Rritet Besimi Te Avokati I Popullit. Për Herë Të Parë, Mbi 100 Ankesa Nga Fëmijët Brenda Një Viti
Prej krijimit të institucionit të Avokatit të Popullit është identifikuar si një ndër sfidat kryesore rritja e efektivitetit të bashkëpunimit me fëmijët, pasi numri i ankesave/kërkesave drejtpërdrejtë nga fëmijët ka qenë për shumë vite i papërfillshëm.
Përpjekjet e deritanishme të Seksionit për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Fëmijës, tregojnë se nga 0 ankesa/kërkesa të drejtpërdrejta të adresuara nga vetë fëmijët në vitin 2018, në institucionin e Avokatit të Popullit, filloi reagimi pozitiv me tregues konkret: 10 ankesa u administruan nga vetë fëmijët në 2019, 15 ankesa në vitin 2020 dhe 102 ankesa/kërkesa u administruan në vitin 2021.
Liria e mendimit dhe e shprehjes dhe ushtrimi i të drejtës së fëmijëve për t’u dëgjuar, opinionet, perceptimet e vetë fëmijëve, si dhe përfshirjes së drejtpërdrejtë të tyre në hartimin e dokumentave të mësipërm, e kanë rritur besimin e tyre kundrejt institucionit të Avokatit të Popullit.