentave
Neni 62. Dokumentat administrative që nuk evidentohen dhe nuk dorëzohen në Arkiv-Protokoll
Neni 63. Përfaqësimi në gjykatë i institucionit të Avokatit të Popullit
Neni 64. Përgjegjësitë e funksioneve në marrëdhëniet me njëri-tjetrin
Neni 65. Dhënia e informacionit zyrtar
Neni 66. Përditësimi i faqes së internetit
Neni 67. Për ndjekjen e informacioneve që lidhen me objektin e punës së Avokatit të Popullit, në mjetet e komunikimit publik
Neni 68. Posta elektronike
Neni 69. Përpunimi i të dhënave personale
Neni 70. Parandalimi i konfliktit të interesit
Neni 71. Shërbimet brenda dhe jashtë vendit
Neni 72. Aktivet e institucionit
Neni 73. Donacionet
Neni 74. Menaxhimi i fondit arkivor
Neni 75. Administrimi i dosjeve të personelit
Neni 76. Trajnimi i punonjësve
Neni 77. Vlerësimi i rezultateve në punë të punonjësve
Neni 78. Orari zyrtar i punës
Neni 79. Hyrje – daljet dhe lëvizjet në ambientet e institucionit
Neni 80. Pasqyrimi i prezencës në punë
Neni 81. Veshja dhe sjellja etike në punë
Neni 82. Administrimi i automjeteve dhe karburantit
Neni 83. Parkimi i automjeteve
Neni 84. Rregullat për mirëmbajtjen dhe sigurinë në ambientet e institucionit
Neni 85. Mospajtueshmëria
Neni 86. Strukturat për zbatimin e rregullores
Neni 87. Hyrja në fuqi
HyrjeNë zbatim të nenit 39 të ligjit nr. 8454, datë 04.02.1999, “Për Avokatin e Popullit”, i ndryshuar, në të cilën përcaktohet se “Avokati i Popullit miraton rregulloren e brendshme të institucionit, e cila hartohet në bashkëpunim me komisionerët”, është hartuar kjo rregullore e re, e cila përbën një akt-normativ të Avokatit të Popullit, i detyrueshëm për tu zbatuar nga të gjitha strukturat e institucionit.
Kjo rregullore do t’i shërbejë institucionit në realizimin e përpjekjeve të tij për të përmbushur prerogativat ligjore si edhe për të siguruar rregulla të qëndrueshme, demokratike dhe stimuluese mbi të cilat do të bazohen marrëdhëniet e përditshme të punës.
Rëndësia e miratimit të një rregulloreje të re imponohet nga ndryshimet e herëpashershme të strukturës të instiucionit, nevojës së rregullimit, adresimit dhe përmirësimit të çështjeve të ndryshmme administrative të hasura gjatë praktikës së përditshme të punës si dhe nevojës për të patur një rregullim të detajuar që garanton efiçencën, efikasitetin, llogari-dhënënien dhe transparencën, në punën e institucionit të Avokatit të Popullit.
Gjithashtu, qëllimi i saj mbetet zhvillimi i veprimtarisë së Institucionit mbi bazën e parimeve të pavarësisë, paanësisë, profesionalizmit, konfidencialitetit dhe fleksibilitetit në përmbushjen e qëllimeve të tij, në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të njeriut, të parashikuara nga Kushtetuta shqiptare, aktet ndërkombëtare të ratifikuara si dhe nga legjislacioni shqiptar.
Rregullorja paraqet në mënyrë shumë funksionale dhe të plotë detyrimet e të gjitha strukturave të brendshme, në kuadrin e plotësimit të detyrës së tyre si të pavarura njëra nga tjetra, si dhe përcakton përgjegjësitë e secilës strukturë në kuadrin e misionit si institucion. Ajo shërben si udhëzues dhe referues kryesor për njohjen, kuptimin dhe realizimin e detyrimeve në kuadrin e strukturës që shërben ose drejton.
Në të njëjtën kohë, ajo përcakton kriteret themelore të funksionit dhe nivelin e kërkuar të përgjegjësive funksionale. Në këtë mënyrë rregullorja krijon kushte për një veprimtari të lirë brenda kuadrit ligjor të fushës, ku secili ndjen e mban përgjegjësi për kontributin që jep.
Rregullorja në mënyrë të natyrshme e vendos veprimtarinë e secilit individ në pozita të normuara brenda kuadrit rregullator të veprimtarisë së strukturës. Ajo vendos strukturën në pozita të përgjegjshme përpara institucionit, duke i dhënë kuptim unitetit të veprimtarisë së tyre ndaj njëra-tjetrës në kuadrin e përmbushjes së misionit të institucionit të Avokatit të Popullit.
Çdo parashikim në të duhet të interpretohet në frymën e realizimit të qëllimit të institucionit: mbrojtja dhe promovimi i të drejtave edhe lirive të qytetarëve.
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi
Kjo Rregullore ka për qëllim përcaktimin e rregullave lidhur me:
- Organizimin dhe funksionimin e brendshëm të institucionit të Avokatit të Popullit dhe zyrave rajonale në varësi të tij;
- Të drejtat dhe detyrimet për të gjithë punonjësit e institucionit në lidhje me përmbushjen e rregullt të detyrave të caktuara konform kuadrit ligjor në fuqi, strukturës organizative, urdhërave dhe rregulloreve, të miratuar nga Avokati i Popullit;
- Administrimin e dokumenteve të krijuara, të mbledhura apo të ardhura në adresë të institucionit të Avokatit të Popullit.
Neni 2
Baza Ligjore
Rregullorja e Brendshme për organizimin dhe funksionimin e institucionit të Avokatit të Popullit bazohet në ligjin nr. 8454, datë 04.02.1999, “Për Avokatin e Popullit”, i ndryshuar, dhe mban në vëmendje parashikimet e ligjit nr.7961, datë 17.07.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërise”, i ndryshuar, ligjit nr.9367, datë 07.04.2005, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar, ligjtn nr. 9049, datë 10.04.2003, “Për detyrimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar, ligjit nr. 9131, datë 08.09.2003 “Për rregullat e etikës në administratën publike”, ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, ligjit nr.153/2013 “Për nënpunësin civil”, i ndryshuar, ligjit nr. 9154, datë 6.11.2003 “Për arkivat”, si dhe në aktet nënligjore të nxjerra në bazë dhe për zbatim të tyre.
Neni 3
Misioni dhe veprimtaria
- Avokati i Popullit mbron të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshëm të individit nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme e të parregullta të organeve të administratës publike, si dhe të të tretëve që veprojnë për llogari të saj.
- Avokati i Popullit i udhëhequr nga parimet e paanësisë, konfidencialitetit, profesionalizmit dhe pavarësisë ushtron veprimtarinë në mbrojtje të të drejtave dhe të lirive të njeriut, të parashikuara në dispozita kushtetuese dhe në ligje. Gjithashtu, Avokati i Popullit ka për mision edhe mbrojtjen e të drejtave të të huajve, të cilët janë ose jo rezidentë të rregullt në Shqipëri, të refugjatëve, si dhe të personave pa shtetësi që ndodhen në territorin e Republikës së Shqipërisë, sipas kushteve të parashikuara në ligj. Në ushtrimin e mandatit kushtetues, Avokati i Popullit zbaton në punën e tij standartet më të larta të të drejtave të njeriut, duke pasur në vëmendje të veçantë Parimet e Venecias dhe Parimet e Parisit.
Neni 4
Strukturat përbërëse të Institucionit të Avokatit të Popullit
- Strukturat përbërëse të institucionit të Avokatit të Popullit janë:
- Kabineti
- Seksioni
- Drejtoria
- Sektori
- Kabineti është strukturë organizative që funksionon pranë Avokatit të Popullit. Ai luan një rol të rëndësishëm konsultativ dhe verifikues për problemet dhe fushën e përgjegjësisë që mbulon Avokati i Popullit, si dhe shërben si strukturë filtruese e problemeve administrative.
- Seksioni është struktura bazë e institucionit të Avokatit të Popullit. Ai është përgjegjës për fushën e përgjegjësisë dhe të drejtave specifike që mbulon në kuadrin e misionit të strukturës përkatëse. Për problemet e përkatësisë së saj ajo luan rolin kryesor këshillues të drejtuesit më të lartë të strukturës ku ndodhet.
- Drejtoria është strukturë mbështetëse e institucionit të Avokatit të Popullit. Ajo është përgjegjëse për fushën e drejtimit që mbulon në kuadrin e misionit të strukturës përkatëse. Për problemet e përkatësisë së saj ajo luan rolin kryesor këshillues të drejtuesit më të lartë të strukturës ku ndodhet.
- Sektori është strukturë mbështetëse e institucionit të Avokatit të Popullit. Ai është më i specializuar për elementët e veçantë të një fushe drejtimi. Ai mund të jetë brenda një drejtorie ose i pavarur, kur fusha që mbulon nuk ka lidhje me natyrën e punës së drejtorisë por luan rol të rëndësishëm në plotësimin e misionit të strukturës së institucionit të Avokatit të Popullit.
Neni 5
Funksionet e larta të drejtimit
Avokati i Popullit është autoriteti më i lartë i institucionit. Ai drejton institucionin dhe e përfaqëson atë. Avokati i Popullit, përmes aktivitetit të tij zyrtar e publik si dhe angazhimeve kombëtare dhe ndërkombëtare, siguron realizimin e objektivave në fushën e parandalimit, mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut dhe mbrojtjes së tyre nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme e të parregullta të organeve të administratës publike, si dhe të të tretëve që veprojnë për llogari të saj. Në ushtrimin e kësaj detyre ai mbeshtetet nga Komisionerët me të cilet bashkërendon punën për të siguruar realizimin e mandatit siç përcaktohet nga legjislacioni në fuqi.
Për më shumë shfletoni rregulloren e brendshme të plotë të institucionit të Avokatit të Popullit.