Avokati I Popullit Shënon Ditën Ndërkombëtare Të Egjiptianëve Të Ballkanit
Ekzistenca e minoriteteve në Shqipëri është një realitet sa historik aq edhe aktual, të cilit i është kushtuar një vëmendje e veçantë për të konkretizuar një marrëdhënie të mirë, ku shprehet toleranca, bashkëjetesa dhe mirëkuptimi mes pjestarëve të pakicave përkatëse dhe pjesës tjetër të popullatës.
Avokati i Popullit si institucion i pavaruR, i parashikuar shprehimisht në Kushtetutë, për mbrojtjen, promovimin dhe parandalimin e shkeljes së të drejtave të njeriut, ka patur dhe ka në prioritetet e aktivitetit të tij, trajtimin e çështjeve që lidhen me të drejtat e pakicave kombëtare.
Kryefjala e aktivitetit tonë, në këtë fushë të drejtave të njeriut mbetet integrimi dhe përmirësimi i kushteve të jetesës së pakicave kombëtare, në Shqipëri.
Një nga pakicat kombëtare të njohura nga ligji nr. 96/2017 “Për mbrojtjen e Pakicave Kombëtare në Republikën e Shqipërisë”, është pakica kombëtare Egjiptiane. Njohja e këtij statusi përbën një hap cilësor dhe një garanci të shtuar për afirmimin e të drejtave të kësaj pakice kombëtare, e cila deri vonë njihej “de facto”, si e ndryshme nga pakicat e tjera dhe nga popullsia etnike shqiptare, duke u prezantuar deri vonë si, komuniteti Egjiptian në Shqipëri.
Sot, data 24 Qershor, shënon Ditën Ndërkombëtare të Egjiptianëve të Ballkanit, pjesë e bashkësisë të së cilës është edhe tërësia e anëtarëve të pakicës kombëtare Egjiptiane, që jeton sot në vendin tonë.
Kjo datë është caktuar si e tillë, në kujtesë të mbledhjes së parë të Asamblesë të mbajtur në Ohër, në Maqedoninë e Veriut më 24 qershor 1990.
Duke njohur vlerat e pamohueshme që kjo pakicë kombëtare ka sjellë dhe sjell në shumë fusha të jetës në shoqërinë tonë, jemi të vetëdijshëm se, veç hapave pozitive të ndërmarra për njohjen dhe respektimin e të drejtave të anëtarëve të kësaj pakice si dhe politikave të ndërmarra për integrimin e tyre në jetën e përditëshme, ende ka shumë për të bërë.
Prej kohësh kemi trajtuar problematikat shqetësuese me të cilat përballet kjo pakicë kombëtare, të cilat kanë të bëjnë me aksesin në programet e strehimit social, arsimimin dhe mbrojtjen nga segregimi, punësimin, përfitimin nga sistemi i ndihmës shoqërore, formimin e vazhdueshëm profesional si dhe me aksesin thelbësor në një sërë shërbimesh të tjera publike, problematika këto të theksuara së fundmi, për shkak të gjendjes së krijuar nga pandemia e Covid-19.
Në fakt këto problematika vazhdojnë të ekzistojnë duke përbërë kështu një sfidë në vazhdim për vet anëtarët e kësaj pakice, por edhe për të gjitha institucionet përgjegjëse shtetërore, të cilat sot më shumë se kurrë, për shkak të standardeve të respektimit të të drejtave të pakicave kombëtare, të kërkuara në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, nevojitet të kenë një qasje më realiste dhe integruese për pakicën kombëtare Egjiptiane.
Sot është një ditë e shënuar për këtë pakicë kombëtare, por një ditë domethënëse dhe reflektimi edhe për gjithë shoqërinë tonë, për të kuptuar se vlera të mëdha të saj mbarten dhe vijnë nga pakicat kombëtare, ku vend specifik zë pakica kombëtare Egjiptiane.