12 Nëntor 2019

Inspektim Në Ievp Tepelenë


Inspektim në IEVP Tepelenë

Mekanizmi Kombëtar për parandalimin e torturës, trajtimit, dënimit të egër, çnjerëzor ose poshtërues, bazuar në nenin 19/1 të ligjit nr. 8454, datë 04.02.1999, “Për Avokatin e Popullit”, i ndryshuar, kreu një inspektim në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Tepelenë më datë 11.12.2019, sipas planit të inspektimit të miratuar nga Avokati i Popullit. Në përbërje të grupit inspektues morën pjesë përfaqësues të Mekanizmit Kombëtar, si dhe një përfaqësues i Komitetit Shqiptar të Helsinkit.
Qëllimi kryesor i inspektimit ishte vlerësimi i kushteve në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Tepelenë, në kuadër të respektimit të të drejtave dhe trajtimit të paraburgosurve dhe të dënuarve me burgim të përcaktuara në ligjin nr.8328 datë 16.04.1998 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, i ndryshuar, garantimin e të drejtave të këtyre personave sipas standardeve ndërkombëtare, si dhe masat e marra për zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit të lëna në inspektimin e mëparshëm.

Vizita u zhvillua në një frymë të mirë bashkëpunimi dhe në përputhje me metodologjinë e zhvillimit të inspektimit në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale.

Institucioni i Avokatit të Popullit bazuar në konstatimet e grupit të inspektimit ka detyrimin kushtetues dhe ligjor të parashtrojë gjetjet e këtij inspektimi dhe të bëjë rekomandimet përkatëse.

Forcimi i bashkëpunimit me Komitetin Shqiptar të Helsinkit, si dhe me OSHC të tjera, që japin kontributin e tyre të vyer, në fushën e të drejtave të njeriut, shkëmbimi i eksperiencave , tregojnë që Instucioni i Avokatit të Popullit është vazhdimisht i hapur për bashkëpunime të tilla dhe eksperiencave të mira në këtë drejtim.