Zhvillohet Konferenca Kombëtare Mbi Të Drejtat E Të Burgosurve Të Huaj
Institucioni i Avokatit të Popullit përmes Mekanizmit për Parandalimin e Torturës organizoi sot në Tiranë Konferencën kombëtare me temë “Respektimi i të drejtave të të burgosurve të huaj – Përmirësimi i kompetencave të stafit penitenciar. Eksperiencat në Shqipëri, Europë dhe globalisht”.
Në konferencë ishin ftuar dhe morën pjesë përfaqësues të Administratës së Burgjeve, Kuvendit, Ministrisë së Drejtësisë, UNHCR, Komisionerit kundër Diskriminimit, shoqërisë civile, institucione homologe nga vende mike etj.
Konferenca u moderua nga Komisionerja e Mekanizmit për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit Çnjerëzor, Ermonela Xhafa.
Në fjalën e saj, Avokatja e Popullit u shpreh:
“Sistemi penitenciar i një vendi është në një farë mënyre, pasqyra në të cilën ky vend mund të njohë vetveten. Ku më shumë sesa në mënyrën sesi trajton ata që u kufizohet liria për shkak të shkeljeve të ndryshme ligjore, mund të dallohet respekti që një shtet ka për të drejtat e njeriut.
Është e lehtë që në një institucion penitenciar ku shteti merr në dorëzim jetën e një morie individësh të cilët i kanë shkelur e keqtrajtuar ligjet dhe hapësirat ligjore të shtetit, të konsiderohet se këta individë e meritojnë keqtrajtimin prej ligjeve e në hapësirat midis ligjeve të shtetit.
Mirëpo, ekzaktësisht këtu, në këtë moment e përballë kësaj mundësie për t’u shfaqur shpagues, shteti ka në dorë të dëshmojë qëllimin e tij, misionin dhe frymën e tij. Pikërisht atëherë kur shteti si mishërues i interesit kolektiv të qytetarëve të tij e ka të lehtë e mbase edhe moralisht të justifikuar të tregohet mekanik e mizor, del në pah natyra e tij jo vetëm humane por edhe humanizuese.
Ky moment përballjeje mes individit me peshën e një faji mbi shpinë dhe shtetit si instrument i deleguar për marrjen e shpagimit të këtij faji nga ana tjetër është fotografia e ngrirë e sistemit penitenciar.
Individi me dobësitë, kufizimet e paragjykimin e tij nga njëra anë e shteti me ftohtësinë institucionale, pafundësinë e mjeteve e intrasigjencën ligjore nga ana tjetër janë dyshja e kësaj përballjeje të vjetër sa vetë shoqëria e organizuar njerëzore, prej kohës së Sokratit a më herët.
Sidomos kur individi përballë superstrukturës shtetërore është edhe i huaj për këtë shtet, humnera mes dy palëve bëhet më e thellë e nevoja për mirëkuptim e ura humanizmi, më thirrëse.
Avokati i Popullit, si garant në mbrojtjen e të drejtave, lirive dhe interesave të ligjshëm të individit ka në fokus edhe trajtimin dhe përmbushjen e nevojave dhe të drejtave specifike të të dënuarve të huaj që vuajnë dënimin në Republikën e Shqipërisë në përputhje me legjislacionin në fuqi si dhe me qëllimin e ruajtjes së standardeve ndërkombëtare për këtë kategori.
Kjo konferencë organizohet nga ana jonë për zbatimin efektiv dhe koherent të ligjeve dhe standardeve të BE-së për trajtimin e të burgosurve të huaj, nëpërmjet një bashkëbisedimi të përbashkët, ndarjes së eksperiencave dhe adresimit të problematikave kryesore”.