25 Qershor 2021

Rritet Besueshmëria E Publikut Për Avokatin E Popullit


RRITET BESUESHMËRIA E PUBLIKUT PËR AVOKATIN E POPULLIT

Anketa e perceptimit të publikut “Balkan barometer” për vitin 2021 e nxjerr Avokatit e Popullit në Shqipëri si një ndër institucionet të cilit publiku ka prirjen më të lartë për t’i besuar.

Në pyetjen “Sa u besoni këtyre institucioneve”, 40% e të anketuarve thanë se priren t’i besojnë Avokatit të Popullit, një përqindje kjo e cila barazohet vetëm nga “Pushteti vendor” në Shqipëri.

Megjithatë, Avokati i Popullit shënoi rezultat më të mirë se Pushteti vendor në numrin e atyre që priren të mos i besojnë institucionit, me vetëm 22% të tillë krahasuar me 27% të Pushtetit vendor.

Gjithashtu Avokati i Popullit rezulton si institucioni me numrin më të ulët të qytetarëve që ushqejnë mosbesim ndaj tij në Shqipëri.

Në rang rajonal, Avokati i Popullit të Shqipërisë dhe ombudsmani i Republikës së Serbisë janë dy institucionet me prirjen më të lartë të qytetarëve për besueshmëri. Gjithashtu krahasuar me mesataren rajonale prej 34% të prirjes së besueshmërisë për institucionet e kategorisë së Ombudsmanit, Avokati i Popullit të Shqipërisë qëndron dukshëm mbi këtë mesatare.

Në përgjithësi mbështetja dhe perceptimi i besueshmërisë për Avokatin e Popullit është rritur krahasuar me një vit më parë, me një hop prej rreth 15%.

Edhe përkundër këtyre rezultateve Avokati i Popullit megjithatë, mbetet i përkushtuar dhe i vendosur për ta rritur në vazhdimësi performancën dhe shërbimin ndaj qytetarëve për t’ua shpërblyer atyre me punë besimin që ata tregojnë te ky institucion i shtetit shqiptar.

“Barometri i Ballkanit” është një raport serioz dhe profesional i cili mbështetet nga Këshilli Rajonal i Bashkëpunimit, një institucion i Bashkimit Europian me fokus në integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.