Avokati I Popullit Shënon Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë
Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë, Avokati i Popullit bën thirrje për një shoqëri të themeluar mbi vlerat e barazisë dhe mosdiskriminimit ku njerëzit vlerëzohen në sajë të kontributit dhe jo identitetit seksual apo llojeve të tjerë të identitetit.
Mbrojtja e të drejtave dhe lirive themelore të çdo qytetari përfshirë ato të qytetarëve që identifikohen me komunitetin LGBTI është përparësi e punës së institucionit të Avokatit të Popullit, duke vlerësuar se respektimi i të drejtave të këtij komuniteti ka qenë vazhdimisht pjesë e detyrimeve të Shqipërisë gjatë procesit të integrimit europian.
Avokati i Popullit konstaton se pavarësisht hapave pozitivë që janë bërë në Shqipëri, jemi ende shumë larg përfshirjes së plotë të personave LGBTI, të cilët vazhdojnë të përballen me diskriminim, stigmatizim, gjuhë urrejtjeje dhe madje edhe dhunë fizike.
Avokati i Popullit vëren se mbeten domosdoshmëri: përmirësimi i mëtejshëm i legjislacionit në përputhje me SOGI (Orientimi Seksual dhe Identiteti Gjinor); zbatimi i legjislacionit ekzistues dhe Planit Kombëtar të Veprimit për perparimin e të drejtave të personave LGBTI; dhe forcimi i përkrahjes dhe partneritetit me organizatat LGBTI dhe organizatat e shoqërisë civile për të drejtat e njeriut për ndërgjegjësimin e shoqërisë për njohje dhe respektim të të drejtave të njeriut.