Një Delegacion Nga Komisioni I Ligjeve Të Kuvendit Të Kosovës Viziton Avokatin E Popullit
Një delegacion i Komisionit të Ligjeve nga Kuvendi i Kosovës zhvilloi një vizitë në Institucionin e Avokatit të Popullit të Shqipërisë.
Delagacioni u prit nga Avokatja e Popullit Erinda Ballanca dhe zyrtarë të lartë të institucionit si Komisionerja e Mekanizmit Kombëtar kundër Torturës Ermonela Xhafa, Komisionerja e Seksionit të Administratës Erjona Canaj dhe Komisionerja e Seksionit të Veçantë Ermonela Ruspi.
Në përbërjen e delegacionit nga Kosova merrnin pjesë Kryetari i Komisionit të Ligjeve në Kuvendin e Kosovës Adnan Rrustemi, Driton Selmanaj zëvendëskryetar i parë, si dhe anëtarët Besnik Tahiri, Dimal Basha dhe Hajdar Beqa.
Takimi u përqendrua në shkëmbimin e mendimeve në lidhje me bashkëpunimin e institucioneve të Avokatit të Popullit të të dy vendeve dhe Kuvendeve respective, çështje të mbrojtjes së të drejtave të njeriut si dhe përvojat e dyanshme mbi çështje të reformave ligjore posaçërisht në sferën e drejtësisë.
Avokatja e Popullit e falënderoi në mënyrë vëllazërore delegacionin për vizitën dhe vlerësoi maksimalisht rolin e Avokatit të Popullit në Republikën e Kosovës si dhe shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin e ngushtë që dy institucionet tona kanë ndërtuar në vite.
Përfaqësuesit e delegacionit nga Kosova gjithashtu shprehën falënderim për mikpritjen dhe treguan interes për t’u njohur me punën e Avokatit të Popullit në Shqipëri, marrdhëniet me Kuvendin dhe aspekte të mbrojtjes së të drejtave të njeriut në vendin tonë.
Takimi u zhvillua në një klimë të ngrohtë e mjaft vëllazërore.