9 Mars 2021

Aktivitet Mbi Raportin Midis Medias Dhe Të Drejtave Të Grave


AKTIVITET MBI RAPORTIN MIDIS MEDIAS DHE TË DREJTAVE TË GRAVE

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas Institucioni i Avokatit të Popullit bashkëorganizoi dhe mori pjesë në një tryezë të rrumbullakët me temë marrdhënien e ndërlikuar midis së drejtës së medias për të qenë e lirë në raportimin e saj dhe të drejtës së gruas për t’u mbrojtur nga diskriminimi dhe portretizimet diskriminuese gjatë raportimit të episodeve të dhunës gjinore në media.

Aktiviteti u zhvillua në bashkëpunim me UN Women në Shqipëri dhe Ambasadën e Suedisë në vendin tonë.

Në takim merrnin pjesë përfaqësues të organizatave për të drejtat e gruas, ato të lirisë së medias, aktivistë, gazetarë etj.

Në fjalën e saj Avokatja e Popullit Erinda Ballanca, ndër të tjera u shpreh:

“Është me vlerë të theksohen dy elementë që lidhen nga njëra anë me nevojën që ne si gra të arrijmë ta justifikojmë përparimin e pozicionit tonë në shoqëri dhe nga ana tjetër me nevojën për t’u dhënë një sens realizmi dhe mirëkuptimi pritshmërive që ne kemi nga njëra tjetra në radhë të parë.

Është e domosdoshme së pari që të gjitha ne të kuptojmë që avancimi i pozitës së secilës prej nesh nuk duhet të ndërtohet vetëm mbi faktin se jemi gra. Të përfitosh vetëm se je grua nuk është e mjaftueshme e mbi të gjitha nuk është e drejtë. Secila prej nesh duhet të investohet në rritjen e vet profesionale e botëkuptimore. Kjo është rruga sesi arritja e një pozite apo pozicioni të mos përjetohet si një lëmoshë apo lëshim, po të jetë plotësisht e merituar, siç do të ishte për cilindo tjetër.

Nga ana tjetër, është e dobishme që për një grua që arrin suksesin, të mos ngrihen pritshmëri që e tejkalojnë nivelin e pritshmërive që ekzistojnë për cilindo njeri. Prej një gruaje të suksesshme nuk ka përse të pretendohet një super-performancë, e nuk ka arsye për të pasur një vigjilencë shkatërrimtare për gjithçka që ajo nuk arrin ta performojë në nivelin mbinjerëzor që ishte pritur që në fillim prej saj. Kjo është sjellje e gabuar, dekurajuese dhe është kundërproduktive”.