7 Shtator 2022

Bashkimi Europian Asiston Avokatin E Popullit Në Hartimin E Një Ligji Të Ri Për Të Drejtat E Njeriut


BASHKIMI EUROPIAN ASISTON AVOKATIN E POPULLIT NË HARTIMIN E NJË LIGJI TË RI PËR TË DREJTAT E NJERIUT

Avokati i Popullit po përfiton nga Instrumenti i Asistencë së Para-Aderimit në BE (IPA) përmes mbështetjes nga ekspertë europianë të fushës së të Drejtave të Njeriut që i janë atashuar këtij institucioni.

Ndihma konsiston në mbështetjen e Avokatit të Popullit për hartimin e ligjit të ri për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri, forcimin e kapaciteteve të stafit të tij dhe në mbështetjen për përmirësimin e sistemit te menaxhimit të çështjeve që merr në shqyrtim Avokati i Popullit.

Projekti parashikohet të zgjasë një vit deri në qershor të vitit 2023.

Plani i asistencës përfshin misione që kryhen nga ekspertë të Bashkimit Europian, ku secili punon për komponentë të ndryshëm brenda kompetencave dhe fushave të tyre të ekspertizës si dhe harton raportet relevante.

Synimi kryesor i projektit është hartimi i një projektligji të ri, por ai përfshin edhe trajnime për stafin e Avokatit të Popullit si dhe asistencë përmes rekomandimeve e sugjerimeve sesi mund të përmirësohet sisemi i menaxhimit të çështjeve.

Këshilltar resident i projektit është Dominik Hofmann, jurist me profesion i cili punon pranë Ombusdmann-it në Austri.

IPA është Instrumenti i Asistencës së Para-aderimit në Bashkimin Europian, i cili synon të mbështesë vendet kandidate dhe ato potenciale për t’u anëtarësuar në BE, duke përfshirë Shqipërinë duke i asistuar për implementimin e reformave ligjore, politike, institucionale etj.