7 Maj 2021

Reagim I Avokatit Të Popullit


REAGIM I AVOKATIT TË POPULLIT

Nisur nga ngjarja e ndodhur në qytetin e Elbasanit, ku një tjetër grua humbi jetën e vrarë nga bashkëshorti i saj, institucioni i Avokatit të Popullit i bën thirrje edhe një herë gjithë opinionit shqiptar: NDALONI DHUNËN KUNDËR GRAVE!

Dhuna ndaj grave është një nga shkeljet më të mëdha të të drejtave të njeriut! Gratë dhe vajzat shqiptare kanë të drejtë të gëzojnë të gjitha të drejtat në mënyrë të barabartë me burrat e djemtë!

Asnjë njeri nuk ka të drejtë të marrë jetën e një njeriu tjetër dhe aq më tepër jetën e gruas, bashkëshortes, nënës së fëmijëve të vet.

Institucioni i Avokatit të Popullit u bën thirrje të gjitha institucioneve shtetërore, anëtarëve të Mekanizmave të Koordinuar kundër dhunës, të sigurojnë mbrojtje të menjëhershme dhe mbështetje për të gjitha gratë e vajzat vikima të dhunës në marrëdhëniet familjare, duke marrë të gjitha përgjegjësitë që jua detyron legjislacioni vendas dhe Konventat Ndërkomabëtare të ratifikuara nga shteti shqiptar.

Institucioni i Avokatit të Popullit u bën thirrje grave dhe vajzave, pjesëtarëve të familjeve apo fëmijëve, të denoncojnë menjëherë nëse mbi to ushtrohet dhunë e cilësdo forme të saj, apo janë dëshmitarë të episodeve të ushtrimit të dhunës në familje, në numrat e dedikuar pa pagesë:

Linja Kombëtare për viktimat e dhunës në familje 116 117

Policia e Shtetit 129 dhe 112

Qendra Lilium për rastet e emergjencës për dhunën seksuale 0693079598

Avokati i Popullit do të vazhdojë të jetë në mbrojtje të të drejtave të grave e vajzave dhe në mbështetje të tyre.