20 Dhjetor 2021

Të Drejtat E Njeriut Dhe Ndryshimet Klimatike Në Fokus Të Konferencës Vjetore Të Avokatit Të Popullit


TË DREJTAT E NJERIUT DHE NDRYSHIMET KLIMATIKE NË FOKUS TË KONFERENCËS VJETORE TË AVOKATIT TË POPULLIT

Institucioni i Avokatit të Popullit, me mbështetjen e Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Shqipëri zhvilloi sot Konferencën Vjetore me temë: “Të Drejtat e Brezave të Ardhshëm dhe Ndryshimet Klimatike”.

Të drejtat mjedisore përfshihen ndër të drejtat themelore të njeriut ndaj Avokati i Popullit në suazën edhe të zhvillimeve globale e nevojës që përgjegjësia mbi çështjet e mjedisit të aktualizohet edhe në vendin tonë, zgjodhi ta tematizojë me këtë fokus konferencën e vet vjetore, si një shprehje e mandatit promovues që ka ky institucion sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Pjesëmarrës në Konferencë ishin aktorë të rëndësishëm shtetërorë si Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Lindita Nikolla, zv.Ministrja e Mjedisit Vilma Bello, etj, e po ashtu edhe përfaqësues të institucioneve e organizatave kryesore ndërkombëtare, si Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri Fiona McCluney, Kreu i Delegacionit të BE-së në vendin tonë Luigi Soreca, etj.

Në fjalën e saj, Avokatja e Popullit Erinda Ballanca vuri theksin tek roli i Shqipërisë në kontekstin global të mbrojtjes së mjedisit dhe statusit të përpjekjes për të garantuar të drejtat e njeriut: “Shqipëria, vendi ynë, ka pjesën e saj në këtë përpjekje globale. Çështjet mjedisore janë ende një periferi e vëmendjes sonë politike e asaj vendimmarrëse. Besoj se është rasti tani të themi se për vetë rëndësinë dhe emergjencën e gjendjes është e papranueshme që problemet e mjedisit të konsiderohen thjesht si “punë e ministrisë së mjedisit”, e që kjo punë të kufizohet në capak politika të zbehta që thuajse s’japin asnjë ndikim real në mënyrën sesi zhvillohet ky vend, si rritet ekonomia, si formësohet arsimi, si performon industria apo shërbimet e çkamos tjetër” duke shtuar se “nëse nuk duam që atdheu që do t’u lëmë trashëgim atyre që kemi më të shtrenjtët, të jetë një gërmadhë, duhet të ndryshojmë të gjithë, sipas peshës e përgjegjësisë mënyrën sesi jetojmë e qasjen ndaj vendimeve që marrim. Ne duhet ta bëjmë këtë tani, pa ngurrim, të ndërgjegjshëm që jemi të vonuar, e me shpresën se kjo vonesë është e riparueshme”.

Në fjalën e saj, Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri Fiona McCluney u fokusua në konceptin e ‘emergjencës’ për veprim, ‘të drejtën” për mjedis të jetueshëm dhe ‘solidaritetin’ për të bërë ndryshim. “E drejta për një mjedis të shëndetshëm, duke përfshirë një klimë të sigurt dhe të qëndrueshme, është një e drejtë e njeriut në vetvete dhe bazë për një gamë të gjerë të të drejtave të tjera. Pa të, mbijetesa jonë është në rrezik”, theksoi ajo.

Pjesëmarrësit në Konferencë shprehën pikëpamjen se të drejtat e miliona njerëzve në mbarë botën janë prekur tashmë nga kriza klimatike. Shqipëria nuk bën përjashtim. Kjo ngre pyetje mbi drejtësinë, paqen, sigurinë, barazinë në dhe midis kombeve e brezave. Veprimet klimatike duhet të ndërmerren në të gjitha nivelet dhe nga të gjithë aktorët. Shumë individë dhe grupe si fëmijët, të rinjtë dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut për mjedisin, kanë marrë përsipër iniciativa të guximshme për të qenë në vijën e parë të luftës, për të ndërtuar drejtësinë klimatike.