13 Qershor 2023

Zhvillohet Takimi Përmbyllës I Projektit Të Binjakëzimit Mes Avokatit Të Popullit Të Shqipërisë Dhe Atij Të Austrisë


ZHVILLOHET TAKIMI PËRMBYLLËS I PROJEKTIT TË BINJAKËZIMIT MES AVOKATIT TË POPULLIT TË SHQIPËRISË DHE ATIJ TË AUSTRISË

Institucioni i Avokatit të Popullit të Shqipërisë dhe Bordi i Avokatit të Popullit të Austrisë, zhvilluan sot takimin përmbyllës të projektit të binjakëzimit mes dy institucioneve, të financuar nga Bashkimi Europian.

Në takim morën pjesë përveç përfaqëuesve të projektit edhe Avokatja e Popullit të Shqipërisë Erinda Ballanca, ambasadori i Austrisë në Shqipëri Christian Steiner, përfaqësues nga Zyra e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, nga bordi i Avokatit të Popullit të Austrisë, shoqëria civile në vend, etj.

Në fjalën e saj, Avokatja e Popullit Erinda Ballanca shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe implementimin e këtij projekti dhe mundësinë që binjakëzimi mes dy institucioneve tona, u dha të dyja palëve për të njohur njëra tjetrën.

Në këtë Projekt Binjakëzimi, Avokati i Popullit bashkëpunoi me Bordin Austriak të Avokatit të Popullit dhe u mbështet nga Instituti për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut “Ludwig Boltzmann”.

Binjakëzimi është një instrument i Bashkimit Europian për bashkëpunimin institucional ndërmjet shteteve anëtare të BE-së dhe vendeve përfituese që synon t’u ofrojë asistencë vendeve kandidate ose fqinje në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Më specifikisht, projekti i binjakëzimit në Shqipëri kishte për qëllim të mbështesë vendin tonë në fushat si ndërtimi i institucionit, reforma administrative dhe përafrimi i legjislacionit kombëtar me acquis communautaire e Bashkimit Europian.

Projekti u financua nga Bashkimi Europian në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Para anëtarësimit në BE (IPA).