30 Prill 2026

Avokati I Popullit Mirëpret Studentët E Drejtësisë: Të Rinjtë, Partneri Ynë Kryesor Në Mbrojtjen E Të Drejtave Të Njeriut


Avokati i Popullit mirëpret studentët e Drejtësisë: Të rinjtë, partneri ynë kryesor në mbrojtjen e të drejtave të njeriut

Institucioni i Avokatit të Popullit synon të rrisë numrin e ankesave që vijnë nga të rinjtë, ndaj janë mirëpritur në ambientet tona një grup studentësh të drejtësisë nga Universiteti i Tiranës. Ky takim shërbeu si një platformë dialogu mbi rolin e institucionit në mbrojtjen e lirive themelore dhe nevojën për një angazhim aktiv të të rinjve në kërkimin e llogaridhënies publike.

Gjatë bashkëbisedimit, Avokati i Popullit, z. Endrit Shabani, njohu studentët me prioritetet e mandatit të tij, duke u ndalur veçanërisht te procesi i modernizimit të shërbimeve. Z. Shabani theksoi se rritja e shpejtësisë së trajtimit të ankesave dhe digjitalizimi i proceseve janë hapa thelbësorë për t’u garantuar qytetarëve një përgjigje efektive dhe në kohë reale.

Interesi i studentëve u fokusua në aspekte kyçe të funksionimit të institucionit, si: niveli i zbatimit të tyre nga organet e administratës shtetërore apo nevoja për përmirësime në kuadrin rregullator që do të forconin autoritetin e Avokatit të Popullit në raport me institucionet abuzive. 

Në mbyllje të takimit, z. Shabani vlerësoi qasjen kritike të juristëve të ardhshëm, duke i ftuar ata ta shohin këtë institucion si aleatin e tyre të parë.

"Ne duam që të rinjtë të jenë të parët që trokasin tek Avokati i Popullit. Besimi juaj është motori që na nxit drejt një administrate më transparente dhe një shteti më të drejtë," u shpreh z. Shabani.