31 Gusht 2022

Avokati I Popullit Mbron Te Drejtat E Shtetasve Shqiptare Qe Transferohen Per Te Vuajtur Dernimin Nga Nje Vend I Huaj, Ne Shqiperi


AVOKATI I POPULLIT MBRON TE DREJTAT E SHTETASVE SHQIPTARE QE TRANSFEROHEN PER TE VUAJTUR DERNIMIN NGA NJE VEND I HUAJ, NE SHQIPERI

Institucioni i Avokatit të Popullit, Seksioni i Veçantë, në ushtrim të kompetencave kushtetuese dhe ligjore për mbrojtjen e të drejtave themelore të shtetasve shqiptarë, trajtoi ankesën e shtetasit A.Ll., në kuadër të së cilës, u kryen verifikime të thelluara mbi procedurën e transferimit në vendin tonë të shtetasve shqiptarë për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit të dhënë nga një gjykatë e huaj.

Nga ana e Avokatit të Popullit ka patur interesim pranë autoriteteve të përfshira në procedurën e njohjes së vendimit të huaj dhe transferimit në Shqipëri të këtij shtetasi.

Në përfundim të hetimit administrativ, pasi u analizua në tërësi dokumentacionin e vënë në dispozicion, marrëveshjen ndërkombëtare që ka të bëjë me transferimin e të burgosurve, legjislacionin që rregullon këtë fushë dhe vendimet unifikuese të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë ka rezultuar se: institucionet e përfshira në procedurën e njohjes së vendimit të huaj nuk janë koordinuar për të garantuar që i burgosuri të transferohet vetëm pasi t’i jepej forma e prerë vendimit penal të gjykatës tonë dhe se ka vend për të përmirësuar procedurën e transferimit në mënyrë që garantohet efektivisht një proces i rregullt ligjor, dhe konkretisht ushtrimi i së drejtës së ankimit nga palët në proces për të kundërshtuar një vendim gjyqësor në një gjykatë më të lartë.

Duke parë angazhimin në rritje të institucioneve tona dhe atyre të vendeve të tjera, për të transferuar të dënuarit shqiptarë, pritshmëria është që numri i çështjeve të kësaj natyre të shtohet. Ndaj nisur edhe nga ky rast, Avokati i Populli i ka rekomanduar Ministrisë së Drejtësisë, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor: Analizimin e rastit dhe marrjen e masave për koordinimin e veprimeve administrative dhe procedurale ndërmjet institucioneve të përfshira në procedurën e njohjes së vendimit të huaj, për të siguruar të drejtën e shtetasit shqiptar që do të transferohet në vendin tonë për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit të dhënë nga një gjykatë huaj; për t’u përfaqësuar në këtë proces në gjykatën shqiptare me një mbrojtës të caktuar prej tij; si dhe për të ushtruar të drejtën e ankimit.