8 Janar 2019

Avokati I Popullit Kërkon Masa Të Menjëhershme Për Sigurimin E Ngrohjes Dhe Standardit Jetësor Në Burgun E Fushë-Krujës


Avokati I Popullit Kërkon Masa Të Menjëhershme Për Sigurimin E Ngrohjes Dhe Standardit Jetësor Në Burgun E Fushë-Krujës

Në zbatim të urdhërit të Avokatit të Popullit nisur nga informacionet e medias se disa të burgosur të Institucionit të Ekzekutimit të Vendimit Penal (IEVP) Fushë-Krujë kishin refuzuar ushqimin në shenjë proteste për kushtet e këqija, keqmenaxhimin nga ana e drejtuesve të institucionit dhe mungesën e medikamenteve dhe kushteve materiale, një grup pune i institucionit të Avokatit të Popullit ka përfunduar më datë 08.01.2019 inspektimin në këtë burg.

Sipas procedurave të inspektimit grupi i punës mori informacion në vend gjatë takimit me Drejtorin e IEVP, Shefin e Policisë, si edhe disa të dënuar të seksionit të sigurisë së zakonshme (godina B).

Pasi është njohur me pretendimet e të dyja palëve, Institucioni i Avokatit të Popullit ka konstatuar problematika të shumta e të mbivendosura të cilat kanë shkaktuar një situatë mosbesimi dhe pakënaqësie të përgjithshme nga të dënuarit dhe të paraburgosurit në këtë institucion.

Ndër to renditen mungesa e ngrohjes edhe pse sistemi i kaldajës ishte funksional, mbipopullimin në nivele tërësisht jo-normale, si dhe përzierjen brenda të njëjtave ambiente të të dënuarve me të paraburgosurit, nivele të pakënaqshme të furnizimit me energji elektrike e ujë, etj.

Institucioni i Avokatit të Popullit ka përpiluar disa rekomandime paraprake për marrjen e masave nga ana e këtij institucioni të vuajtjes së dënimit të cilat konsistojnë në:

Marrjen e masave të menjëhershme për rregullimin dhe vënien në përdorim të sistemit të ngrohjes për muajt e ftohtë të vitit; 
Marrjen e masave të menjëhershme për adresimin e situatës së mbipopullimit, në respekt të nenit 24 të Ligjit nr.8328 dt.16.04.1998 ”Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve”, i ndryshuar, ku i sigurohet çdo të dënuari shtrat i veçantë dhe një komplet i përshtatshëm fjetjeje dhe standardi që çdo qeli të ofrojë minimalisht 4m2 hapësire jetike për person; 
Marrjen e masave të menjëhershme për adresimin e situatës së mungesës së energjisë elektrike si rezultat i mbingarkesës dhe defekteve në rrjetin e brendshëm të institucionit;

Marrjen e masave të menjëhershme për furnizimin me ujë të vazhdueshëm të ambienteve te jetesës së të dënuarve e të të paraburgosurve; 
Marrjen e masave të menjëhershme për ndarjen e regjimeve sipas Rregullores duke shmangur kështu bashkëjetesën e një të paraburgosuri me të dënuarit; 
Marrjen e masave për furnizimin me detergjent me qëllim higjienizimin e dhomave të banimit, ambienteve të jashtme, kuzhinës dhe magazinës së ushqimeve në mënyrë periodike;

Gjithashtu Avokati i Popullit ka përpiluar rekomandime paraprake për marrjen e masave edhe për sigurimin e shërbimit të rregullt mjekësor, për përmirësimin e komunikimit nga ana e personelit drejtues dhe garantimit të trajtimit njerëzor për të dënuarit, si dhe adresimin e problemeve që lidhen me çështje të komunikimit telefonik mes të dënuarve dhe familjarëve të tyre.