14 Dhjetor 2021

Trajnim I Zyrave Rajonale Ap Dhe Kmd “Mbrojtja E Te Drejtave Te Femijeve”


TRAJNIM I ZYRAVE RAJONALE AP DHE KMD “MBROJTJA E TE DREJTAVE TE FEMIJEVE”

Me datën 3 dhjetor 2021, institucioni i Avokatit të popullit organizoi trajnimin online me përfaqësues të zyrave rajonale të dy institucioneve: Avokatit të Popullit dhe Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, me fokus mbrojtjen e të drejtave të Fëmijëve.

Organizimi i këtij trajnimi përbën dhe një nga objektivat e ndërmarra nga institucioni edhe në kuadër të përmbushjes së detyrave dhe rekomandimeve që Kuvendi i Shqipërisë ka përcaktuar në Rezolutën “Për vlerësimin e veprimtarisë se Avokatit të Popullit për vitin 2020”, konkretisht për marrjen e masave konkrete për zbatimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit që Avokati i Popullit ka nënshkruar me Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Lektore e këtij trajnimi, përcaktuar nga KMPDF ishte Anila Nepravishta, ndihmëskomisionere në Seksionin për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Fëmijës, në institucionin e Avokatit të Popullit.

Ky aktivitet trajnues, në vijim edhe të dy trajnimeve të mëparshme të realizuara gjatë këtij viti, synoi rritjen e kapaciteteve të punonjësve të zyrave rajonale që AP dhe KMD kanë në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve, si dhe për forcimin e bashkëpunimit mes tyre.

Trajnimi u fokusua në kuadrin ligjor të mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve, konceptin e sistemit të integruar të mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve, parimet bazë të garantimit të të drejtave të fëmijës, veprimtarinë e institucionit kombëtar të mbrojtjes së të drejtave të njeriut për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve, raportet e veçanta dhe rekomandimet, bashkëpunimi me shoqërinë civile, prokativiteti, sfidat dhe bashkëpunimi institucional në funksion të përmbushjes së detyrimeve kushtetuese dhe ligjore, për garantimin me efektivitet të ushtrimit, respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave të fëmijës në interesin më të lartë të tyre.