Zhvillon Punimet Konferenca Vjetore E Avokatit Të Popullit
Ka zhvilluar sot punimet Konferenca Vjetore e institucionit të Avokatit të Popullit.
Konferenca vjetore e Avokatit të Popullit u realizua me mbështetjen e projektit “Promovimi i Diversitetit dhe Barazisë në Shqipëri” pjesë e programit të përbashkët të Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2019-2022”.
Tema e konferencës është fokusuar te “Roli i institucioneve kombëtare të të drejtave të njeriut si element themelor i shtetit të së drejtës në Shqipëri”.
Të ftuar në Konferencë ishin Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, Ambasadorja e Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Christiane Hohmann, Zv,Kreu i Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë, Olsi Dekovi, Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri Fiona McCluney, përfaqësues të tjerë të Kuvendit, institucioneve shtetërore e atyre të pavarura, përfaqësues të trupit diplomatik, organizatave të huaja në vendin tonë, shoqërisë civile e medias.
Konferenca u hap nga Avokatja e Popullit e cila theksoi në mesazhin e saj, nevojën që institucionet e të drejtave të njeriut ta kenë të garantuar pavarësinë e tyre nga çdo lloj ndikimi pasi kjo u jep atyre efektivitetin e peshën për të cilën kanë nevojë institucionet demokratike në vendin tonë.
Konferenca u zhvillua e ndarë në dy sesione diskutimesh ku në sesionin e parë panelistët trajtuan temën e “Zhvillimit dhe forcimit të Institucioneve kombëtare efektive, pluraliste dhe të pavarura për të drejtat e njeriut”, ndërsa në sesionin e dytë, temën: “Liria e medias dhe gjuha e urrejtjes online në dritën e Rekomandimit të KiE për luftën ndaj gjuhës së urrejtjes".