25 Gusht 2023

Zhvillohet Takimi Publik Mbi Transparencën E Shqyrtimit Dhe Verifikimit Të Kandidaturave Për Anëtar Të Klgj Dhe Klp Nga Shoqëria Civile


ZHVILLOHET TAKIMI PUBLIK MBI TRANSPARENCËN E SHQYRTIMIT DHE VERIFIKIMIT TË KANDIDATURAVE PËR ANËTAR TË KLGJ DHE KLP NGA SHOQËRIA CIVILE

U zhvillua sot në ambientet e institucionit të Avokatit të Popullit, takimi në kuadër të procesit të hapur dhe publik për shqyrtimin dhe verifikimin nga Avokati i Popullit të përmbushjes së kushteve dhe kritereve ligjore të kandidatëve që kanë shprehur interesin për anëtarin që përfaqëson shoqërinë civile në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Takimi i cili u drejtua nga Avokatja e Popullit Erinda Ballanca kishte për qëllim të prezantonte rolin e Avokatit të Popullit në procesin e verifikimit të përmbushjes së kushteve dhe kritereve ligjore të kandidatëve që kanë shprehur interesin për anëtarin që përfaqëson shoqërinë civile në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe në Këshillin e Lartë të Prokurorisë; të ofronte për organizatat njohje me procesin e deritanishëm; Informacion mbi aplikimet; si dhe mbi vlerësimin e kandidatëve; 

Institucioni i Avokatit të Popullit, u përfaqësua në këtë takim nga Avokatja e Popullit Erinda Ballanca, si dhe Kryetari dhe anëtarë e Grupit Ad-Hoc ngritur me Urdhërin e brendshëm nr. 113, datë 24.07.2023, përkatësisht, Fatbardh Zenelaj, Dejana Burgija dhe Kejsi Rizo.  

Nga rradhët e organizatave të shoqërisë civile, morën pjesë përfaqësuesit si më poshtë: Mary Kate Butterfield (OPDAT); Blerina Fani (OPDAT); Edlira Agolli (OSCE Albania); Shoqata e Invalidëve të Punës të Shqipërisë; Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë; Instituti Demokratik; Valbona Bala, East West Management Institute; Ana Majko, Nisma per Ndryshim Shoqeror ARSIS.

Avokatja e Popullit Erinda Ballanca vuri theksin tek rëndësia e këtij procesi, dhe tek nevoja për përfshirje aktive dhe konstruktive të shoqërisë civile, si nëpërmjet kandidimit për të qënë anëtarë të Këshillave, ashtu edhe nëpërmjet përfshirjes në komisionin e përzgjedhjes së kandidatëve që do të përfaqësojnë shoqërinë civile në këto këshilla, në përputhje me hapësirat dhe mundësitë që vetë ligji u ka dhënë për përfshirje.