Avokati I Popullit Shënon Ditën E Të Drejtave Të Personave Me Aftësi Të Kufizuar
Në ketë Ditë të promovimit të të drejtave të personave me aftësi të kufizuar, ndërgjegjësimit të të gjithë shoqërisë për respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre, Avokati i Popullit kërkon angazhim maksimal të instucioneve shtetërore që të kenë prioritet çështjet e personave me aftësi të kufizuar, pasi aftësia e kufizuar nuk është thjesht një çështje e shëndetit publik, por gjithashtu e të drejtave të njeriut dhe zhvillimit të shoqërisë.
Personat me aftësi të kufizuar duhet të konsiderohen si persona të mundësive, si persona të barabartë mes të barabartëve, persona me dinjitet të lindur dhe me të drejta të patjetërsueshme. Nga ky këndvështrim, personat me aftësi të kufizuar janë ajo pjesë e shoqërisë e cila e ka të domosdoshme mbështetjen e vazhdueshme nga shteti, për t’iu respektuar e garantuar të drejtat dhe liritë themelore, si dhe aksesin dhe përshtatjen e arsyeshme në çdo fushë të jetës, në përputhje me qëllimin e Konventës së OKB-së “Për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara”,
• të nxisë, të mbrojë dhe të sigurohet, që të gjithë personat me aftësi të kufizuara të gëzojnë plotësisht dhe në mënyrë të barabartë të gjitha të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si dhe të nxisë respektin për dinjitetin e tyre.
Pavarësisht, përmirësimeve të dukshme që ka pësuar kuadri ligjor specific për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar, reformuar kohë pas kohe, si dhe rritjes së nivelit të ndërgjegjësimit të shoqërisë, sërish kjo kategori individësh cilësohet e diskriminuar në punësim, arsim, drejtësi, pjesëmarrje në jetën politike, akses në infastrukturë, akses në ofrimin e shërbimeve, etj.
Shqipëria ka përqafuar Objektivat e Zhvillimit të Qendrueshëm dhe e gjithë puna jonë e përbashkët institucionale, e Institucioneve për të Drejtat e Njeriut, e Parlamentit, e Pushtetit Qendror e Vendor, e biznesit, e shoqërisë civile, duhet të bazohet në objektivat me fokus kryesor: Zhdukjen e varfërisë, Pabarazisë, Realizimit të dinjitetit njerëzor.