14 Shkurt 2022

Avokati I Popullit Merr Pjesë Në Prezantimin E Planit Kombëtar Të Veprimit Për Lgbti


AVOKATI I POPULLIT MERR PJESË NË PREZANTIMIN E PLANIT KOMBËTAR TË VEPRIMIT PËR LGBTI

Avokatja e Popullit Erinda Ballanca, si dhe Komisionerja e Seksionit të Përgjithshëm pranë AP, Vilma Shurdha morën pjesë në prezantimin e Planit të ri Kombëtar të Veprimit, për personat LGBTI.

Plani i Veprimit synon të sigurojë një shoqëri gjithëpërfshirëse, jo-diskriminuese dhe të sigurt për personat LGBTI në Shqipëri me akses më të mirë në shërbimet publike dhe mbështetje të specializuar, përmirësim të kuadrit ligjor dhe zbatimit, si dhe rritjes së aksesit në sistemin e drejtësisë të personave LGBTI.

Në prezantim merrnin pjesë përfaqësues nga ministritë dhe institucionet e tjera shtetërore, organet e barazisë, aktorë të shoqërisë civile që punojnë së bashku për barazi dhe një shoqëri gjithëpërfshirëse, si dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare.

Avokati i Popullit si institucioni më i madh i mbrojtjes së të drejtave të njeriut e ka në fokus të veprimtarisë së tij edhe mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBTI.

Plani i ri Kombëtar i Veprimit për personat LGBTI, i hartuar me ekspertizën e ofruar nga projekti i Bashkimit Europian dhe Këshillit të Evropës “Promovimi i diversitetit dhe barazisë në Shqipëri”, përcakton prioritetet kryesore dhe parashikon përpjekjet e përbashkëta të aktorëve të ndryshëm për të mbrojtur dhe promovuar të drejtat e komunitetit LGBTI në vend. Ai pasqyron vëmendjen e veçantë që Qeveria e Shqipërisë dhe të gjithë aktorët e tjerë të fushës po i kushtojnë zhvillimit të një shoqërie të bazuar në të drejtat, meritat dhe vlerat profesionale të çdo individi.

Gjatë diskutimit mbi Planin e Veprimit me përfaqësues të autoriteteve publike, organeve të barazisë, organizatave të shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë, u theksuan rolet specifike të secilit aktor në sigurimin e gjithëpërfshirjes së Planit dhe zbatimin efikas të tij.

Në betejën kundër stereotipeve dhe qëndrimeve paragjykuese patriarkale, Plani i Veprimit përcakton nevojën për angazhimin e burimeve të ndryshme dhe marrjen e një sërë veprimesh të mirëkoordinuara midis të gjithë aktorëve kryesorë që synojnë ndryshimin rrënjësor të mentalitetit në shoqërinë tonë. Ai fokusohet tek informimi, edukimi dhe ndërgjegjësimi për të pranuar të gjithë ashtu siç janë dhe siç ndihen përsa i përket identitetit të tyre gjinor ose orientimit seksual.