5 Nëntor 2021

Avokati I Popullit Prezanton Vërejtjet Mbi Buxhetin E Propozuar Për Vitin 2022


AVOKATI I POPULLIT PREZANTON VËREJTJET MBI BUXHETIN E PROPOZUAR PËR VITIN 2022

Avokati i Popullit i ka kërkuar Komisionit të Ligjeve të mbështesë kërkesat e tij për mbështetje financiare në kushtet e pamjaftueshmërisë së tejzgjatur në staf dhe infrastrukturë dhe shkurtimeve të vazhdueshme të fondeve për këtë institucion. Institucioni u përfaqësua në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve nga titullarja e tij, Avokatja e Popullit Erinda Ballanca.

Në prezantimin e saj, Avokatja e Popullit paraqiti në mënyrë të argumentuar disa propozime konkrete që lidhen me disa shtesa dhe ndryshime në buxhetin e institucionit për vitin 2022.

Sikurse është bërë e ditur, të gjitha raportet e organizatave ndërkombëtare kanë përsëritur faktin që institucioni i Avokatit të Popullit në Shqipëri disponon kapacitete të kufizuara njerëzore dhe financiare.

Avokati i Popullit të Shqipërisë është institucioni me numrin më të ulët të stafit në vendet e rajonit me perjashtim të Malit të Zi. Ndërkohë që Avokati i Popullit në Shqipëri ka një staf prej 56 punonjësish, institucioni homolog në Maqedoninë e Veriut ka 90 punonjës, në Kosovë 78, në Serbi 89 e në Bosnje 60.

Përgjatë gjithë periudhës 2018-2021 nuk ka pasur asnjë shtesë në personel. Hera e fundit që Avokati i Popullit pasur një shtesë në burime njerëzore në nivel teknik është në vitin 2014. Progres-raporti i BE për Shqipërinë ka evidentuar ndërkohë, se për të dytin vit radhaz buxheti i AP ka pësuar ulje ndërsa rekomandimet janë për ta rritur atë.

Avokati i Popullit ka kërkuar edhe këtë vit në mënyrë plotësisht të argumentuar, mundësinë e miratimit të një ndihmëskomisioneri i cili do të fokusohet (jo vetëm) në çështjet që lidhen me mbrojtjen e mbrojtësve të të drejtave të njeriut. Ai gjithashtu do të akomodonte nevojat e AVP për të trajtuar çështje të reja të të drejtave të njeriut të patrajtuara më parë, siç janë ndryshimet klimatike dhe të drejtat e gjeneratave të ardhshme, tema në qendër të diskutimeve të sotme në fushën e të drejtave të njeriut.

Ndërkohë bëhet fjalë për një institucion i cili ushtron aktivitetin e tij në ambiente të amortizuara të cilat kërkojnë në mënyrë të vazhdueshme investime për sa i përket mirëmbajtjes minimale (tërmeti dhe lagështira) së godinës, si dhe investime që lidhen me përmirësimin e kushteve të punës të punonjësve të institucionit (pajisje zyrash, pajisje kompjuterike, automjete etj).

Avokati i Popullit ka kërkuar që fondi i investimeve nga 2 milion që i ka akorduar Ministria e Financave të rritet në vlerën e 4 milion lek për të arritur në ato nivele që ka qenë në periudhën 2015-2018.

Ky fond shtesë do të përdoret si për mirëmbajtjen e infrastrukturës, e po ashtu edhe për blerjen e një automjeti të ri për institucionin për të bërë të mundur kryerjen e inspektimeve, duke qënë se edhe pas kryerjes së riparimeve të vazhdueshme të këtyre automjeteve, praktikisht ato e kanë realizuar tashmë funksionin e tyre dhe shkalla e amortizimit është në nivele të tilla që e bën të pamundur ushtrimin normal të aktivitetit.