6 Dhjetor 2021

Delegacioni Homolog Nga Armenia Viziton Institucionin E Avokatit Të Popullit


DELEGACIONI HOMOLOG NGA ARMENIA VIZITON INSTITUCIONIN E AVOKATIT TË POPULLIT

Një delegacion përfaqësues nga Institucioni i Ombudsmanit të Armenisë si institucioni kombëtar i mbrojtjes së të drejtave të njeriut në vend, po viziton këto ditë Shqipërinë dhe institucionin homolog në vendin tonë, Avokatin e Popullit.

Delegacioni armen fokusi dhe përbërja e të cilit është mbrojtja kundër torturës dhe trajtimit çnjerëzor, u prit nga Avokatja e Popullit Erinda Ballanca, Komisionerja e Mekanizmit Kundër Torturës Ermonela Xhafa etj.

Përfaqësuesit e institucionit homolog armen, zgjodhën ta zhvillojnë këtë vizitë shkëmbimi pranë institucionit të Avokatit të Popullit në Shqipëri për një sërë arsyesh të vlerësuara nga ana e tyre si eksperienca e Shqipërisë me Mekanizmin e saj Kundër torturës, kulturat e ngjashme midis dy vendeve dhe marrëdheniet e shkëlqyera midis dy institucioneve tona.

Delegacioni armen përbëhet nga Laura Gasparyan, Koordinatore e Zbatimit të Mekanizmit Parandalues Kombëtar - Përgjegjës i Departamentit për Parandalimin e Torturës dhe Keqtrajtimit; Artyom Sedrakyan- Përgjegjës i Departamentit të Përgjithshëm për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Drejtësinë Penale dhe Forcat e Armatosura/Zëvendës Mbrojtësi i të Drejtave të Njeriut, Zyra e Mbrojtësit të të Drejtave të Njeriut të Armenisë; Mikayel Khachatryan- Përgjegjës i Departamentit për Bashkëpunimin Ndërkombëtar; Aram Minasyan- Përgjegjës i Departamentit për Mbrojtjen e të Drejtave në Drejtësinë Penale; Hovhannes Ghukasyan- Specialisti Drejtues i Departamentit për Parandalimin e Torturës dhe Keqtrajtimin si dhe Mariam Gevorgyan- Eksperte e Mekanizmit Kombëtar Parandalues.

Gjatë këtyre ditëve është menduar që delegacioni armen të shoqërojë MKPT-në në kryerjen e vizitave monitoruese pranë Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale, Institucioneve të Shendetit Mendor etj.