15 Dhjetor 2021

Zhvillohet Trajnim I Stafit Të Avokatit Të Popullit Në Lidhje Me Objektivat E Zhvillimit Të Qëndrueshëm


ZHVILLOHET TRAJNIM I STAFIT TË AVOKATIT TË POPULLIT NË LIDHJE ME OBJEKTIVAT E ZHVILLIMIT TË QËNDRUESHËM

Avokati i Popullit si një nga aktorët e angazhuar në mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut, të cilat përbëjnë edhe bazën e konceptimit të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, ka dhe duhet të luajë një rol specifik në procesin e zbatimit dhe monitorimit të Axhendës 2030.

Për këtë arsye, Avokati i Popullit në bashkëpunim me Zyrën e Kombeve të Bashkuara në Tiranë po realizon në ambientet e institucionit një trajnim 2 ditor, në datat 14-15 dhjetor 2021, me temë: “Rritja e kapaciteteve të stafit të Avokatit të Popullit, INSTAT dhe Avokatit të Popullit Kosovë, në lidhje Agjendën 2030 dhe të Drejtat e Njeriut”.

Trajnimi është konceptuar në formatin hibrid, ku ditën e parë u paraqitën prezantime nga ekspertë ndërkombëtarë mbi tema që lidhen me Agjendën e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Objektivave Globalë (SDG), trajnim i cili u ndoq online edhe nga stafi i INSTAT dhe Avokatit të Popullit të Kosovës.

Ndërkohë, në ditën e dytë, temat do të prezantohen nga eksperti i mirënjohur i të drejtave të njeriut, Ilmi Jashari, ish-Avokati i Popullit të Kosovës.