12 Mars 2021

Avokati I Popullit Dënon Gjuhën E Urrejtjes Manifestuar Në Hapjen E Fushatës Elektorale


AVOKATI I POPULLIT DËNON GJUHËN E URREJTJES MANIFESTUAR NË HAPJEN E FUSHATËS ELEKTORALE

Avokati i Popullit dënon ashpër çdo formë të gjuhës së urrejtjes të shpalosur gjatë prezantimit të kandidatëve për garën elektorale dy ditë më parë.

Manipulimi, përshtatja dhe përdorimi i veçantive gjinore, karakteriale apo fizike të cilitdo qytetar me qëllim vendosjen e tij në pozita poshtëruese nuk është një sjelle në përputhje me standardet e përcaktuara në aktet ndërkombëtare dhe interpretimin e bërë prej tyre veçanërisht nga rekomandimi nr. 15 i Komitetit kundër Racizmit dhe Intolerancës të Këshillit të Europes (ECRI).

Kthimi regresiv në këtë anti-kulturë nga cilido përfaqësues apo anëtar i partive politike, e aq më tepër i forcës politike që përbën mazhorancën aktuale në Kuvendin e Shqipërisë, minon jo vetëm punën e gjatë dhe përpjekjen e institucioneve dhe shoqërisë sonë për t’u rritur në emancipim e zhvillim, por demonstron një vullnet për të rrënuar deri edhe thelbin njerëzor për nevoja që assesi nuk i korrespondojnë interesit publik, por që në të kundërt dëmtojnë bazën e tij.

Kjo lloj retorike mund të ndikojë në shndërrimin e urrejtjes dhe dhunës që buron prej urrejtjes, në model sjelljeje për shoqërinë tonë.

Edhe gjuha e papërshtatshme është një formë e gjuhës së urrejtjes dhe përdorimi i saj në debatin politik dhe elektoral për cilindo që nuk ndan të njëjtat pikëpamje me përfaqësuesit politikë, kthehet në shembull për mijëra ndjekës, të cilët e transferojnë dhe riprodhojnë gjuhën e papërshtatshme, urrejtjen dhe dhunën, në mjedisin ku jetojnë, në shoqëri e familje.

Duke vlerësuar të ligjshëm shqetësimin për këtë ngjarje nga ana e shumë organizatave të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, veçanërisht atyre të të drejtave të gruas e kundër diskriminimit, Avokati i Popullit e dënon gjuhën e urrejtjes në prezantimin elektoral të dy ditëve më parë, si dhe përfiton nga rasti t’u bëjë thirrje të gjitha partive politike për ndalim të menjëhershëm të kësaj qasjeje, si dhe ndarje nga praktikat sipërfaqësore të marrdhënieve publike ku skandalizimi përdoret si mjet për devijim debati, me koston e dhunimit të dinjitetit të çdo qytetari të vendit tonë e shkatërrimit të standardeve të arritura me mund në respektimin e të drejtave të njeriut.