25 Nëntor 2022

Avokati I Popullit Ngre Zërin Për Mbrojtjen E Të Drejtës Së Ushtrimit Të Profesionit Nga Gazetarët Gjatë Tubimeve


AVOKATI I POPULLIT NGRE ZËRIN PËR MBROJTJEN E TË DREJTËS SË USHTRIMIT TË PROFESIONIT NGA GAZETARËT GJATË TUBIMEVE

Avokati i Popullit kërkon marrjen e masave të menjëhershme nga strukturat e Policisë së Shtetit për të garantuar të drejtën e ushtrimit të profesionit dhe raportimit të ngjarjeve nga punonjësit e medias të pranishëm në tubime apo aktivitete të tjera të kësaj natyre.

Institucioni i Avokatit të Popullit ka regjistruar me nismën e vet rastin e bërë publik në media, i cili bën fjalë për një ngjarje të ndodhur gjatë përplasjes ndërmjet tifozëve të Romës dhe të Feyenoord-it në datën 25.05.2022 në qytetin e Tiranës. Gjatë këtyre ngjarjeve, punonjësit e Policisë së Shtetit kanë ndaluar fotoreporterin në detyrë Gent Shkullaku, i kanë marrë me forcë aparatin fotografik dhe i kanë kërkuar atij që të fshinte fotot e bëra gjatë përplasjes së policisë me tifozët.

Avokati i Popullit konstaton se kjo sjellje e Policisë së Shtetit ndaj gazetarëve është një dukuri e përsëritur dhe sjell në vëmendje situata analoge të ndodhura kohët e fundit edhe me gazetarë të tjerë, si Bekim Bici, Xhoi Malësia, Qamil Xhani, Aldo Mustafa dhe Shefqet Duka.

Për këtë arsye, Avokati i Popullit i ka dërguar një Rekomandim Policisë së Shtetit në të cilin kërkon marrjen e masave të menjëhershme për të garantuar të drejtën e ushtrimit të profesionit dhe raportimit të ngjarjeve nga punonjësit e medias të pranishëm në tubime apo aktivitete të tjera të kësaj natyre si dhe kryerjen e një analize të Drejtorisë së Policisë për të nxjerrë shkaqet e sjelljes së përsëritur pa etikë të punonjësve të policisë ndaj gazetarëve.

Gjithashtu Avokati i Popullit i rekomandon Policisë së Shtetit ndjekjen e procedurave të nevojshme për ndëshkimin e punonjësve të policisë që kryejnë shkelje me gazetarët dhe punonjësit e medias me masa disiplinore në mënyrë proporcionale me shkeljet e kryera.