Avokati I Popullit, Urim Në Ditën Kombëtare Të Rinisë
Në Ditën Kombëtare të Rinisë, Institucioni i Avokatit të Popullit nënvizon nevojën që shoqëria dhe instrumentet e saj shtetërorë të zhvillojnë aftësinë për t’iu përgjigjur aspiratave të gjeneratave të reja të vendit.
Të rinjtë, si promotorë të zhvillimit dhe ndryshimeve janë barometri më i vërtetë i orientimit të një populli andaj zëri i tyre duhet dëgjuar me vëmendje e dashamirësi.
Rinia shqiptare ka qenë aktori kyç dhe më progresivi në momentet më të mëdha historike të vendit. Idealet e rinisë, ëndrrat dhe shpresat e saj janë kthyer shumë shpesh në manifeste politike e premtime të bujshme, mirëpo ende sot Shqipëria është një vend ku rinia nuk sheh të ardhme e largohet me të madhe.
Paaftësia për ta kthyer Shqipërinë në shtëpinë e rinisë sipas kredos së mirënjohur “e duam Shqipërinë si gjithë Europa” po i kushton shumë vendit tonë në kosto njerëzore, andaj klasa politike e ajo administruese duhet të kuptojë peshën e gabimit të vet të papërligjur nga asnjë justifikim apo llogari e ngushtë pushteti.
Avokati i Popullit angazhohet të mbetet edhe në vijim një institucion Avokat i Rinisë dhe ëndrrës së saj për një Shqipëri më të mirë, më të drejtë e me fytyrë më njerëzore.