24 Tetor 2022

Bashkimi Evropian Dhe Institucioni I Avokatit Të Popullit Në Shqipëri Lançuan Projektin E Binjakëzimit


Bashkimi Evropian dhe institucioni i Avokatit të Popullit në Shqipëri lançuan projektin e binjakëzimit

Bashkimi Evropian dhe institucioni i Avokatit të Popullit në Shqipëri lançuan projektin e binjakëzimit Mbështetje për Zyrën e Avokatit të Popullit dhe promovimi i të drejtave të njeriut në Shqipëri”.

Më datë 24 Tetor 2022, institucioni i Avokatit të Popullit në Shqipëri zhvilloi takimin lançues të projektit të binjakëzimit “Mbështetje për Zyrën e Avokatit të Popullit dhe Promovimi i të Drejtave të Njeriut në Shqipëri”, i financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Para anëtarësimit.

Në këtë Projekt Binjakëzimi, Avokati i Popullit Shqipëri po bashkëpunon me Bordin e Avokatit të Popullit dhe Institutin për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut Ludwig Boltzmann, Austri.

Ky projekt synon përafrimin e kuadrit ligjor në fuqi për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në përputhje me atë të acquis së BE-së, forcimin e kapaciteteve të stafit të Avokatit të Popullit si një Institucion Kombëtar për të Drejtat e Njeriut dhe ofrimin e rekomandimeve për përmirësimin e sistemit të menaxhimit të çështjes sipas modeleve të suksesshme të shteteve anëtare të BE-së.

Takimi u hap me fjalën e znj. Erinda Ballanca, Avokate e Popullit dhe vijoi me z. Christian Steiner, Ambasador i Republikës së Austrisë në Shqipëri, z. Hubert Perr, Kreu i Zyrës së Bashkëpunimit, Delegacioni i BE-së në Shqipëri, znj. Jutta Gutzkow, Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Shqipëri, znj. Patricia Mussi-Mailer, Drejtor Administrativ i Institutit për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut Ludwig Boltzmann. Në fund të takimit, z. Peter Kastner, Drejtues i Projektit i Shtetit Anëtar/Zëvendës Drejtor i Kabinetit pranë Bordit të Avokatit të Popullit, Austri dhe Katrin Wladasch, drejtuese e komponentit për forcimin e kapaciteteve i prezantuan të pranishmëve projektin në mënyrë më të detajuar.  

Gjatë takimit u theksua rëndësia e projektit të binjakëzimit në kuadër të hapjes së negociatave të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Gjithashtu, u prezantuan disa prej rezultateve të deritanishme si nisja e punës për përafrimin e legjislacionit, duke rishikuar ligjin në fuqi, zbatimi i komponentëve lidhur me rritjen e kapaciteteve të stafit të Avokatit të Popullit, si dhe përmirësimin e sistemit të menaxhimit të çështjes.

Znj. Ballanca në fjalën e saj përshëndetëse u shpreh se “Problemet që ka ende Shqipëria në fushën e të drejtave të njeriut janë të mëdha, por nuk e imagjinoj dot distancën që do të kishim me pikën ku jemi sot, po të mos ishte aty Europa për ne, me intensitetin e rrezatimit të saj demokratik dhe humanist. Ky projekt që po lançojmë sot është një dëshmi e kujdesit që Europa ka për një institucion të të drejtave të njeriut në një vend europian si Shqipëria. Por për ne, ky është një ekzagjerim emocionues i asaj që Evropa mund të bëjë për ne, pasi ajo ka bërë tashmë kaq shumë thjesht duke ekzistuar”.

Z. Perr, Kreu i Zyrës së Bashkëpunimit, Delegacioni i BE-së në Shqipëri u shpreh se Shqipëria është Evropë, në të cilën projekti i binjakëzimit si një mjet për të ndarë eskpertizën, nëpërmjet bashkëpunimit ndërmjet partnerëve si Avokati i Popullit Shqipëri dhe Austri përçon vlera e standarde të Bashkimit Evropian. Për më tepër, ai nënvizoi se projekti është i rëndësishëm parë në kontekstin e zgjerimit, duke qenë se janë hapur negociatat për Shqipërinë, si dhe faktit se të drejtat e njeriut sipas kriterit të Kopengahenit janë thelbi i këtij procesi.

Z. Steiner, theksoi rolin e rëndësishëm që Austria ka patur në mbështetjen ofruar vendit tonë nëpërmjet projekteve të ndryshme si asistenca e ofruar nga Instituti për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut Ludwig Boltzmann në disa projekte në Shqipëri, apo edhe nëpërmjet projektit që po implementohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) në fushën e shtetit të së drejtës, duke kontribuar kështu edhe më tepër në procesin e integrimit të Shqipërisë.

Znj. Gützkow, shprehu angazhimin dhe vullnetin e saj personal për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet Zyrës së Këshillit të Evropës dhe Avokatit të Popullit në fushën e mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut duke krijuar një kulturë të re, por edhe në fusha të tjera bashkëpunimi.

Znj. Mussi-Mailer, vlerësoi bashkëpunimin e mirë ndërmjet partnerëve në zbatimin e këtij projekti, dhe theksoi rolin e tij në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, si dhe u shpreh se pavarësisht faktit se institucioni i Avokatit të Popullit perceptohet gjerësisht si kontrolluesi më i besueshëm dhe më efektiv i ekzekutivit, bashkëpunimi me parlamentin, burimet njerëzore, teknike dhe financiare duhet të forcohen më tej. Ajo nënvizoi angazhimin maksimal të institutit në mbështetjen që do t’i ofrohet Avokatit të Popullit dhe vendit tonë nëpërmjet projektit të binjakëzimit në rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE.

Z. Kastner, vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm ndërmjet partnerëve si dhe prezantoi shkurtimisht hapat e parë të suksesshëm, duke u fokusuar në zbatimin e tri komponentëve të projektit dhe u shpreh besimplotë se projekti do të vijojë të implementohet në mënyrë efiçente dhe konstruktive. Si rezultat të rëndësishëm deri më tani, ai përmendi mbledhjen e informacioneve mbi kuadrin ligjor në fuqi, mangësitë aktuale në kuadrin legjislativ dhe sfidat kryesore lidhur me mandatin dhe funksionin e Avokatit të Popullit, me qëllim përafrimin e legjislacionit në fuqi me acquis e BE-së.

Më shumë informacion rreth Projektit të Binjakëzimit gjeni në faqen e Avokatit të Popullit në lidhjen: https://www.avokatipopullit.gov.al/sq/categories/activities/projekte/article

Partnerët e Projektit të Binjakëzimit:

  • Avokati i Popullit, Shqipëri
  • Bordi i Avokatit të Popullit (AOB), Austri
  • Instituti për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut Ludwig Boltzmann, Austri