Avokati I Popullit Përsërit Shqetësimin Në Lidhje Me Indeksimin E Kuotës Ushqimore Për Fëmijët Jetimë Të Institucionalizuar
Avokati i Popullit është njohur me raportimet në media në lidhje me një raport të KLSH mbi pamjaftueshmërinë e kuotave ushqimore të fëmijëve të Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli” në kryeqytet.
Çështja e kuotave ushqimore dhe trajtimit dinjitoz të fëmijëve të institucionalizuar në këto qendra, ka qenë prej kohësh në vëmendjen e Avokatit të Popullit, i cili vazhdimisht ka tërhequr vëmendjen dhe ka kërkuar përmirësimin e gjendjes.
Në qershor të këtij viti, Avokati i Popullit përpiloi një rekomandim, pas një inspektimi të realizuar në Qendrën e Zhvillimit në qytetin e Shkodrës, për fëmijët me aftësi të kufizuar, ku janë trajtuar edhe kuotat ushqimore.
Në këtë rekomandim të dërguar institucioneve përgjegjëse e të publikuar në faqen zyrtare të Avokatit të Popullit (konkretisht tek rekomandimet 2022, Seksioni i Fëmijëve) tërhiqet ndër të tjera vëmendja për: “marrjen e masave nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për indeksimin e kuotës financiare për shpenzimet ditore të ushqimeve të përfituesve të shërbimeve të përkujdesit social vit pas viti në përputhje me ndryshimin e normave të inflacionit”.
Drejtoria e Përgjithshme e Zhvillimit për Mbrojtjen Sociale në Ministrinë e Shëndetësisë e ka pranuar rekomandimin dhe ka informuar se lidhur me kuotën ushqimore është ngritur një grup pune i cili do të realizojë përcaktimin e normës ushqimore për qendrat rezidenciale për fëmijë, çka do të sjellë dhe rishikimin e kuotës ushqimore dhe indeksimin e saj në përputhje me inflacionin.