Avokati I Popullit Shpreh Shqetësimin Për Shoqërimet E Protestuesve
Institucioni i Avokatit të Popullit ka ndjekur me kujdes protestat e ditës së djeshme dhe të sotme nga qytetarë të cilët shprehin pakënaqësi në lidhje me rritjen e çmimeve në vend.
Në përfundim të protestës është konstatuar se forcat e Policisë së Shtetit kanë shoqëruar një numër qytetarësh.
Gjatë mbrëmjes së sotme, përfaqësues të Avokatit të Popullit kanë inspektuar dhomat e shoqërimit ku mbahen këta qytetarë në Komisariatin nr.1 të Policisë së Tiranës si dhe më pas janë drejtuar për në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.
Përfaqësuesit e Avokatit të Popullit kanë kontaktuar me qytetarët e shoqëruar dhe kanë kontrolluar procedurat e shoqërimit të kryera nga ana e punonjësve të Policisë.
Avokati i Popullit konstaton se shoqërimet e qytetarëve që marrin pjesë në protesta paqësore, në çdo protestë, po përsëriten tashmë në mënyrë shqetësuese nga ana e Policisë së Shtetit. Nga ana tjetër pengimi i gazetarëve për të ushtruar detyrën e tyre e aq më keq shoqërimi i tyre nga ana e Policisë është i papranueshëm në një demokraci funksionale.
Avokati i Popullit i kërkon Policisë së Shtetit të garantojë të drejtën e qytetarëve për protestë paqësore si dhe sjelljen në përputhje me ligjin të punonjësve të Policisë. Nga ana tjetër është thelbësore që qytetarët të ruajnë natyrën paqësore të protestave të tyre.
Avokati i Popullit do të vazhdojë në vijimësi të ndjekë e të mbajë nën monitorim të afërt të gjithë sjelljen e organeve ligjzbatuese përballë çdo proteste paqësore si dhe të drejtat e qytetarëve të shoqëruar apo të arrestuar në ambientet e komisariateve të Policisë.