Avokati I Popullit Shënon 1 Majin, Ditën E Punëtorëve
1 Maji, dita ndërkombëtare e solidaritetit punëtor e gjen sërish Shqipërinë sivjet në kushtet kur e drejta për punë dinjitoze dhe të drejtat në punë mbeten vetëm pjesërisht të realizuara.
Mungesa e mundësisë për punësim si dhe mungesa e sigurisë në punë, në një masë të madhe i shtyjnë ende shumë shqiptarë në moshë prodhuese, ta kërkojnë realizimin e këtyre të drejtave përmes mërgimit në vendet e industrializuara të Perëndimit.
Gjithashtu, shpërblimi i pamjaftueshëm e shpesh i padrejtë i punës përmes pagave, e mbajnë Shqipërinë prej vitesh një vend që nuk po arrin të sigurojë jetë dinjitoze e me mirëqënie për qytetarët e vet.
Avokati i Popullit bën thirrje për rritje të ndërgjegjësimit të shtresës së punëmarrësve në mbrojtje të të drejtave të tyre, organizimin e tyre si dhe mbështetjen nga ana e shtetit për këtë rritje ndërgjegjësimi e organizim.
Po ashtu Avokati i Popullit vë theksin tek format e ndryshme të diskriminimit në punë përmes pagave të padrejta, të diferencuara në bazë gjinore e në shumë raste edhe të vonuara e të pasiguruara, për të cilat lypsen si refuzim i organizuar nga ana e punëmarrësve ashtu edhe ndërhyrje energjika nga ana e qeverive.
Partneriteti dhe besimi mes punëmarrësve, punëdhënësve dhe shtetit mund të shndërrohen në energji pozitive në këtë marrdhënie shoqërore prej së cilës varet shumëçka.
Avokati i Popullit i uron të gjithë punëtorët në ditën e tyre dhe shpreson që e ardhmja të sjellë për ta ndryshimin e kërkuar.