5 Qershor 2019

Konferenca “ Multilateralizmi Efektiv Në Luftën Kundër Torturës: Trendet Në Rajonin E Osbe Si Dhe Rruga Përpara” - Viene, Austri


Konferenca “ Multilateralizmi efektiv në luftën kundër torturës: Trendet në rajonin e OSBE si dhe rruga përpara” - Viene, Austri

Në datën 5 qershor 2019 u zhvillua në Vjenë, Austri, konferenca “ Multilateralizmi efektiv në luftën kundër torturës: Trendet në rajonin e OSBE si dhe rruga përpara” . Institucioni i Avokatit të Popullit u përfaqësua nga znj Ermonela Xhafa, Komisionere e Mekanizmit për Parandalimin e Torturës, si dhe nga znj Ermonela Ruspi, Komisionere e Seksionit të Veçantë.

Konferenca shpalosi një platformë për shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së, organizatat ndërkombëtare, si dhe shoqërinë civile për të marrë në konsideratë nismat ekzistuese shumëpalëshe dhe për të vlerësuar efektivitetin e tyre, në mënyrë që të ecin përpara me një reagim kolektiv në luftën kundër torturës dhe keqtrajtimeve të tjera. Ky dialog i hapur mes aktorëve kyç do t'u mundësojë pjesëmarrësve të identifikojnë sfidat, të sigurojnë qasje plotësuese dhe të diskutojnë si të forcojnë partneritetet me qëllim që të bëjnë përpjekje shumëpalëshe në luftën kundër torturës dhe keqtrajtimeve të tjera më efektive.
Konferenca u fokusua në tre objektiva kryesore: 1) Të vlerësojë përpjekjet ekzistuese multilaterale, 2) të identifikojë mundësitë për sinergji dhe partneritetet e reja strategjike me qëllim që bashkëpunimi shumëpalësh të jetë më efektiv dhe 3) të hartojë rekomandime se si të nxisin më tej përgjigjet shumëpalëshe.

Tortura nuk dallon nga terrorizmi
Tortura ka ndikimin e saj në radikalizimin
I duhet dhënë fund torturës dhe keqtrajtimit, kudo dhe në çdo kohë

U shkëmbyen experienca nga përfaqësuesit e institucioneve te ndryshme që kanë në fokus të punës së tyre të drejtat e njeriut, ku dhe Shqipëria ndau eksperiencën e saj, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile bënë paraqitje të përpjekjeve dhe projekteve të tyre për këtë temë.

Si një fjalë kyçe ishte “bashkëpunimi”. Bashkëpunimi në kuptimin multilateral mes vendeve jo vetëm të OSBE-së, ndërmjet institucioneve të të drejtave të njeriut, por dhe bashkëpunim në nivel lokal me institucionet shtetërore të çdo shteti, bashkëpunim me shoqërinë civile, bashkëpunim dhe me vetë viktimat e torturës.

Në fund të konferencës u dol me konkluzione, si dhe hapat që do të ndiqen më tej. Këto konkluzione u mbajtën nga Ambasadori i Slovenisë në OSBE, Radomir Bohać, si presidenca e rradhës së OSBE-së për 2019, si dhe nga Ambasadori i Shqipërisë në OSBE, Igli Hasani, në pozicionin e marrjes së Presidencës së OSBE-së, për vitin 2020.

Përfundimet dhe rekomandimet e mbledhjes mund të përdoren, ndër të tjera, për të frymëzuar veprime të mundshme të mëtejshme brenda OSBE-së në fushën e parandalimit të torturës.