Avokati I Popullit Shënon Ditën E Europës
9 Maji i cili shënon Ditën e Europës i bashkon sot popujt e kontinentit tonë në një moment reflektimi.
Europa e bashkuar si një e tërë, një ideal i kahmotshëm përparimtar, vazhdon të mbetet vetëm pjesërisht e realizuar. Sfida të shumta e kanë përballur pjesën tonë të botës, nga skepticizmi, egoizmi, flukset izolacioniste e populiste, pandemia globale e shpërfaqjet sporadike të autoritarizmit. Europa për ne shqiptarët mbetet një yll polar i pandryshueshëm. Ajo është pikënisja e destinacioni ynë e pavarësisht gjithçkaje, përkatësia jonë europiane është e pakëmbyeshme. E megjithatë, çdo vit që kalon, bëhet gjithnjë e më e qartë për ne, se më shumë se vokacion, Europa është një përgjegjësi e madhe. Ky është leksioni ynë i tranzicionit, i cili e ka zanafillën tek slogani: E duam Shqipërinë si gjithë Europa!
Kjo mbetet ende detyra jonë e papërmbushur. Gëzuar Ditën e Europës!