Avokati I Popullit Shpreh Dhimbjen Për Vrasjen E Policit Të Shtetit
Avokati i Popullit ka mësuar me pikëllim për vrasjen në krye të detyrës të punonjësit të Policisë së Shtetit Saimir Hoxha gjatë një aksioni në rrethin e Lezhës ditën e djeshme.
Ndërsa dënon me forcë çdo akt dhune ndaj uniformave të Policisë, Avokati i Popullit nënvizon nevojën që të ndërmerren hapa më efikasë e masa më energjike në mbrojtjen e jetës së punonjësit të shtetit gjatë kryerjes së detyrës, duke shtuar numrin dhe cilësinë e stafeve zbatuese, masat e sigurisë dhe përmirësimin e strukturave vlerësuese e analizuese përpara çdo veprimi në terren.
Humbja e jetës së çdo individi e mes tyre edhe të çdo punonjësi publik është e papranueshme dhe lypset që të gjithë të bëjnë çmos për ta minimizuar e mundësisht eleminuar plotësisht atë.
Duke i ngushëlluar familjarët, të afërmit, miqtë e kolegët e të ndjerit, Avokati i Popullit shpreh mbështetjen për forcat e Policisë së Shtetit në misionin e tyre për ruajtjen e rendit dhe zbatimin e ligjit.