7 Prill 2022

Avokati I Popullit Rekomandon Shmangien E Emërtesave Të Rrugëve Me Simbole Të Komunizmit


AVOKATI I POPULLIT REKOMANDON SHMANGIEN E EMËRTESAVE TË RRUGËVE ME SIMBOLE TË KOMUNIZMIT

Avokati i Popullit i ka dërguar një rekomandim Këshillit Bashkiak të Tiranës në lidhje me shmangien e përdorimit në emërtimin e rrugëve dhe shesheve të kryeqytetit me data apo emra që mbartin lidhje me të kaluarën komuniste të Shqipërisë.

Rekomandimi gjithashtu nxit institucionet që të bëjnë verifikime në lidhje me rastet e përdorimit aktual të këtyre emërtesave si dhe nisjen e procedurave për ndryshimin e tyre në rast se ato evidentohen.

Në rekomandim përmendet praktika e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut e cila ka elaboruar dhe interpretuar përdorimin e simboleve të ndryshme të së kaluarës në kuadër të mbrojtjes së të drejtës së shprehjes.

Cilësia e një shoqërie demokratike, theksohet në rekomandim, cenohet haptazi nga përkujtimi dhe nderimi i një regjimi që ka shkelur në mënyrë të dhunshme të drejtat e njeriut.