3 Dhjetor 2015

Tryezë E Rrumbullakët Mbi Situatën E Të Drejtave Të Njeriut Të Personave Të Privuar Nga Liria Në Institucionet Shtetërore Gjatë Vitit 2015


Tryezë e rrumbullakët mbi situatën e të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria në institucionet shtetërore gjatë vitit 2015

TAvokati i Popullit prezanton draft- Raportin e Veçantë të Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës 2015, para dorëzimit në Kuvendin e Shqipërisë

Avokati i Popullit në bashkëpunim me OSBE-në organizuan një tryezë të rrumbullakët (Auditorium) mbi situatën e të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria në institucionet shtetërore gjatë vitit 2015.

Në këtë auditorium u prezantua draft-Raporti i Mekanizmit Kombëtar të Parandalimit të Torturës (MKPT) përgjatë vitit 2015, pas kontrolleve dhe monitorimeve në: Institucionet penitenciare; Komisariatet e Policisë dhe Drejtoritë e policive Vendore; Spitalet psikiatrike; Qendrat Rezidenciale te te huajve, të azilkërkuesve dhe personave të trafikuar; Bazat dhe Repartet ushtarake; Pikat kufitare. Ky raport pas një diskutimi të gjerë me partner të shoqërisë civile, bashkëpunëtorë dhe aktorë të fushës do t’i dërgohet Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Shqetësimet e ngritura në raport lidhen me situatën e mbipopullimit në Qendrat e Vuajtjes së Dënimit, me trajtimin në mënyrë të paligjshme të personave me sëmundje mendore, të cilët nga gjykatat kanë marrë vendime për “mjekim të detyruar”; keqtrajtime apo forma të tjera dhune në IEVP, si dhe pengimin në disa raste të punës së ekspertëve të Avokatit të të Popullit, gjatë hetimit të këtyre rasteve të ushtrimit të dhunës.

Në këtë Auditorium mori pjesë edhe Zv. Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, z. Robert Wilton, si dhe zv. Ministri i Drejtësisë z. Eridian Salianji, përfaqësues të shoqërisë civile si dhe drejtues e specialistë të drejtorisë së burgjeve, etj. Kjo tryezë e përbashkët pune dhe diskutimi mbahet përmes mbështetjes financiare të Mbretërisë së Danimarkës për institucionin e Avokatit të Popullit në Shqipëri.

Në fjalën e tij, Avokati Popullit, z. Igli Totozani, fillimisht vlerësoi bashkëpunimin me ministrin aktual të Drejtësisë z. Ylli Manjani, duke theksuar se ndryshe nga më parë ka një vullnet pozitiv për zgjidhjen dhe kapërcimin e problemeve të konstatuara.

Pjesë nga fjala e Avokatit të Popullit z. Igli Totozani në tryezën e rrumbullakët mbi situatën e të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria në institucionet shtetërore gjatë vitit 2015:


“Institucioni i Avokatit te Popullit në rolin e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Tortures ka intensifikuar veprimtarine e tij monitoruese në komisariate policie, burgje dhe paraburgime, qendra të hapura apo të mbyllura dhe spitale psikiatrike duke zhvilluar një volum të konsiderueshëm pune në mbrojtjen e të drejtave dhe trajtimit të personave të privuar nga liria ne institucionet shtetërore.

Kam bindjen se ndajmë të njëjtin opinion kur konstatojmë përgjegjësinë e përbashkët institucionale dhe ligjore në respektimin e të drejtave të këtyre personave dhe përpjekjet për përmirësimin e kushteve dhe trajtimin dinjitoz të tyre. Dhe pikërisht ky është qëllimi I këtyre inspektimeve periodike dhe tematike, që MKPT i kryen në partneritet me organizata të shoqërisë civile dhe ekspertë multidisiplinorë.

Ky monitorim I vazhdueshëm përveçse rrit nivelin e transparencës dhe bashkëpunimit të ndërsjellë, përmirëson edhe metodologjinë e punes sonë sipas parimeve te OPCAT.

Rezultatet e këtyre inspektimeve të MKPT të kryera përgjatë vitit të kaluar janë finalizuar në një Draft- Raport të Veçantë që po e prezantojmë sot. Ndaj, mendoj se është me vend që këto gjetje t’I diskutojmë edhe në këtë auditorium, duke marrë në konsideratë faktin që një pjesë e mirë e tyre janë gjetje të përbashkëta me organizatat partnere.

Ajo që vihet re dhe është e pranuar edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve është fakti i mbipopullimit nëpër institucionet e paraburgimit dhe ato të ekzekutimit të vendimeve penale.

Mbipopullim me një mesatare vjetore prej 25% mbi kapacitet pavarësisht hapjes së IEVP Fier dhe IEVP Berat, si dhe rikonstruksionit të IEVP “Jordan Misja”. Një realitet, i cili patjetër duhet ndryshuar.

Mbetet akoma një shkelje flagrante e të drejtave të njeriut dhe e ligjit për shëndetin mendor trajtimi i personave për të cilët nga gjykatat është vendosur masa “mjekim i detyruar” dhe “shtrim i përkohshëm” në Institucione penitenciare e Spitale Psikiatrike.

Ligji për shëndetin mendor e ka parashikuar qartë në nenin 28 të tij, ngritjen e Institucionit të Posaçëm Mjekësor për të cilin pati edhe një Marrëveshje ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Shëndetësisë në 2014, por që nuk u zbatua asnjëherë.

Këta persona për të cilët shërbimi primar që i duhet ofruar është ai mjekësor i specializuar mbahen në institucione penitenciare, ku kushtet infrastrukturore, mungesat në burime njerëzore me staf të specializuar (mjekë psikiatër, ndihmës mjekë dhe kujdestar) e bëjnë këtë trajtim johuman dhe degradues.

Ndaj dhe së fundmi institucioni ynë ka rekomanduar mbylljen IEVP Krujë, si një institucion i cili nuk përmbush standardet për trajtimin e kësaj kategorie personash. Gjithashtu kemi rekomanduar marrjen e masave të menjëhershme për ngritjen e Institucionit të Posacëm Mjekësor.

Në të njëjtën kohë, duke marrë në konsideratë faktin që Mekanizmi është një strukturë e cila veçanërisht fokusohet në parandalimin dhe konstatimin e rasteve të përdorimit të presionit psikologjik, si edhe të forcës fizike tej kufijve të parashikuar me akte normative, mund të them që grupet e inspektimit kanë konstatuar raste dhune në IEVP dhe komisariate policie.

Me anë të rekomandimeve tona, këto I janë bërë të ditura edhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Policisë së Shtetit dhe Organit të Prokurorisë dhe janë reflektuar edhe në këtë Raport të posacëm të inspektimeve përgjatë vitit 2015 nga ana e MKPT-së.

Ndodh shpesh që punonjësit e policisë ndihmojnë njeri-tjetrin kur ka dyshime për raste keqtrajtimi ose ata tentojnë të mbulojnë veprimet e paligjshme të kolegëve. Duhet ndërmarrë një fushatë ndërgjegjësuese, përmes trajnimeve dhe shembujve personalë, në mënyrë që të promovohet një kulturë që e konsideron jo-profesionale dhe pengesë në karrierë mbeshtetjen dhe mbulimin e akteve të kolegëve që keqtrajtojnë të dënuarit apo të ndaluar/arrestuarit.

Askush nuk duhet të dyshojë në angazhimin e Avokatit të Popullit për të luftuar pandëshkueshmërinë. Ky angazhim do të jetë i pranishëm në çdo rast. Kur të jetë e nevojshme, Avokati i Popullit edhe në rolin e MKPT-së nuk do të hezitojë të veprojë me anë të rekomandimeve dhe përmes deklaratave deri në instancat më të larta politike shtetërore dhe gjyqësore për të dhënë mesazhin e qartë: se tortura dhe cdo formë tjetër keqtrajtimi në vendet e privimit të lirisë janë akte të patolerueshme dhe të dënueshme.

Së fundmi dua të ndaj me ju një fakt tepër shqetësues që për fat të keq është përsëritur nga ana e drejtuesve të burgjeve apo të policisë së burgjeve, në kundravajtje të plotë ligjore: Bllokimin e punës së ekspertëve të Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës, gjatë inspektimeve periodike ose hetimeve me qëllimin kryesor parandalimin e dhunës në institucionet e privimit nga liria.

Nuk janë të rralla situatat e vështira me të cilat janë përballur ekspertët e MKPT-së, gjatë ushtrimit të detyrave të tyre funksionale, kur janë penguar në mënyrë të paligjshme të hetojnë raste dhune në institucionet përkatëse si ato të Policisë së Shtetit ashtu edhe ato të ekzekutimit të vendimeve penale.

Të gjitha këto raste i janë referuar organit të Prokurorisë pasi përbëjnë vepër penale parashikuar në nenin 235/2 të Kodit Penal. Ky bllokim përvecse cënon veprimtarinë normale të Institucionit Kushtetues të Avokatit të Popullit dëmton edhe imazhin e tij.

Mirëpresim dhe përshëndesim çdo hap të ndërmarrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Policia e Shtetit në drejtim të adresimit të këtyre çështjeve, por edhe të tjerave që kanë për synim përmirësimin e kushteve dhe trajtimit në institucionet e privimit të ligjshëm të lirisë së shtetasve.

Tryeza të tilla në formate forumesh diskutimi janë një hap pozitiv drejt zgjidhjeve gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.

Në përfundim të fjalës sime, dua t’ju siguroj që MKPT është i hapur ndaj bashkëpunimit shumë dimensional dhe shumë disiplinor në mbrojtje dhe promovim të të drejtave të personave të privuar nga liria”.