14 Maj 2026

Më Shumë Siguri Për Fëmijët Tanë, Online Dhe Offline, Avokati I Popullit Takohet Me Drejtuesit E C.R.C.A


Më shumë siguri për fëmijët tanë, online dhe offline, Avokati i Popullit takohet me drejtuesit e C.R.C.A

Avokati i Popullit dhe Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA) zhvilluan një takim pune për të zyrtarizuar një bashkëpunim të ri strategjik. Në fokus të diskutimeve mes z. Endrit Shabani dhe z. Altin Hazizaj ishte mbrojtja e fëmijëve nga bullizmi online, shëndeti mendor dhe sfidat që sjell aplikimi i Aktit të Shërbimeve Digjitale (DSA) në ligjin shqiptar.


Palët ranë dakord për disa hapa konkretë të përbashkët:

CRCA do të referojë menjëherë rastet e bullizmit dhe abuzimit të raportuara në linjat e saj “ALO 116” dhe “iSIGURT”, të cilat do të ndiqen me prioritet nga Seksioni për Fëmijët i Avokatit të Popullit.

Me transpozimin e DSA (Aktit të Shërbimeve Digjitale) deri në fund të vitit 2026, të dy institucionet do të monitorojnë zbatimin e politikave vetë-rregulluese nga mediat online për të garantuar një mjedis më të sigurt për fëmijët.

Ky partneritet synon të forcojë zërin e fëmijëve dhe të sigurojë që çdo shkelje e të drejtave të tyre, qoftë në jetën reale apo atë virtuale, të marrë përgjigjen e duhur institucionale.