8 Tetor 2021

Avokati I Popullit Ndjek Mbledhjen E Përgjithshme Të Gjyqtarëve


AVOKATI I POPULLIT NDJEK MBLEDHJEN E PËRGJITHSHME TË GJYQTARËVE

Në datë 08.10.2021, Avokati i Popullit ishte i ftuar në cilësinë e vëzhguesit, në Mbledhjen e Përgjithshme të Gjyqtarëve, e cila kishte si objekt zgjedhjen e tre anëtarëve të rinj të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe një anëtari të Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës.

Avokatja e Popullit Erinda Ballanca, e shoqëruar edhe nga përfaqësues të tjerë të institucionit ndoqi të gjithë procesin e prezantimit të kandidatëve, votimit dhe numërimit të votave dhe konstatoi se procesi ishte jo vetëm transparent dhe plotësisht në përputhje me ligjin, por edhe ishin marrë të gjitha masat për garantimin e protokolleve të mbrojtjes nga virusi Covid-19.

Po kështu u konstatua përdorimi i elementeve teknologjike (kamera që lexonin votën dhe transmetonin direkt, disa ekrane të lidhura me sisteme kompjuterike, etj.), që garantuan një proces të hapur dhe mundësinë e ndjekjes në kohë reale, nga të gjithë të pranishmit, si në sallën kryesore, ashtu edhe në ambjente të tjera të godinës “Poli i Drejtësisë”, ku u zhvillua ky proces.

Konform ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, ky proces u zhvillua nën përgjegjësinë e kryetarit në detyrë të Gjykatës së Lartë dhe pas votimit dhe numërimit të votave, anëtarët e rinj të Këshillit të Lartë Gjyqësor (të cilët e fillojnë detyrën në muajin dhjetor 2021), u zgjodhën: 1. Nga Gjykata e Lartë: z. Klodian Kurushi, me 145 vota; 2. Nga Gjykatat e Apeleve: z. Ridvan Hado, me 140 vota; 3. Nga Gjykatat e Rretheve Gjyqësore: znj. Irena Plaku, me 158 vota. Ndërsa anëtari më i ri i Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës, u zgjodh z. Genti Dokollari me 80 vota.

Avokati i Popullit përfiton nga rasti t’ju uroj suksese në detyrë, anëtarëve të rinj të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe anëtarit të ri të Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës.