16 Prill 2026

Fjala E Avokatit Të Popullit, Z. Endrit Shabani Në Tryezën E Diskutimit Të Gjetjeve Paraprake Të Avokatit Të Popullit Për Vitin 2025


Fjala e Avokatit të Popullit, z. Endrit Shabani në tryezën e diskutimit të gjetjeve paraprake të Avokatit të Popullit për vitin 2025

E nderuar Nënkryetare e Kuvendit,

Të nderuar përfaqësues të institucioneve të larta të drejtësisë,

Shkëlqesi Ambasadorë dhe të nderuar përfaqësues të trupit diplomatik,

Të nderuar drejtues e përfaqësues të misioneve dhe organizatave ndërkombëtare,

Të nderuar kolegë dhe partnerë të shoqërisë civile,

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Ju falënderoj për praninë tuaj sot, në këtë diskutim mbi raportin vjetor të Avokatit të Popullit.

Ky dokument shënon një moment kthese për ne. Për 25 vite, raporti i Avokatit të Popullit ka qenë kryesisht një bilanc i punës sonë të brendshme.

Këtë vit, kemi vendosur ndryshe. Synojmë që raporti të shërbejë si fotografia vjetore e mirëqeverisjes dhe e gjendjes reale të të drejtave të njeriut në Shqipëri.

Padyshim një raport i tillë nuk mund të mbetet thjesht zëri i një zyre të vetme. Nuk mund të jetë as vetëm zëri i atyre qytetarëve që zgjodhën të ankohen tek ne. Ai duhet—dhe synon të jetë zëri i mbarë shoqërisë.

Kjo është arsyeja pse e kemi zhvilluar këtë aktivitet sot. Duam t'u japim mundësinë aktorëve të shoqërisë civile të ofrojnë komente mbi gjetjet tona, si dhe të kontribuojnë me të dhënat e tyre nga terreni.

Qëllimi është që zëri i shoqërisë civile të bëhet pjesë integrale e Raportit Vjetor të Avokatit të Popullit.

Vlen të theksohet se, falë ndryshimeve ligjore të dhjetorit 2025, kjo është hera e parë që nga themelimi i institucionit të Avokatit të Popullit që drafti i raportit bëhet publik përpara dorëzimit në Kuvend. Ky takim dëshmon qartë vizionin tonë për transparencë të plotë me qytetarët.

Por kjo qasje e re kërkon që të reformojmë jo vetëm formën e raporteve, por vetë thelbin e mënyrës se si funksionojmë si institucion.

Vizioni im për pesë vitet e ardhshme mbështetet në pesë objektiva kryesorë, me synimin për ta kthyer Avokatin e Popullit në një zë më të fuqishëm për qytetarët:

Së pari, modernizimi dixhital.

Për të eliminuar vonesat burokratike, po dixhitalizojmë të gjithë ciklin e ankesave. Nga marrja e kërkesës deri te nxjerrja e rekomandimit, çdo hap do të jetë online. Qytetari do të shohë në kohë reale se cila zyrë po punon me dosjen e tij dhe çfarë veprimesh janë kryer. Kjo rrit transparencën dhe llogaridhënien tonë, duke ushtruar njëkohësisht një presion të shëndetshëm mbi vetë administratën.

Së dyti, rekomandime me ndikim real. Hartuesit e Kushtetutës nuk e konceptuan këtë institucion si një arkivë shkresash, por si garant të lirive thelbësore. Prandaj, kur ne flasim, gjërat duhet të ndryshojnë. Për ta arritur këtë, do të ndërtojmë ura bashkëpunimi me agjencitë shtetërore. Megjithatë, aty ku hasim rezistencë, nuk do të hezitojmë të përdorim çdo instrument ligjor ndaj kujtdo zyrtari që shkel të drejtat e qytetarëve.

Së treti, të jemi të pranishëm për çdo grupmoshë dhe në çdo cep të vendit. Për të rinjtë, do të flasim gjuhën e tyre. Do të jemi më aktivë në rrjetet sociale dhe do të mundësojmë ankesa përmes aplikacioneve. Për shtresat në nevojë, shërbimi postar drejt nesh do të jetë falas. Gjithashtu, do të hapim zyra përfaqësimi në periferi dhe në lagjet e margjinalizuara. Pikërisht aty ku harresa shtetërore ndihet më thellë.

Së katërti, fuqizimi i shoqërisë civile. Vizioni ynë është që kjo punë t'ju shërbejë drejtpërdrejt juve. Për këtë, po krijojmë mjete analitike si Barometri i Qeverisjes së Mirë, Indeksi i Barazisë dhe Harta Kombëtare e të Drejtave. Këto do t'ju ndihmojnë të ekspozoni abuzimet me pushtetin dhe të matni progresin real ndër vite.

Së pesti, rritja e besimit të publikut. Synimi im është që Avokati i Popullit duhet të bëhet institucioni më i besueshëm në Shqipëri. Duke qënë të vetëdijshëm se besimi fitohet, po ndërtojmë një qasje të re komunikimi. Ne do ta hapim plotësisht institucionin, dhe do të dalim nga komoditeti i zyrave tona për të qenë vazhdimisht në terren, aty ku njerëzit përballen drejtpërdrejt me padrejtësitë. Paralelisht, do të jemi shumë më të pranishëm në media dhe do të përdorim formate bashkëkohore komunikimi si podkastet. Duam t'u flasim qytetarëve drejtpërdrejtë, në mënyrë që ata ta shohin këtë institucion si aleatin e tyre sa herë që administrata iu përplas një derë.

 

Ky vizion kërkon kontribut të përbashkët.

Dhe në fakt, gjej rastin të theksoj ndihmën që kemi marrë projekti PACEP II, i cili  po na asiston në funksionin tonë llogaridhënë përballë Kuvendit dhe qytetarëve, duke asistuar nga vlerësimi i nevojave te strategjitë e reja dhe metodologjia e rekomandimeve Ndaj, në emër të institucionit tonë i shpreh mirënjohjen Ambasadës së Zvicrës, Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, si dhe GPG Albania.

Tani le të ndalemi te gjetjet e raportit.

Në një fazë ku Shqipëria ka detyrime thelbësore për Kapitujt 23 dhe 24 të integrimit evropian, ne nuk duam thjesht të prodhojmë një dokument rutinor. Duam të ofrojmë një skaner të vërtetë të gatishmërisë së shtetit tonë. Përafrimi i legjislacionit është i rëndësishëm, por standardet evropiane nuk maten me ligje në letër. Ato maten me ujin që mungon në fshat. Me mungesën e ngrohjes në shkolla. Me vendimet e gjykatave që injorohen dhe me gratë që mbeten pa mbrojtje.

Ky draft pasqyron pikërisht këtë realitet, i ndarë në pesë kapituj:

Kapitulli i parë trajton mirëqeverisjen dhe llogaridhënien.

Siç do të detajojë më vonë komisionerja Erinda Meli, numrin më të lartë të ankesave e marrin më lidhje me punën e Agjencisë Shtetërore e Kadastrës.

Mbi 27 mijë vendime përfundimtare pronësie mbeten ende të paregjistruara. Ndërkohë, vetëm një e treta e vendimeve për kompensim janë ekzekutuar. Kemi qytetarë me dosje të plota që presin dëmshpërblim për përmbytjet e vitit 2010. Kjo sjellje e administratës krijon pasiguri të thellë juridike dhe mban peng të drejtën e pronës.

Në nivel lokal, pushteti vendor shpesh shmang llogaridhënien dhe dështon në funksionet e tij mbrojtëse. Zjarri i rënë këtë javë në një pallat në Tiranë zbuloi institucione vendore të papërgatitura.

Përtej aspektit penal, për të cilin ne ligji nuk na lejon të ndërhyjmë, ka një aspekt administrativ që ngarkon me përgjegjësi pushtetin vendor. Nga hetimi paraprak, kemi konstatuar problematika që lidhen me garantimin e sigurisë teknike të godinave, apo probleme me planifikimin e hapësirave për ndërhyrjen e zjarrfikëseve.

Duke ditur se ky nuk është një rast i izoluar, Avokati i Popullit ka ngritur një Task-Forcë. Ky grup po heton sigurinë e banesave të përbashkëta në kryeqytet dhe do të dalë me rekomandime konkrete ligjore e administrative.

Ndërkohë, i kemi kërkuar Bashkisë së Tiranës të ofrojë zgjidhje të menjëhershme strehimi për banorët e prekur, përmes programeve të saj të strehimit social.

Ndër të tjera, ky rast nxori në pah nevojën që Avokati i Popullit të ketë kompetenca edhe mbi sektorin privat për të mbrojtur konsumatorët, siç është marrëdhënia e banorëve me ndërtuesin e pallatit. Këtë kërkesë e kemi përfshirë në projektligjin e ri, dhe sot gjej rastin t'ia kujtoj Kuvendit këtë domosdoshmëri.

 

Kapitulli i dytë i raportit analizon të drejtat politike dhe civile.

Komisioneri Besnik Deda do t'ju njohë me gjetjet e vitit 2025, por thelbi mbetet alarmant. Gjykatat tona punojnë me vetëm 66% të kapaciteteve njerëzore. Zvarritjet janë aq ekstreme, saqë qytetarët presin mesatarisht mbi 4 vjet e 3 muaj për të materializuar një vendim gjyqësor.

Ndërkohë, burgjet mbeten të mbipopulluara; rreth 57% e të burgosurve mbahen aty pa një vendim të formës së prerë. Jashtëzakonisht shqetësues është edhe trajtimi i të miturve të ndaluar në protesta, të cilët në disa raste janë marrë në pyetje nëpër komisariate pa praninë e prindit apo të psikologut.

 

Kapitulli i tretë mbulon të drejtat ekonomike dhe sociale.

Siç do të trajtojë komisionerja Vilma Shurdha, megjithëse kemi legjislacion të mirë, sfida është mbrojtja reale në praktikë. Këtu vërejmë "paradoksin e digjitalizimit". Në vend që të ofrojnë lehtësi, platformat online po kthehen në pengesë për më të varfrit.

Rasti i një ankueseje nga Vora është ilustrues: ajo jetonte në mjerim, por u përjashtua nga ndihma ekonomike thjesht sepse "sistemi nuk i gjeneronte pikët e mjaftueshme". Kjo tregon anën e errët të automatizimit të proceseve dhe varësisë nga algoritmet.

Kapitulli i katërt prek barazinë dhe mbrojtjen e grupeve të veçanta.

Këtu gjejmë plagë që kërkojnë ndërhyrje emergjente. Flasim për standarde, por gjatë zgjedhjeve të fundit, vetëm 207 nga mbi 880 qendra votimi ishin të aksesueshme për personat me aftësi të kufizuara. Kjo bëhet edhe më shqetësuese kur mendojmë se këto qendra ndodhen nëpër shkolla. Pra, janë vetë shkollat që nuk iu krijojnë kushte fëmijëve me aftësi ndryshe.

Për komunitetet e margjinalizuara, si ai rom në Baltëz, mungesa e ujit të pijshëm i mban ende në kushte mbijetese.

Mbi të gjitha, dhuna me bazë gjinore dhe femicidi mbeten plagë të rënda kombëtare. Dështimi i institucioneve për të zbatuar "urdhrat e mbrojtjes", duke i kthyer ato në copa letre pa asnjë mburojë reale për gratë, është i pafalshëm.

Së fundmi, kapitulli i pestë i dedikohet veprimtarisë sonë të brendshme. E kemi lënë veten në fund, sepse, siç e theksova në fillim: në qendër të këtij procesi nuk jemi ne, por qytetarët të cilëve u shërbejmë.

Dhe në përfundim, dua të theksoj se ky draft-raport që do të ndajmë sot është një fotografim i e realitetit për vitin që lamë pas.

Nëse nuk na pëlqen kjo fotografi, duhet secili të jap kontributin sipas mundësisë. Ne nuk mund t'ia dalim të vetëm.

Nga Kuvendi presim t'i kërkojë llogari, edhe përmes interpelancave, institucioneve publike që abuzojnë me pushtetin publik.

Nga partnerët ndërkombëtarë kërkojmë ta shohin këtë material si një udhërrëfyes se ku duhen fokusuar asistenca e huaj.

Ndërsa për kolegët e shoqërisë civile, kam tre pyetje përgjigjen e të cilave pres ta dëgjoj në pjesën e dytë të këtij aktiviteti.

  • E para, a përputhen gjetjet tona me atë që ju ndeshni çdo ditë në terren?
  • E dyta, a ka problematika që nuk i gjeni të përfshira ende në draft-raportin tonë?
  • Dhe e treta, cilën nga këto çështje duhet ta kthejmë në prioritetin e punës tonë të përbashkët, që bashkarisht t'u kërkojmë llogari institucioneve gjatë këtij viti?