3 Mars 2022

Rrjeti Europian I Ombudsmanëve Për Fëmijët Publikon Deklaratë Mbi Të Drejtat E Fëmijëve Në Konfliktin Në Ukrainë


RRJETI EUROPIAN I OMBUDSMANËVE PËR FËMIJËT PUBLIKON DEKLARATË MBI TË DREJTAT E FËMIJËVE NË KONFLIKTIN NË UKRAINË

Rrjeti Europian i Ombudsmanëve për Fëmijët-ENOC ka dakordësuar deklaratën “Thirrje për veprime të menjëhershme (urgjente) për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Ukrainë”.

Rrjeti Europian i Ombudsmanëve për Fëmijët (ENOC), anëtar i të cilit është edhe Avokati i Popullit i RSH-së, shpreh shqetësimin më të thellë në lidhje me sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve nga shpërthimi i luftës shkatërruese në Ukrainë dhe rithekson mbështetjen dhe solidaritetin e tij ndaj Komisionerit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut të Ukrainës në rolin e tij, për të mbrojtur dhe promovuar të drejtat e njeriut, të fëmijëve dhe të rinjve. Tani është koha që të gjitha institucionet Europiane dhe qeveritë të dëshmojnë kolektivisht përkushtimin e tyre ndaj KDF-së dhe të demonstrojnë në mënyrë aktive ndjeshmëri dhe vullnet për të mbrojtur fëmijët nga kjo situatë dëshpëruese.