17 Qershor 2021

Avokati I Popullit Dënon Dhunimin E Aktivistes Transgjinore


AVOKATI I POPULLIT DËNON DHUNIMIN E AKTIVISTES TRANSGJINORE

Avokati i Popullit dënon dhunën e ushtruar ndaj një aktivisteje të LGBTIQ që i përket komunitetit transgjinor.

Sikurse u raportua për Avokatin e Popullit në një ankesë të Aleancës LGBTIQ Albania, një qytetare e moshës 21 vjeç, u sulmua nga dhjetë persona në Tiranë verbalisht dhe fizikisht për shkak të identitetit së saj seksual.

Institucioni i Avokatit të Popullit u bën thirrje autoriteteve ligjzbatuese ta zbardhin me korrektësi këtë ngjarje.

Gjithashtu Avokati i Popullit kërkon ndaljen e gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit e cila frymëzon akte të dhunshme si ky i denoncuar së fundi.

Asnjë qytetari të Republikës sonë nuk mund t’i privohet e drejta për të jetuar e lëvizur lirisht kudo, e nuk duhet t’i nënshtrohet dhunës për shkak të orientimit të tij seksual apo çfarëdo lloj prirjeje tjetër që nuk përbën kërcënim e rrezik për të tjerët.

Në mbështetje të aktivistëve të LGBTIQ i nxisim ata që të mos dekurajohen dhe të mos e ndalin përpjekjen e tyre për të arritur realizimin e të drejtave të anëtarëve të komunitetit të tyre.