Avokati I Popullit Uron Me Rastin E Ditës Ndërkombëtare Të Gruas
Me rastin e 8 Marsit, ditës ndërkombëtare të Gruas, Institucioni i Avokatit të Popullit uron gjithë gratë dhe vajzat, nënat dhe motrat shqiptare, për ditën e tyre.
Gruan shqiptare si çdo vit, edhe ky 8 mars e gjen në përpjekjen e saj shekullore për barazi, emancipim dhe përparim.
Edhe pse janë hedhur hapa të mëdhenj, sërish është e parakohëshme të flasësh për ditën kur gruaja do të gëzojë atë vend që meriton në shoqëri, konform kontributit dhe vlerave të saj.
Dhuna me bazë gjinore mbetet një plagë e hapur në jetën tonë edhe për kohën ku jetojmë. Gratë dhe vajzat u nënshtrohen vrasjeve e gjymtimeve shpesh thjesht dhe vetëm për faktin se i përkasin një gjinie të ndryshme nga meshkujt.
Pabarazia në vendin e punës dhe shtypja ekonomike përshfaqet qartë nëse vëzhgon sesi gratë dhe vajzat janë sot më të papunësuarat e kur janë të punësuara, janë ato më të keqpunësuarat, më të keqpaguarat e më të shfrytëzuarat në sektorë ku kërkohet produktivitet i lartë e ofrohen kushte të papranueshme.
Edhe pse më të mirëarsimuara e shpesh më të talentuara e të kualifikuara për një vend pune, gratë mbeten shpesh zgjedhje e fundit.
Përfaqësimi politik i gruas mbetet gjithashtu i papërmbushur. Të dekurajuara për të marrë pjesë në politikë e kur marrin pjesë, të penguara e të neglizhuara, gratë edhe pse përbëjnë 50% të elektoratit e të popullatës, sërish duhet të bëjnë llogaritë me “kuotat gjinore” të cilat nuk reflektojnë me besnikëri përqindjen e tyre në shoqëri. Gjithashtu kuotat mbeten kuota në lista e jo në përfaqësim, e kësisoj, gratë në Kuvendin e Shqipërisë apo në institucionet publike politikëbërëse, mbeten të nënpërfaqësuara.
Institucioni i Avokatit të Popullit është përkrah grave dhe vajzave në përpjekjen e tyre për barazi. Ai çmon se hapi i parë për kapërcimin e një pengese, është ndërgjegjësimi për ekzistencën e pengesës andaj bën thirrje për më shumë angazhim e aktivizëm nga gratë shqiptare në misionin e tyre për të arritur një jetë me dinjitet e barazi.