Avokati I Popullit Kërkon Përmirësim Të Procedurave Për Të Garantuar Të Drejtën E Informimit Të Pacientëve Me Covid-19 Dhe Familjarëve Të Tyre Nga Autoritetet Shëndetësore
Avokati i Popullit ka përpiluar një rekomandim dërguar Ministrisë së Shëndetësisë në lidhje me respektimin dhe realizimin efektiv të së drejtës për informim të pacientit, në spitalet publike “Covid”.
Gjatë gjithë kohëzgjatjes së pandemisë së Covid-19, nuk kanë munguar ankesat individuale të paraqitura në institucionin e Avokatit të Popullit ku ngrihet shqetësimi për mungesa apo mangësi në shërbimin spitalor publik.
Zinxhiri infektues i kësaj pandemie dhe masat kufizuese të nevojshme që duhen aplikuar për parandalimin e saj, ka bërë që të mos lejohen kategorikisht vizitorët në pavionë ku marrin trajtim shëndetësor pacientët me Covid-19. Pavarësisht faktit se pacientëve u lejohen telefonat celularë, problematike janë sidomos rastet kur pacientët janë në gjendje të rëndë, apo të intubuar dhe krejtësisht të pamunduar për të komunikuar me të afërmit e tyre.
Sipas legjislacionit rregullator në fuqi është detyrim i personelit mjekësor të informojë pacientin për gjendjen e tij shëndetësore por edhe familjarët e tij.
Kjo problematikë lidhet me respektimin e të drejtës për informim e pacientit të afirmuar në Kartën Shqiptare të të Drejtave të Pacientëve, ku thuhet shprehimisht se: “Çdo pacient ka të drejtën për akses ndaj çdo lloj informacioni lidhur me gjendjen e tij shëndetësore, për shërbimet shëndetësore dhe mënyrën e përdorimit të tyre, si dhe për çdo kërkim shkencor apo inovacion teknologjik që mund të jetë i përdorshëm”.
Kjo e drejtë është e garantuar edhe në nenin 25, të Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore, ku thuhet se:
“I sëmuri ka të drejtë të informohet për sëmundjen, ekzaminimet dhe mjekimet që i propozohen dhe rezultatet e tyre. Mjeku e ka për detyrë ta informojë të sëmurin në mënyrë të sinqertë dhe të kuptueshme, duke marrë parasysh në çdo rast personalitetin dhe gjendjen e tij psiqike.
Kodi i Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore, detajon më tej konceptin e së drejtës për informim. Kështu, në nenin 26, ky Kod përcakton shprehimisht se:
“Mjeku e ka për detyrë të tregojë mirëkuptim dhe bashkëshqetësim me familjarët. Ai duhet t’i mbajë ata në dijeni për procedurat mjekësore dhe kujdesin që i ofrohet të sëmurit, ecurinë dhe perspektivën e tij, me kusht që një gjë e tillë të mos bjerë në kundërshtim me vullnetin e të sëmurit”.
Duhet theksuar se normat e sipërcituara, detyruese, megjithëse garantojnë të drejtën e informimit, si për pacientin/të sëmurin, ashtu edhe për të afërmit e tij, nuk kanë detajime të mjaftueshme për të qënë të aplikueshme drejtëpërdrejt.
Në këto rrethana vlerësohet se, mungesa e një akti të ri nënligjor, të detajuar, për rregullimin e marrëdhënies të së drejtës për informim, ndërmjet mjekut dhe pacientit/të sëmurit, por sidomos ndërmjet mjekut kurues dhe të afërmve të pacientit/sëmurit të shtruar në këto spitale, ka sjellë problematikat e ndeshura në ankesat e paraqitura në institucionin tonë, apo në rastet përkatëse të bëra publike në media.
Për sa më sipër, është rekomanduar:
1. Nxjerrja e një rregulloreje specifike, të detajuar, ose përshtatjen e rregulloreve ekzistuese nga ana e qëndrave spitalore ku janë të pozicionuara spitalet “Covid”, për garantimin e realizimit efektiv të së drejtës për informim të pacientit dhe të të afërmve të tij, në kushtet e pandemisë Covid 19.
2. Detyrimi i sistemit privat të kujdesit shëndetësor në vendin tonë, për të rregulluar dhe për të pasur të njëjtën qasje normuese, për garantimin e realizimit efektiv të së drejtës për informim të pacientit dhe të të afërmve të tij, në kushtet e pandemisë Covid 19.