14 Korrik 2026

Avokati I Popullit Takon Sindikatën E Shërbimeve Policore: Punonjës Sigurie Pa Ujë Të Pijshëm Dhe Pa Pagesë Për Orët Shtesë


Avokati i Popullit takon Sindikatën e Shërbimeve Policore: Punonjës sigurie pa ujë të pijshëm dhe pa pagesë për orët shtesë

Avokati i Popullit, Endrit Shabani, priti përfaqësuesit e Sindikatës së Shërbimeve Policore të Shqipërisë, e cila përfaqëson punonjësit e policisë, gardianët e burgjeve dhe shërbimet e tjera të sigurisë publike në vend.

Përfaqësuesit e sindikatës ngritën shqetësime konkrete për kushtet e punës: turne të zgjatura pa ujë të pijshëm dhe pa transport, mos-pagesë e orëve shtesë, paga të ulëta dhe mungesë e kompensimit me ushqim. Ata kërkuan ndërhyrjen e institucionit që këto probleme të adresohen me prioritet dhe zëri i tyre të dëgjohet aty ku merren vendimet.

Avokati i Popullit, Endrit Shabani, u angazhua që në raportin e ardhshëm vjetor të ketë një seksion edhe për të drejtat e punonjësve të burgjeve. 

“Shteti u kërkon këtyre punonjësve të rrezikojnë jetën për sigurinë publike, por nuk u garanton as ushqim dhe ujë të pijshëm gjatë shërbimit. Dinjiteti i atyre që garantojnë sigurinë nuk është privilegj, por detyrim ligjor,”-tha Shabani. 

Avokati i Popullit do tu drejtohet autoriteteve përgjegjëse me rekomandimet përkatëse për problematikat e ngritura.