Avokati I Popullit Ka Nisur Hetimin E Rastit Të Disa Të Rinjve Të Arrestuar Dhe Pretendimet Për Ushtrim Dhune
Institucioni i Avokatit të Popullit është vënë në dijeni nga raportime të ndryshme në lidhje me rastin e 7 të rinjve të shoqëruar nga Policia e kryeqytetit mbrëmjen e djeshme si dhe disa pretendimeve për veprime arbitrare nga ana e punonjësve të Policisë ndaj tyre, dhe për këtë arsye menjëherë ka ngritur dy grupe inspektimi për të verifikuar situatën në vend.
Sipas komunikatës së Policisë por edhe nga verifikimet e kryera në Komisariatin e Policisë nr.2 në Tiranë nga ana e grupit të inspektimit të Avokatit të Popullit është mësuar se 7 shtetas të moshave 17-28 vjeç, janë shoqëruar e më pas arrestuar mesnatën e mbrëmshme pranë ambienteve të një qendre lojërash elektronike, pasi sikurse raporton Policia, ndaj tyre kishte ankesa nga qytetarët për prishjen e qetësisë publike.
Ekipi i Avokatit të Popullit ka marrë kontakt me personat e shoqëruar si dhe me zyrtarët policorë përgjegjës për kryerjen e procedurave në Komisariatin nr.2.
Sipas verifikimeve paraprake, 3 prej shtetasve kanë pasur pretendime se ndaj tyre është ushtruar dhunë nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit.
Një shtetas ndërkohë ka marrë edhe ndihmë mjekësore si pasojë e lëndimeve të shkaktuara nga ndërhyrja e efektivëve të Policisë.
Avokati i Popullit dënon këtu e në çdo rast veprimet e dhunshme dhe arbitrare nga ana e organeve ligjzbatuese dhe kërkon vendosjen në punë të mekanizmave të brendshëm të kontrollit të Policisë për gjetjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve.
Ushtrimi i dhunës apo arrestimet e paligjshme janë krejtësisht të papranueshme në kuadrin e standardeve demokratike dhe të shtetit ligjor mbi të cilat synohet të mbështeten institucionet tona.
Avokati i Popullit do të vazhdojë hetimin administrativ mbi rastin dhe do të dalë me konkluzione e rekomandime të cilat do të paraqiten pranë institucioneve përkatëse.