22 Qershor 2021

Prezantohet Udhëzuesi Për Parandalimin Dhe Adresimin E Dhunës, Ngacmimit Dhe Ngacmimit Seksual Në Mjedisin E Punës


PREZANTOHET UDHËZUESI PËR PARANDALIMIN DHE ADRESIMIN E DHUNËS, NGACMIMIT DHE NGACMIMIT SEKSUAL NË MJEDISIN E PUNËS

Avokatja e Popullit Erinda Ballanca, mori pjesë sot në tryezën ku u krye prezantimi i Udhëzuesit "Për Parandalimin dhe Adresimin e Dhunës, Ngacmimit dhe Ngacmimit Seksual në Mjedisin e Punës në Institucionet e Administratës Shtetërore", mundësuar nga programi i përbashkët "T'i japësh fund dhunës ndaj grave", financuar nga qeveria suedeze.


Në tryezë merrnin pjesë edhe ambasadorja e Suedisë në Shqipëri, përfaqësuesja e UNDP, si dhe drejtuesja e Departamentit të Administratës Publike. Gjithashtu mysafir i veçantë në këtë takim ishte edhe Avokati i Popullit të Kosovës Naim Qelaj, në vizitën e tij të parë në Shqipëri.
Udhëzuesi mbi “Parandalimin dhe Adresimin e Dhunës, Ngacmimit dhe Ngacmimit Seksual në Mjedisin e Punës në Institucionet e Administratës Shtetërore" u përgatit nga ekspertë të UNDP dhe Avokatit të Popullit dhe synon të ndihmojë institucionet shtetërore të ndërtojnë praktika efektive në ndalimin e këtij fenomeni të përhapur e të pandëshkuar siç duhet në administratën tonë.
Në fjalën e saj, Avokatja e Popullit Erinda Ballanca u shpreh:

“Është kënaqësi të jemi sot bashkë në këtë tryezë për të shkëmbyer disa mendime e pse jo edhe disa mesazhe në prezantimin e Udhëzuesit për Parandalimin e ngacmimit në Mjedisin e punës në Administratën shtetërore.
Kjo veprimtari ka në fokusin e saj dy koncepte, punën dhe ngacmimin në vendin e punës. E para, pra puna është mënyra e vetme që ka shoqëria njerëzore për të përmirësuar jetën e saj e për të përparuar. E dyta, është pengesë për punën pra edhe për përparimin.
Që një shoqëri të ecë përpara ka nevojë që ajo t’I përqendrojë gjithë kapacitetet e saj njerëzore në shërbim të këtij progresi. E kapaciteti I një shoqërie pa gruan, që është edhe gjysma e shoqërisë, sigurisht do të ishte gjysmak. Është e kotë të flasim këtu për përpjekjet e mëdha që janë bërë e ende vijojnë të bëhen për të siguruar barazinë gjinore, përfshirjen e gruas në procesin e punës në të gjitha hallkat e saj duke përfshirë edhe pozitat drejtuese, si dhe shpërblimin e drejtë e dinjitoz të sajin. Mirëpo, ngacmimi në mjedisin e punës e sidomos ngacmimi seksual, është sot një nga format më të shpeshta të rezistencës ndaj avancimit të gruas në punë, karrierë e në shoqëri. Dhuna, ngacmimi dhe ngacmimi seksual janë të patelorueshme!”