Avokati I Popullit Mbështet Vazhdimin E Konsultimeve Për Miratimin E Projektligjit Për Regjistrimin E Ojf-Ve
Institucioni i Avokatit të Popullit e ka ndjekur me vëmendje debatin që po zhvillohet në lidhje me përpilimin dhe miratimin e një projektligji “Për regjistrimin e OJF”-ve në Republikën e Shqipërisë.
Ndërkohë që Avokati i Popullit gjykon se është vërtet koha dhe nevoja që sektori i Organizatave të shoqërisë civile të ketë një ligj të ri e të përmirësuar, gjithsesi ky hap i rëndësishëm në asnjë mënyrë nuk duhet të kryhet pa u konsultuar në mënyrë të thelluar, mirëkuptuese dhe serioze me vetë përfaqësuesit e shoqërisë civile në vendin tonë.
Avokati i Popullit i shikon të drejta shqetësimet e përfaqësuesve në fjalë, se konsultimet e kryera deri tani me ta nga ana e Kuvendit të Shqipërisë, nuk kanë qenë të mjaftueshme e të plota dhe shpreh qëndrimin se mungesa e kohës dhe urgjenca nuk kanë pse të kushtëzojnë një proces prej të cilit mund të dalë një rezultat më i dobishëm për të gjithë.
Avokati i Popullit është një partner i kahershëm dhe i vendosur i organizatave të Shoqërisë Civile në Shqipëri në përpjekjen e përbashkët për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut. Prania dhe lulëzimi plural i organizatave të shoqërisë civile në një vend, është barometër i ekzistencës së një klime të shëndetshme të rritjes së demokracisë në këtë shoqëri, diçka kjo, për të cilën Shqipëria jonë ka kaq shumë nevojë. Garantimi i hapësirës demokratike është jetësor për shtetin e së drejtës.
Avokati i Popullit i rekomandon Kuvendit të Shqipërisë që të mos ngutet në miratimin e një projektligji të pakonsultuar e të padakordësuar me aktorët e shoqërisë civile dhe u bën thirrje të gjithë grupeve të interesit që të japin kontributin e tyre konstruktiv me efikasitet, seriozitet dhe interesin e qytetarëve në mendje.