Institucioni I Avokatit Të Popullit Merr Pjesë Në Konferencën E 15-Të Ndërkombëtare Të Institucioneve Të Ombudsmanit Për Forcat E Armatosura
Institucioni i Avokatit të Popullit merr pjesë në konferencën e 15-të Ndërkombëtare të Institucioneve të Ombudsmanit për Forcat e Armatosura.
Konferenca 15-të Ndërkombëtare e Institucioneve të Ombudsmanit për Forcat e Armatosura (15ICOAF), është organizuar këtë vit në Vjenë, Austri, me mbi 100 pjesëmarrës nga e gjithë bota, në datat 18-20 qershor 2023, ku Institucioni i Avokatit të Popullit u përfaqësua nga dy zëvendëskomisionerë.
Konferenca e këtij viti, me temë "Qeverisja nën ndikimin e ndryshimeve klimatike-Institucionet e Ombudsmanit dhe Forcat e Armatosura", synonte rritjen e ndërgjegjësimit, lehtësimin dhe nxitjen e shkëmbimit të njohurive dhe praktikave më të mira, dhe mbështetjen për artikulimin e përgjigjeve të politikave në të ardhmen ndërmjet institucioneve të Ombudsmanit për çështjet e ndryshimeve klimatike, shëndetit mendor dhe një peizazhi gjeopolitik në ndryshim. Për këtë qëllim, pjesëmarrësit u ftuan të hulumtojnë dhe reflektojnë rreth këtyre çështjeve.
Konferenca këtë vit u bashkë-organizua nga Komisioni Parlamentar Austriak për Forcat e Armatosura Federale dhe DCAF, Qendra e Gjenevës për Qeverisjen e Sektorit të Sigurisë.
ICOAF paraqet tashmë një forum ndërkombëtar të rëndësishëm për të promovuar dhe fuqizuar mbikëqyrjen demokratike të forcave të armatosura, me pjesëmarrës që ndajnë aspirata të njëjta për të promovuar shkëmbimin e praktikave të mira dhe forcuar bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Ombudsmanit.